Maskat sulmojnë kambistin, i marrin 70 milionë dhe i fusin dy plumba

0
192

Elton Qyno

kambistiXhemal Liçi bëri rezistencë, katër autorët u larguan me një makinë pa targa

Policia: Kemi rënë në gjurmët e autorëve të grabitjes, sekuestrohen edhe pamjet filmike

 

Një kambist nga qyteti i Elbasanit ka rënë në një pritë të organizuar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë një çantë brenda së cilës kishte 70 milionë lekë dhe më pas e kanë qëlluar dy herë me armë zjarri në trup. I dëmtuari quhet Xhemal Liçi, 50 vjeç, i cili në momentin kur ka ndodhur krimi i rëndë, ka dalë nga banesa për të shkuar në punë. Katër autorët kanë qenë në pritje të tij, i cili sapo ka kaluar pragun e derës, është sulmuar menjëherë nga dy prej tyre. Pas këtij sulmi, 50-vjeçari Xhemal Liçi ka reaguar duke shfaqur rezistencë ndaj agresorit, por në këtë moment sipas policisë së Elbasanit ka dalë nga një automjet pa targa një person tjetër, i cili e ka qëlluar dy herë me pistoletë 50-vjeçarin, duke e plagosur atë në këmbë dhe në shpatull. Teksa kambisti 50-vjeçar është rrëzuar në tokë, njëri nga autorët ka marrë çantën e mbushur me para dhe së bashku me tre bashkëpunëtorët e tjerë kanë hipur në automjetin pa targa, duke u larguar menjëherë nga vendi i krimit. Kambisti ka filluar të bërtasë dhe të kërkojë ndihmë, ndërkohë që kanë qenë familjarët e tij ata që kanë ndihmuar 50-vjeçarin, duke e transportuar me shpejtësi në spitalin rajonal të Elbasanit.

Ngjarja në Lagjen Kala  

Grabitja dhe plagosja me armë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku si çdo ditë kambisti Xhemal Liçi ka dalë nga banesa e tij për të shkuar në dyqanin e valutës. Teksa ka dalë nga banesa 50-vjeçari është drejtuar në makinën e tij, të cilën e kishte parkuar në një nga rrugicat e Lagjes Kala. Sapo ka hapur derën e makinës, dy persona që ndodheshin afër tij në rrugë e kanë sulmuar në befasi duke tentuar t’ia marrin çantën, brenda së cilës, sipas burimeve të policisë, kishte plot 70 milionë lekë. Në tentativë për t’ia marrë lekët, kambisti ka shfaqur rezistencë ndaj dy agresorëve, duke bërë që për disa sekonda grabitja të dështojë. Mirëpo teksa 50-vjeçari përleshej me dy prej personave, një i tretë ka dalë nga makina dhe e ka qëlluar atë me dy plumba në shpatull dhe në këmbë, duke e plagosur rëndë. Si pasojë e kësaj Xhemal Liçi është rrëzuar në tokë, ndërkohë që autorët kanë marrë 70 milionë lekë dhe janë larguar me shpejtësi nga Lagjja Kala, pa mundur të arrestohen në kohë nga policia e Elbasanit. Sipas kalimtarëve të rastit, autorët kishin përdorur një automjet pa targa dhe janë larguar me shpejtësi nga dalja e kalasë së qytetit, por pa u vënë re më tej në rrugët e Elbasanit. Burime pranë policisë së këtij qyteti thanë se i dëmtuari Xhemal Liçi njihet si kambisti më i vjetër i qytetit, pasi ushtron këtë aktivitet që në ditët e para të demokracisë në vend. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët konfirmojnë se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Liçi është përmendur vetëm mesditën e djeshme në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak, ku edhe bëri ndërhyrjen kirurgjikale. Pritet që gjatë ditës së sotme ai të dëshmojë para oficerëve të policisë, me qëllim dhënien e karakteristikave fizike të autorëve të krimit.

Autorët njihnin kambistin

Pas analizimit të provave të administruara në dosje, policia e Elbasanit ka dalë në konkluzionin se katër autorët kanë qenë në dijeni të aktivitetit të Xhemal Liçit dhe se ata ishin në dijeni të shumës financiare që ai mbante mëngjesin e djeshëm me vete. Pikërisht në bazë të këtyre informacioneve ata kanë planifikuar me detaje grabitjen, duke sjellë dhe zbatimin e saj në teren. Katër autorët kanë zgjedhur orët e para të mëngjesit për të bërë goditjen, për shkak edhe të mungesës së njerëzve në rrugët e kalasë dhe qytetit të Elbasanit. Pas hetimeve paraprake, policia shprehet se ka rënë në gjurmët e autorëve, ku dhe ka shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët pas dhënies së deklarimeve janë lënë sërish të lirë. Në pyetje janë marrë dhe disa banorë të zonës si dhe kalimtarë të rastit, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa pamje filmike, që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë të një biznesi afër zonës ku ndodhi grabitja dhe plagosja me armë e kambistit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia s’ka pasur asnjë person të arrestuar rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që kontrolle janë kryer në disa banesa të personave të dyshuar si autorë, por që nuk janë gjendur prova që i implikojnë ata në këtë ngjarje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency