Berisha: Qeveria, gjithçka për biznesin social kundër varfërisë

0
141

Ina Jano

berioshaMazhoranca, 160 milionë dollarë në vit për ndihmën ekonomike në vend. Të rritet dhënia e mikrokredive

 

Varfëria ekziston, megjithëse qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur biznesin social, si një nismë që do ta luftojë këtë fenomen. Kështu u shpreh dje kreu i mazhorancës, Berisha, në konferencën kombëtare “Lëvizja për biznesin social në Shqipëri”. Ai deklaroi se varfëria mund të luftohet në një nga këto mënyra. Shefi i qeverisë përgëzoi të gjitha bankat të cilat besojnë në aftësitë e shqiptarëve dhe u japin atyre mikrokredi, megjithatë në mënyrë të drejtpërdrejtë ai u bëri thirrje që të rrisin dhënien e kredive. Nëse një pjesë të këtyre fondeve do të jepeshin në formën e mikrokredive do të kishim më shumë punësim dhe dalje të familjeve nga varfëria. “Qeveria ime shpenzon çdo vit për të ashtuquajturën ndihmë ekonomike 160 milionë dollarë, e cila, absolutisht, në një përqindje të madhe është një lloj shpërdorimi ekonomik,që ndahet në pjesë të barabarta atij që ka nevojë dhe atij që s’ka nevojë. Sikur një pjesë të këtyre fondeve t’i devijojmë dhe t’ua japin mikrokredi këtyre familjeve në nevojë do t’i ndihmojmë që me djersën e tyre të dalin nga varfëria, të kenë një jetë më të mirë”, – tha Berisha. Ai nënvizoi faktin se Shqipëria në bazë të të gjitha renditjeve zë vendin e katërt në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Për këtë shifër të deklaruar, numri një i qeverisë ju referua edhe klasifikimit botëror. “Pak javë më parë një grup ndërkombëtar shumë prestigjioz botoi një studim mbi kthimin e rritjes ekonomike në mirëqenie, kthimin e pasurive në mirëqenie. Ky grup analizonte nga 36 në njërin indeks në 51 tregues në koeficientin tjetër. Në këtë aspekt ishte një nga studimet më përfshirëse. I dashur prof. Yunus, ky grup gjente se Shqipëria renditej e katërta për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. E vërteta është se për një qeveri nuk ka asgjë më të vështirë sesa shpërndarjen e të ardhurave, nuk ka asgjë më të vështirë sesa parandalimi i thellimit të kanionit që ekziston midis atyre që pasurohen me shpejtësi dhe të tjerëve që mbeten në vendnumëro ose varfërohen. Në Shqipëri, e theksoj edhe një herë, ky grup gjen se renditet e katërta, me Zvicrën, Brazilin dhe Kongon për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie”, – shtoi kreu i ekzekutivit. Nisur nga angazhimi i prof. Yunus se varfëria mund të çrrënjoset, lideri i qeverisë mori rastin e Shqipërisë, e cila njëzet vjet më parë ishte vendi më i varfër i planetit për të ardhura për frymë dhe falë reformave të thella e politikave të ndjekura u shkëput me shpejtësi nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta dhe është vendosur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. “Shqipëria në vitin 2001 kishte një varfëri prej 38 për qind. Shqipëria në vitin 2008 kishte një varfëri prej 12.5 për qind. Shqipëria në vitin 2005 kishte një varfëri ekstreme prej 3.4 për qind dhe kjo zbriti 1.2 për qind në vitin 2008. U ndala në këto shifra, sepse varfëria mund dhe duhet të luftohet”, – u shpreh Berisha. Ky i fundit e krahasoi nobelistin me Nënë Terezën, duke vënë në dukje misionin e tyre fisnik për t’u marrë me të varfrit. Kryeministri tha se do të stimulojë të gjitha bizneset sociale duke i hequr dividentin e kompanive. Ndërsa Muhammad Yunus, fitues i çmimit “Nobel” për luftën e tij ndaj varfërisë tha se biznesi social është shumë i rëndësishëm për një shoqëri. “Synimi është vendosja në qendër e personave që kanë mundësi të ngrenë një sipërmarrje, por nuk kanë si të gjejnë fonde për këtë investim, pasi kanë pak akses qoftë për të përfituar një kredi, apo u mungojnë mjetet financiare. Bazuar mbi këtë parim, unë mendoj se kudo ku ka një problem, mund të ngrihet një biznes për ta zgjidhur atë. Biznes jo në kuptimin e fitimit të përqendruar vetëm te një individ, por një biznes social që zgjerohet duke përfshirë persona të tjerë në nevojë, të cilët duan të punojnë”, – tha Yunus.

 

Yunus: Mbështetje të pakushtëzuar për qeverinë shqiptare

Kryeministri Berisha priti nobelistin për paqen prof. Muhammad Yunus, i cili ndodhet në Shqipëri për të promovuar iniciativën e qeverisë shqiptare për lëvizjen gjithëpërfshirëse për implementimin e konceptit të biznesit social në vend. Zoti Yunus përgëzoi kreun e qeverisë për mbështetjen e tij ndaj Agjencisë për Nxitjen e Biznesit Social dhe Lëvizjes për Implementimin e Biznesit Social. Lideri i mazhorancës, duke e falënderuar zotin Yunus për mbështetjen e kontributin e tij, shprehu bindjen se implementimi i biznesit social në partneritet me Yunus Social Businnes Albania, me kompani tregtare dhe institucionet akademike do të mund të adresojë problematikën e varfërisë, papunësisë e çështjeje të tjera sociale. “Iniciativa të biznesit social po ndërmerren duke adresuar problematika të arsimit profesional, të grumbullimit të produkteve bujqësore apo të punësimit të grave në punë artizanale. Këto janë vetëm shembujt e parë dhe të tjerë do të pasohen në sektorët e energjisë, arsimit, turizmit, shëndetësisë”, – shtoi numri një i qeverisë. Zoti Yunus garantoi për mbështetjen e vazhdueshme që Yunus Social Businnes do të sigurojë në përpjekje për zhdukjen e varfërisë dhe adresimin e problemeve sociale në Shqipëri.

 

 

 

PD: Rama të tregojë për shkeljen e ligjit në pallatin e bashkëshortes

Partia Demokratike i bëri dje thirrje sërish kreut të opozitës, Edi Rama të bëjë të ditur të dhënat mbi pallatin e bashkëshortes së tij. Sipas PD-së, Rama në shkelje me ligjin dha leje ndërtimi për pallatin e bashkëshortes ndërsa anuloi lejen e ndërtimit për një familje tjetër. “Partia Demokratike i kërkon z. Rama të marrë të gjitha përgjegjësitë publike dhe të mos fshihet si frikacak për dy lejet e ndërtimit të firmosura prej tij, për interes familjar dhe në kundërshtim flagrant me ligjin dhe konflikt interesi dhe shkelje të rëndë të nenit 62 të ligjit të Urbanistikës, për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij, në vendin e ndaluar me ligj, në sheshin e pallateve. Jam këtu për të ftuar z Rama të mos fshihet, por të sqarojë publikun se përse ai duke shkelur nenin 62 për ligjin të Urbanistikës ia anuloi lejen e ndërtimit familjes Frashëri, për një ndërtesë që do të ndërtohej në mes të faqeve të dy pallateve dhe më vonë firmosi 2 leje për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij, vetëm 30 m2 më poshtë”, – tha zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi. Më tej ajo në emër të PD-së i kërkoi kryesocialistit Rama të bëjë të ditur dhe koston e ndërtimit të banesës në malin e Dajtit. “Partia Demokratike ju fton ju, Z. Rama të bëni publike fondet e ndërtimit, firmën e ndërtimit dhe faturat që ju paguani për ndërtimin e rezidencës suaj në malin e Dajtit. Zonja Rama në intervistën e saj me z. Balla deklaroi se ju tokën truall për ndërtimin e vilës e keni blerë në vitin 2003, me 2 mijë lekë të vjetra m2”, – u shpreh ajo. Selia blu ka disa kohë që e ka vendosur në qendër të komunikimeve të saj këtë çështje, por deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Partia Socialiste, përveç deklaratave nga ana e bashkëshortes së Ramës në një emision televiziv rreth një javë më parë.

 

Kryeministri pret maratonomakët e 100-vjetorit të pavarësisë

Kreu i mazhorancës priti dje në zyrën e tij në Kryeministri ata që ai i quajti maratonomakët e bashkimit në Evropë. Ai i përgëzoi ata për simboliken e shkëlqyer që krijuan si maratonomakë të bashkimit. Kryeministri tha se bashkimi i shqiptarëve në Evropë është një proces që nuk mund të ndalet, për të cilin çdo shqiptar duhet të bëjë gjithçka për të kapërcyer pengesat e panumërta të krijuara gjatë 100 vjet ndarje. Berisha nënvizoi se procesi i bashkimit të shqiptarëve u bën mirë edhe fqinjëve tanë, çlirimit të tyre nga albanofobia, ndërsa i quajti krejt të papranueshme qëndrimet e tyre të fundit në Preshevë dhe në Maqedoni. Ai u kërkoi shqiptarëve atje të mos bien pre e provokimeve dhe të ndihmojnë me gjakftohtësi e pa nxitim në zgjidhjen me urti të problemeve dhe në uljen e tensionit që dëmton shqiptarët atje. Përfaqësuesit e bashkatdhetarëve që përshkuan me këmbë rrugën nga shtëpitë e tyre në Gjilan, Ferizaj, Prizren e Kumanovë drejt Vlorës për 18 ditë e falënderuan Kryeministrin për mikpritjen dhe vlerësimin e aktit të tyre si simbolikë bashkimi, ndërsa ndanë me të besimin se ky proces është i pandalshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency