Bushati nis aventurën shkodrane mes shumë sfidave

0
154

Altin Vorpsi

artanSot skuadra e Vllaznisë do të niset në ora 11:00 drejt Ulqinit për fazën përgatitore

Dje Bushati drejtoi për herë të parë skuadrën

 

Me ardhjen në krye të Vllaznisë, Artan Bushatin dhe klubin shkodran gjithashtu e presin sfida të rëndësishme. Në radhë të parë, dhe më kryesorja, janë rezultatet dhe rikthimi tek objektivat. Gjatë fazës së parë kuqeblutë nuk bindën me paraqitjen e tyre dhe aktualisht renditen në vendin e 8-të me 17 pikë, shumë larg vendeve të para. Kësisoj, atyre do t’u duhet të nis gabojnë në thuajse asnjë prej ndeshjeve dhe të synojnë ngjitjen. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë e vështirëson akoma më shumë realizmin e objektivit të klubit, Kupat e Evropës.

 

Planet

Dje Bushati ka asistuar në stërvitjen e parë të Vllaznisë. I gjithë grupi ka qenë i plotë dhe përpara nisjes së stërvitjes Bushati ka folur shkurtimisht para ekipit në lidhje me programin stërvitor dhe planet e tij për fazën përgatitore. Ai ka bërë të ditur që bashkë me të, do të udhëtojnë në Ulqin vetëm 20 futbollistë, përfshi edhe 3 portierë. Pjesa tjetër e grupit të futbollisteve aktualë do të qëndrojë në Shkodër, sigurisht duke vijuar stërvitjen. Ndërkohë, Bushati ka paralajmëruar huazime të lojtarëve në ekipet e tjera për ata futbollistë që nuk do të jenë pjesë e Vllaznisë së fazës së dytë të Superligës.

 

Kërkesat

Tekniku kuqeblu ka folur qartë, kur ka kujtuar se koha në dispozicion për të realizuar projektin e tij të ringritjes së Vllaznisë, është mjaft e shkurtër dhe për ta shfrytëzuar atë në maksimum ai ka kërkuar nga futbollistet disiplinë, përkushtim, seriozitet dhe frymë grupi në realizimin e detyrave, qoftë në fazë përgatitore, ashtu edhe në ndeshjet zyrtare që do të pasojnë.

 

 

Kombëtarja

Berisha ndihet jashtë projektit

Erion Bogdani, Edgar Çani apo edhe Armando Sadiku duket se i mjaftojnë De Biazit për sulmin e përfaqësueses sonë. Këta futbollistë kanë bërë që të tjerë të “mënjanohen”. Rast i tillë është ai i Edmond Kapllanit (për momentin është i dëmtuar rëndë në gju) dhe i Besart Berishës. Ky i fundit, që “rilindi” vjet në Australi (ku me Brisban Roarin doli kampion dhe golashënues më i mirë i kampionatit), duket se nuk do të ketë të ardhme me fanellën kuqezi. Dëshira e komisarit teknik të Shqipërisë, Xhani de Biazi, ishte që sulmuesi 27-vjeçar të merrte pjesë në miqësoret e zhvilluara, por largësia e madhe ka bërë që Berisha t’i refuzojë. Ndërkohë, tani vetëm pak javë para miqësores së radhës, më 6 shkurt Shqipëria do të sfidojë Gjeorgjinë në “Qemal Stafa”, dalin të tjera prapaskena. Mediat shqiptare kanë bërë me dije se Besart Berisha ka pasur një bisedë me përzgjedhësin Xhani de Biazi dhe se tekniku italian planifikon ta ftojë kosovarin për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë. Një “histori” të tillë Berisha e di krejt ndryshe. Dje ish-sulmuesi i Hamburgut ka mohuar kontaktin me komisarin teknik nga Italia. “Askush nga kombëtarja nuk më ka kontaktuar mua apo klubin. Asgjë nuk ka të re lidhur me kombëtaren. Gjendja është e njëjtë me atë që ka qenë më herët”, – ka thënë Berisha.

 

Palermo-Lacio

“Derbi” i shqiptarëve mbyllet me barazim

Sfida e mbajtur në “Renco Barbera” ishte disi e veçantë për të tërë shqiptarët. Portën e Palermos e mbrojti Saimir Ujkani, ndërkohë që mesfusha e Lacios kishte një element shqiptar, Lorik Canën. Dueli mes portierit dhe kapitenit të përfaqësueses sonë u mbyll në një barazim spektakolar, ku u shënuan plot katër gola dhe ku kishte si protagonist të tjerë lojtarë. Ndeshja mes Palermos dhe Lacios u zhbllokua nga Flokari që në minutë të 10-ën kaloi miqtë në avantazh. Ky rezultat qëndroi i paprekur deri në minutën e 70-të kur Exhidio Arevalo barazoi gjithçka në 1-1. Vetëm 120 sekonda më vonë rozezitë kaluan në avantazh me anë të Paulo Dibalasë. Kjo nuk do të ishte rrjeta e fundit për këtë sfidë pasi vetëm 6 minuta para se të përfundonte ndeshja ishte Hernanez ai që shndërroi në gol një penallti të fituar prej Flokarit. Në këtë pikë ishte Ujkani që spikati pasi për pak a nuk ndaloi sferën. Nga ana tjetër Lorik Cana ra në sy në minutën e 90 kur mori një karton të verdhë që do ti kushtojë jo pak. Kapiteni i Shqipërisë, që dje luajti në vend të Gonzalesit, nuk do të këtë mundësi që të zbresë javën e ardhshme (Lacio të shtunën do të presë Kievon në shtëpi) në fushë, pasi kishte koleksionuar katër të verdhë të tjerë. Sipas komentatorëve italianë, ai bëri një paraqitje të mirë duke ndihmuar jo pak Lacion për të thyer sulmet e Mikolit me shokë.

 

Ukrainë

Bakaj shënon gol

Skuadra e Çernomorets Odesës, ku aktivizohen dy lojtarët shqiptarë të ekipit tonë kombëtar, Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli, në kuadër të përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit ukrainas të futbollit, ditën e djeshme zhvilloi një ndeshje miqësore me polakët e Visla Krakov. Çernomorets fitoi me rezultatin 3-1, ndërsa golin e parë të takimit e shënoi mesfushori i avancuar i përfaqësueses kuqezi, Elis Bakaj. Ish-lojtari i Partizanit dhe Dinamos vazhdon të tregojë një formë të mirë, duke qenë një nga lojtarët deciziv të ekipit ukrainas. Edhe pse është shënuar në një test kontrolli, goli i Bakajt është një mesazh i qartë për trajnerin e Kombëtares, Xhani de Biazi, i cili e ka përfshirë në listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjen miqësore të 6 shkurtit me Gjeorgjinë në “Qemal Stafa”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency