Krishtlindjet, aromë festash në çdo qytet, Janullatosi uron shqiptarët

0
160

krishtlindjet“Të mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo”

 

Me një të ftohtë që i mungon vetëm bora, dita e sotme do të jetë e veçantë për besimtarët ortodoksë dhe katolikë. Është 25 Dhjetori, Dita e Krishtlindjeve, ditë kur ka lindur Krishti. Festa ndihet kudo në çdo qytet, në çdo cep dhe në çdo familje. Të shumtë ishin qytetarët të cilët shpejtonin ditën e djeshme për të blerë gjërat e fundit që u duhen për drekën e ditës së sotme.

Urimi i Kryepeshkopit Janullatos

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka uruar të gjithë shqiptarët për Krishtlindjet. Sipas Kryepeshkopit, çdo shqiptar duhet të shfaqë durim dhe qëndrim stoik. “Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në durimin e Krishtit! Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Të mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Sigurisht, kur flasim për durimin e krishterë, nuk nënkuptojmë përballje pasive, një lloj qëndrimi stoik, një formë nirvane, heqje dorë nga përgjegjësitë dhe kërkesat e drejta, indiferencë për aksion social”, – thuhet në mesazhin e tij. Sipas Janullatusit, durimi i krishterë nuk përbën dobësi karakteri. Përkundrazi, ngjason me fuqinë e frenave që mbron nga aksidentet, që garanton sigurinë e udhëtimit. “Me anë të durimit, njeriu përdor më mirë fuqitë e tij intelektuale dhe sentimentale. Durimi i bashkuar me këmbënguljen e paqtë, çel kalime në shumë rrugë pa krye: në marrëdhëniet familjare, në krizat e shëndetit, në vështirësi të ndryshme ekonomike, gjatë procesit të edukimit, në hulumtimin shkencor, në përpjekjet krijuese. E udhëheq njeriun drejt pjekurisë. Të gjitha sa nxirren në pah në këto ditë kremtuese, vëllezërit e mi, paqja, dashuria, shpresa dhe durimi që theksuam ditën e sotme, janë gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu siç ndërlidhen në trupin tonë organet jetësore, sistemi nervor, i qarkullimit të gjakut dhe ai muskulor. Secili ndërvaret, mbështet dhe fuqizon tjetrin. Pra durimi nuk është aspak i veçuar dhe autonom”. Ai ftoi të gjithë besimtarët t’i luten Zotit fort, në këto festa të Krishtlindjeve që të orientojë mendimet tona drejt kësaj forme durimi, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë edhe me zemrat tona. “Të na orientojë drejt “durimit të Krishtit” të paqtë, të fortë, rrezatues, të paepur. Dhe “dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë vitit të ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara”, – përfundon mesazhi i Kryepeshkopit Janullatos.

 

Historia e yllit të Betlehemit  

Sipas besimeve të vjetra, asgjë nga tryeza e Krishtlindjeve nuk duhet të hidhet në plehra, por duhet t’u jepet qenieve të tjera të gjalla. Besohet që këtë natë edhe ujku urtësohet, sepse ajo ishte rezervuar për përjetësinë e lindjes së Krishtit. Thuhet se në mesnatë, midis 24 dhe 25 dhjetorit, kafshët nisën të flisnin në mënyrë të mrekullueshme. Ata flisnin ndërmjet tyre dhe shkëmbenin sekrete të rëndësishme për qeniet njerëzore, në mënyrë të veçantë për padronët e tyre. Por mos shpresoni se do t’ju rrëfejnë gjatë. Legjenda thotë se mund të bien fatkeqësi mbi atë që nxjerr sekretin. Do ta rrethojë vdekja atë që tenton të flasë. I famshmi “Yll i Krishtlindjeve” ka shekuj që sjell gjëra tipike për Krishtlindje. Madje, thuhet se në të ardhmen do të japë dhuratë një djalkë. Sipas legjendës, më 25 dhjetor të një viti të caktuar, një fëmijë i vogël do të hyjë në kishë për t’iu afruar Jezusit në ditën e rilindjes së tij. Dhe shenja njohëse – i trishtuar dhe krenar fëmija, lëshon një lot nëpër faqe dhe nga një mrekulli lotët transformohen në një lule të bukur shumë rozë në të kuq.

Pikërisht, në Natën e Krishtlindjeve apo të Vitit të Ri, vajzat shprehin dëshirën që vitin e ardhshëm të martohen me shpresën se kjo dëshirë do të realizohet dhe askush nuk mendon për origjinën e vërtetë të këtyre besimeve, të horoskopit e të lojërave që luhen gjatë kësaj nate. Askush nuk mendon gjithashtu se tradita e ëmbëlsirave të kësaj feste të bëra me bajame apo me gështenja, ka të bëjë me besimin antik se një gjë e tillë favorizon vëllazërimin mes njerëzve dhe është simbol i pjellshmërisë së tokës. Ndërsa gështenjave u atribuohej një vlerë fekonduese. Në vende të ndryshme, festa e Krishtlindjeve shoqërohet me ëmbëlsirën tradicionale në formë keku e cila në përbërje të saj ka copëza rrushi në formë monedhash që mendohet se thërrasin pasurinë. Po kështu, thuhet edhe për thjerrëzat që gatuhen natën e Vitit të Ri, një lugë prej të cilave duhet ngrënë në orën 12 të natës.

Në traditën më të vjetër popullore, pjesa e poshtme e pemës së Krishtlindjeve ndizet (me drita) dhe qëndron e ndriçuar deri natën e Vitit të Ri dhe kjo tregon vlerën e zjarrit, imazhin e Diellit dhe konsumimin simbolik të trungut të pemës së vitit të vjetër me gjithë të këqijat që janë akumuluar në të. Sipas një tradite antike në disa vende aplikohet një ceremoni piktoreske me emrin e bukur “zjarrvënie”. Mbi trung hidhet verë e ëmbëlsira dhe ai digjet. Kjo simbolizon djegien e të këqijave dhe mëkatit.

Krishtlindjet në histori

Në Persinë antike, solstici i dimrit celebronte duke kënduar himnin që tregonte lindjen e botës. Në Aleksandri të Egjiptit ajo pati shprehjen më të plotë, para epokës kristiane, në festën e madhe të lindjes së Horusit. Statujat e perëndisë nënë Iside me vogëlushin në prehër ose duke i dhënë gji, silleshin në procesion natën fushave nën dritën e pishtarëve.
Në Romën pagane të njëjtën domethënie kishin festat e dimrit që celebroheshin dy ose tre shekuj para lindjes së Krishtit, të njohura me emrin Saturnali ose festat e Saturnit. Saturnalet romake kishin filluar më 19 dhjetor dhe zgjateshin deri më 25 dhjetor. Ishin festa gëzimi, ripërtëritjeje, shprese për të ardhmen dhe në këtë rast ribëheshin kontratat bujqësore. Në rrjedhën e pesëdhjetëvjeçarit të fundit para lindjes së Krishtit u fut në Rome kulti i Zotit Diell, mbase i përhapur nga trupat e rekrutuar në Siri dhe nga skllevërit orientalë. Në Romën antike perandorake, nga vitet 243 e 366 pas Krishtit, miq dhe kushërinj shkëmbenin urimet e para për të festuar “dies natalis” (ditën e lindjes së Krishtit) në një natë të ftohtë dimri.
Urimeve i shoqëroheshin shporta frutash, ëmbëlsirash dhe dhuratash të çfarëdo lloj tipi sepse lindja e Jezusit dhe përvjetori i ngjitjes në fron të perandorit bëheshin simboli i një begatie që duhet të kishte vazhduar për të gjithë vitin. Rreth 1800 ky rit gjeti personifikimin e tij në një plak të fortë me mjekër të bardhë, rezident në Polin e Veriut, që i ndihmuar nga “gnomi” (personazh përrallash) të shumtë, bënte lojëra për t i shpërndarë si dhurata në natën e Krishtlindjeve, me ndihmën e një slite të tërhequr nga drerë fluturues dhe duke kaluar nga oxhaqet e shtëpive.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency