Dashuria e Burrit

0
175

pandoraRiprojektimi i vetvetes si fuqi e derdhur në një lojë konvencionale, të saponisur, krejtësisht në gjendje të kulluar në shqisën e një lirie të brendshme duke sublimuar dashurinë. Në procesin e përgatitjes për shtyp të përmbledhjes së re me poezi “Dashuria e Burrit”, poeti Alban Bala krijoi një javë poetike, botuar më poshtë, ekskluzivisht në “standard”. Lirika që reflektojnë maturinë romantike si një nivel që nuk soset nga vlimet shpirtërore që rizgjojnë çdo ditë vatra të reja ndjesish, të cilat s’reshtin së buruari nga krijimi apo nisja nga vendet më të larta deri në derdhjen mbi detin e lexuesve, si pritje.

 

Alban Bala

 

PO VJEN ORA

 

Drejt teje vijnë të gjitha gjërat e mia

Veç orës që na ndan

Në mesnatë.

 

Jemi dy akrepë të marrë

Që masin qiellin duke shkelur mbi yje

 

Po vjen ora e unë po çmend pa ty

Po vjen ora të jem, po vjen ora të bëhem

Burrë, Njeri, Qenie që ecën

Mbi tokën e dimrit

 

Po vjen ora dhe nuk kam më sy

 

Ulëret lëkura

Tendosur sekondash

Një zë më buçet nga gjiri

Nga fyti i shkretuar

Prej fjalëve që s’flasin

Nxjerr thëngjij.

Jam ndezur

si shtrati i lumit

në verën e thatë.

 

Po vjen ora të arrijnë shirat

Qiejt të pjekin me shtëpitë

Të përqafojnë majat e pemëve

Me stuhi

 

Po vjen ora dhe koha ka ndalur

Si deti

Në gropën e tij.

 

Çfarë hëne je ti?

 

 

VULLKANIKE

Bota ku ti shkel ka shenja të praruara.

Në trupin tim ende plagët e prekjeve

Kullojnë dritë.

Më ke dënuar të jem i lumtur. Më ke ndezur

Si një qeshje vullkanesh

Mbi lëndinat e shpirtit.

 

Jam një statujë prej hiri…një klepsidër

Që orën e mat me shpejtësinë

E lëvizjes së syve ndër stinë.

 

Pranvera është me ty kudo ku ti shkon.

Vjeshta është visor i shpinës sate të kthyer.

Dimri është heshtja jote e mënçur, e ftohtë

Dhe vera – një marrëzi fëmije…

 

Vezullon ajri yt, fjalët që shpërthejnë

Lule. Më ke dënuar të jem i lumtur, i lirë.

Jam një vullkan që digjet prej një jete

Brenda trupit të tij prej hiri

Për të mos ta prishur magjinë…

 

* * *

Nata i ngjet zemrës sime: ajo është plot me njerëz.

Të gjithë janë të lumtur ndërsa ikin të fshihen

Në dritë…

 

 

GJEOGRAFI

 

Unë jam këtu.

Këtu nuk ndodh asgjë,

Njerëzit flasin me shenja, fjalët maten me metër,

Koha i ngjet tymit, rikthehet në qiell

Duke i dredhuar erës.

 

Këtu edhe ora ecën më shpejt.

Për shtatë ditë jam plakur një jetë…

 

Kur u takuam atëherë ti kishe humbur rrugën.

Prej asaj dite kam humbur arsyet…

Mungesa jote rikthehet herë pas here

Si shiu

Dhe ma mëson të shkuarën me harresë

Gjurmësh që fshihen

Nga harta e njeriut…

 

 

MES DHJETORI

 

Vjeshta m’i vjedh sytë. Por dimri m’i mbyll.

Në trishtimin e plepave që numërojnë shirat

Lexoj kohën që ikën. Tani

Edhe dielli është i trishtë

si një kujtim që ndizet

Pafuqishëm. Kam ethe. Mbi buzë

Qershitë e vjetshme çelin sythe

të rinj

Dhe trupin – era ma vesh me vajtima.

 

Në vjeshtë shtegëtojnë zogjtë. Në dimër

Shtegëtojnë yjet.

Unë pres poshtë shirash të rritem pranvershëm

Dhe të shtegëtoj me netët një dimër…

 

PASTHIRRMË

Ti e di se unë e kam një ëndërr

Dhe një lutje të vogël sa shuplakat e mia

Një këngë për ty dhe një këngë për veten

Që provuam ta këndojmë me dy zëra, pa frikë.

 

Prej asaj dite ti këndon me gjysmë zëri

Dhe unë me gjysmën e zërit tënd flas me vete.

Flej me gjumin tënd dhe në ëndrrat e mia

Nuk shoh më asnjë ëndërr.

Them lutje

Tani them lutje që më nxjerrin prej gjoksit

Të tjera lutje.

Lutje që më zgjojnë nga gjumi i brishtë

I lutem Zotit të të bëjë të lumtur

Siç më ke bërë ti mua… Kam frikë

Nga lutjet e mia të pranuara

Nga lumturia e tepërt kam frikë

Si një fëmijë nga dashuria…

 

Një lutje është shumë frymë për një shpirt

Një ëndërr është shumë dritë për dy sy.

Në duart e mia rri bota si pasthirrmë

Që unë e dëgjoj me zërin tënd

Dhe ti me zërin tim…

 

LULET

 

Lulet janë farat e dritës. Shpërthejnë

Klorofilin e ajrit në një mijë ngjyra.

Hanë dhé për të qenë të bukura. Vdesin

Atëherë kur janë më të mirat…

 

Lulet janë qielli i milingonës, shtrati i pëllumbit, toka

E vesës që magjeps pamjet.

Lulet janë duar me një pëllëmbë poleni

Mjaltë të ëmbël

Dhe shumë petale…

 

Lulet janë kartolinat që të verbërit

I nisin njëri tjetrit

Në vend të fjalëve…

 

E SHKUARA DO TË VIJË NESËR

E shkuara do të vijë nesër.

Me telefon njoftoi

Se rruga ka ngrirë, se koha ka ndalur

Se njeriu e ka humbur gjurmën, shenjën e mendimit, kujtesën,

Peshën e rëndesës përballë së ardhmes.

Por e shkuara do të vijë nesër. Patjetër.

Ka udhëtuar pa ndalur prej stacionesh të largët,

Me automjete ditësh dhe me trenat e natës,

Ka fluturuar mbi qiej me zogjtë shtegëtarë.

Ka vendosur të vijë. E shkuara do të vijë nesër

Në mëngjes, kur unë iki…

Çdo ditë unë iki për të krijuar një të shkuar

Të re

Larg vetes…

 

NISJA

Nisja është një udhëtim i madh.

Çdo rrugë pas saj është vetëm pjesë e arritjes

Së ndarë në mijëra çaste që shkelen hap pas hapi.

Të nisesh do të thotë të kesh nisur të arrish…

Sepse nisja është një udhëtim ku flenë

Rruga, fundi i saj, lumturitë dhe dështimet

Si në barkun e nënës lundrojnë në paqe

Fëmija dhe e ardhmja e tij e palexueshme, e dlirë,

Drita e përgjumur e një vullneti hyjnor

Që do të shpërthejë papritur.

Nisja është rruga si triumf, si vendim

Për ta jetuar udhëtimin drejt së fshehtës së lumtur

Që arrihet me hapa por që shkruhet në heshtje

Brenda hapit të parë. Nisja

Është të mbërrish diku

Përpara se të jesh nisur.

Çdo nisje është më e vështirë

Se udhëtimi…

 

 

FËMINORE

Të gjithë do të kthehemi të bëjmë një ditë

Atë që na pëlqente më shumë në fëmijëri…

Unë dashuroja zogjtë, ndërtoja shtëpi

prej druri, prej fryme

Për ata që humbnin rrugën, për zogjtë e dimrit.

Vazhdoj t’i dua ata që fluturojnë lart

dhe ata që s’u ikin stinëve të tyre.

Ndërtoj shtëpi për zogj që këndojnë

Me qiellin në sy

Si me një ëndërr të përlotur që kurrë s’e pashe

Gjer në fund. Mbeta krijesë e ulët

E qiellit.

Ti që u rrite duke vrojtuar malin

Dhe pyllin e brishtë që i bëhej kufi

Lartësisë

Ti që mbete aty bri një peme të vetmuar

Do kthehesh aty si një rrufe që djeg

Dëshirat e harruara

Buzë greminash…

Apo ti që vetmueshëm detin pate shok

Gjersa velat e moshës të morën me vete

Aty do rigjehesh, pishë e gjelbër

Filtron

Kohën në gjilpërat e syve

Të cilat nuk ndryshojnë asnjë ngjyrë

Nga ëndrrat, nga drita.

Madje dhe ti që nuk bëre asgjë,

Do rikthehesh tek asgjëja e vjetër me një mall të ri

Për ta rindezur kohën e ikur, vrullin e heshtjes

Së zbrazët, kujtimin e hiçit tënd të mirë…

Të gjithë do të kthehemi të bëjmë një ditë

Atë që na pëlqente më shumë në fëmijëri.

Dikush do vizatojë me duart e rritura,

Dikush do të këndojë mbi trupa kukullash të mëdha

Të veshura ca më hijshëm, dikush

do të falë çdo gjë për të fjetur i lumtur

E dikush gjithçka do të synojë t’i marrë botës së njerëzve

Pa e ndjerë se fëminia është e përjetshme, pa e ndjerë

Se koha e fëmijës nuk ikën asnjëherë

Aq larg

Sa të mos kthehet…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency