Projektligji i qeverisë, hiqet tatimfitimi mbi punonjësit që marrin nën 300 mijë lekë

0
145

Ina Jano

qeveriaBerisha: Rama po përgatit skenarin e 2009-ës, referendumi për tri ligjet, zgjidhje për statusin
Kryeministri: Rama na akuzoi për vjedhje mandatesh, tani do të votojë “skemën e vjedhjes”

 

Kryeministri Berisha bëri dje të ditur se të gjithë punonjësit që paguhen nën 300 mijë lekë, nuk do të kenë më barrën e tatimfitimit. Duke iu drejtuar deputetëve të grupit kuvendor demokrat, lideri i qeverisë i njoftoi ata, por edhe të gjithë qytetarët se është duke u përgatitur një projektligj, i cili do të votohet në Parlament, me anë të të cilit synohet që jo vetëm të ketë më shumë para në xhepat e qytetarëve, por kjo do të jetë edhe një mbështetje për tregun e punës.“Në gjithë këtë kuadër, në kuadrin e rritjes së mëtejshme të rrogave, në kuadrin e përmirësimit të mëtejshëm të fleksibilitetit të tregut të punës, në kuadrin e mbështetjes së fuqishme të biznesit, së shpejti ju, të dashur deputetë, do të votoni në Parlament ligjin për heqjen e tatimfitimit mbi punonjësit, rrogëtarët që marrin nën 300 mijë lekë. Dhe kjo nuk është vetëm një 10 përqindësh rritje rroge, por është, njëkohësisht, dhe një mbështetje e madhe për sipërmarrjen, për tregun e punës. Ndaj dhe ky vendim synon shpërndarjen më të mirë të të ardhurave, përpjekjen më të madhe që ato të ardhura të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët”, – tha zoti Berisha. Ky i fundit u shpreh se në fakt qeveria do të vijojë me politikën e rritjes së rogave dh pensioneve, pavarësisht se opozita e kundërshton një gjë të tillë. ai pohoi se FMN gjithmonë luan një rol kryesor në vendimet që merren, por jo për atë të rritjes së rogave. “Unë kam kënaqësinë t’ju informoj juve sot se rroga mesatare në këtë vend, e cila ka qenë 240 mijë lekë të vjetra apo 24 mijë lekë të reja, sot është 570 mijë lekë të vjetra. Dhe, me gjithë respektin e madh që unë kam për Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe që e kam interlokutor të vazhdueshëm, konstant dhe që e respektoj, për hir të transparencës më duhet të them se në të gjitha rastet ka këshilluar të mos rriten rrogat. Po të dëgjoja variantin e mos rritjes së rrogave, rroga mesatare do të ishte sot, me ecje breshke, nga 240 mijë lekë në 260 mijë lekë. Ajo do të ishte larg aq sa është distanca midis 260 mijë lekë dhe 570 mijë lekë, por me guxim, me kurajë, me vendosmëri, ne kemi rritur rrogat e pensionet dhe kjo do të mbetet politikë konstante. Në administratën shtetërore, duhet të jemi realist, numri i punonjësve që marrin nën 300 mijë lekë është i kufizuar, por industria e fuqishme e fasonit merr me këtë rast një frymëmarrje të re të fuqishme. Ne kemi qenë dhe mbetemi të vendosur për gërshetimin e modeleve më liberale, me shpërndarjen më të ndershme dhe më njerëzore”, – shtoi kryetari i mazhorancës. Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në qershor, Kryeministri tha se janë duke u bërë disa skenarë, nga ana e kreut të PS-së. “I kam të dhënat se Rama po përgatit tërësisht skenarin e zgjedhjeve të 2009, madje në qoftë se ju keni pasur kureshtje ta ndiqni deklaroi se edhe ato të 2009 i kam fituar tha, po se do fitojë si në 2009 dhe shpalli sigurinë në këtë fitore në Asamblenë e tij. I gjetur para kësaj situate, kushtetua përcakton mekanizma të qarta që nuk lejon që kombi të merret peng nga askush dhe një nga këto është demokracia direkte. Skenari i tij është 2009, që të dëmtojë procesin e statusin, ne do bëjmë zgjedhje të standardeve të plota ndërkombëtare, por të standardeve të Ramës nuk i bëjmë kurrë ne, unë po bëj një debat dhe ky proces do të jetë shumë transparent, në rrjetin tonë social ne jemi shumë dhe do vazhdojë kjo dhe rezultatet e debatit do të diskutohen me ju dhe grupet e interesit, por një gjë është e sigurt se këtë vend peng askurrkush s’mund ta marrë”, – tha Berisha. Duke u ndalur në debatin për mandatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kryeministri pohoi se Rama ju rikthye të njëjtës praktikë të cilën ai vetë e kishte kontestuar, disa muaj më parë. “Dhe papritmas, pa asnjë lloj ndryshimi, pa asnjë fakt të ri, para tre ditësh deklarojnë se kërkojnë të votojnë variantin për të cilin nuk lanë fjalë, shpifje dhe trillim pa bërë. Natyrisht, nuk konsiderojnë se ka institucione, se ka ligje, se janë të detyruar të veprojnë sipas institucioneve, por absurdin e tyre mendojnë ta bëjnë ligj në këtë vend”, – theksoi Berisha. Gjatë takimit të përjavshëm me deputetët ai zbardhi edhe një pjesë nga diskutimi i tij me një personalitet ndërkombëtar, i cili i kishte vënë në dukej kreut të ekzekutivit jo vetëm bllokimin e ligjeve nga ana e Ramës, por edhe të njerëzve që qëndrojnë rreth tij. “Njëherë, një personalitet shumë i shquar më shtroi një pyetje: mirë që ai zotëri është kaq haptas antishqiptar për veprimet që bën me bllokimin dhe të gjitha këto, por ata që e rrethojnë si ka mundësi që e tolerojnë, si ka mundësi që ata pranojnë që t’i bëhet vendit të tyre nga një person kjo që bën ai? Çfarë të thosha…! Sepse nuk mund të lërë disa nga ata përfaqësuesit e tij, të cilët kanë vite që punojnë me problemin zgjedhor, që kanë dalë e u thanë shqiptarëve se po ju grabiten mandatet dhe tani u thonë kërkojmë atë projekt që grabiste mandatet. Nuk ka mjerim më ekstrem njerëzor, nuk ka fatkeqësi më të madhe sesa në një vend të lirë të zhvishesh nga çdo nanogram i dinjitetit njerëzor”, – zbuloi Berisha. Më tej ai u bëri ironi edhe për programin ekonomik të Ramës me taksën e famshme Koleka, por edhe me koalicionin dhe tryezën që kishte thirrur Rama, në takimin me aleatët. Ai vuri në dukje se në takim ishin prezent edhe disa parti komuniste, ndaj edhe lidhja me Enver Hoxhën është normale. “Pardje krahas Fiqiri Xibrit qëndronin dhe dy partitë komuniste, njëra e Nexhmies që përfaqësohej nga djali i saj dhe tjetra e Vitos, e përfaqësuar nga akrabaja e saj. Këto janë risitë e fundit në kampin e zotit Rama, në radhët e tyre”, – përfundoi Berisha.

 

 

Rama: Shqipërisë i mungojnë 3 pushtetet dhe jo ligjet

Kreu i opozitës, Rama, u shpreh ditën e djeshme lidhur me mungesën e tri ligjeve që nuk janë duke u votuar nga ana e opozitës. Ai tha se në vend nuk mungojnë tre ligjet që duhen miratuar, por vetëm tre pushtetet kryesore që funksionojnë në çdo shtet normal. “Shqipërisë nuk i mungojnë tri ligje për të hyrë në Evropë, por tri pushtete; pushteti legjislativ që është peng i ekzekutivit, ekzekutivi që është peng i korrupsionit dhe gjyqësori që është peng i korrupsionit dhe ekzekutivit”, – tha Rama.

 

Bogdani: Rama, i vetmi shqiptar që nuk do votonte për integrimin e Shqipërisë

Për deputetin demokrat, Gerti Bogdani, ideja e Kryeministrit Berisha për referendum, nuk ka qëllime elektorale, pasi nga kjo nuk do të përfitojë qeveria por do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të kenë avantazhet e tyre. Në një prononcim për gazetën “Standard”, ligjvënësi demokrat tha se në lidhje me hapat ligjorë dhe procedura që duhet ndjekur, sigurisht që duhen parë sesi do të ndiqen. “Procedura dhe hapat ligjorë duhen parë për referendumin . Në mënyrë absolute nuk besoj se është një gjë që ka të bëjë më zgjedhjet, pra elektorale,por është një gjë që ka të bëjë me qytetarët, socialistë, demokratë dhe pa parti”, – u shpreh Bogdani. Ai shtoi se nëse do të mbahet një referendum atëherë të gjithë qytetarët shqiptarë do të votonin pro tij, përveç kreut të selisë rozë, Edi Rama. “Bllokimi i tre ligjeve nuk bllokon qeverinë shqiptare, por bllokon Shqipërinë dhe bllokon rrugën e shqiptarëve drejt integrimit evropian dhe më pas të gjithë ato avantazhe që vijnë më marrjen e statusit kandidat. Besoj se qytetarët shqiptarë do japin përgjigjen e tyre në 23 qershor për bllokimin e opozitës, me votën e tyre dhe besoj se me referendum nuk do të ketë asnjë qytetar shqiptar, në total që të jetë kundra integrimit evropian. Ka vetëm një dhe është e sigurt që e ka emrin Edi Rama dhe është në krye të PS-së, por pjesa tjetër e shqiptarëve në mënyrë absolute nuk e duan bllokimin dhe integrimin e Shqipërisë”, – pohoi deputeti Bogdani. Vetëm një ditë më parë kreu i qeverisë, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook kërkoi mendimin e shqiptarëve në lidhje me realizimin e një referendumi, për votimin e tre ligjeve dhe integrimin e Shqipërisë.

 

 

Berisha dhe Topalli, takim me ministrin e Azerbajxhanit, thellim të marrëdhënieve dypalëshe

Kryeministri Sali Berisha u takua me Azad Rahimov, ministër i Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit. Ministri Rahimov u shpreh gjatë këtij takimi se ishte gati të nënshkruante Marrëveshjen e Përbashkët për Rininë dhe Sportet, që do t’i forconte akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve në këto fusha. Kreu i qeverisë i tha zotit Rahimov se Shqipëria synon të ngrejë në një nivel të lartë dhe të forcojë bashkëpunimin me Azerbajxhanin, jo vetëm në këto dy fusha të rëndësishme, por në çdo fushë e veçanërisht në atë ekonomike, ku të dy vendet, theksoi Kryeministri Berisha, i pret një e ardhme akoma më e mirë dhe më e sigurt. Ministri i Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit Azad Rahimov tha se në vizitën e tij po shoqërohej nga një grup biznesmenësh azerë, të cilët po shfaqnin interes të madh për investime në Shqipëri, nisur edhe nga taksat e ulëta që aplikohen këtu. Lideri i mazhorancës tha se Shqipëria është, në çdo fushë, joshëse për investitorët e huaj, por për ata nga Azerbajxhani veçanërisht në fushën energjetike dhe atë të turizmit. Në përfundim të takimit, Berisha i kërkoi Ministrit të Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit Azad Rahimov t’i përcillte Presidentit Alijev ftesën e tij për të vizituar Shqipërinë. Edhe zonja Topalli u takua me ministrin azerbajxhanas. “Vizita juaj zyrtare në Azerbajxhan, tha ai, ishte një vizitë historike, e para e një autoriteti të lartë shqiptar. Ishte një vizitë shumë e suksesshme dhe dua t’ju përcjell përshëndetjet nga të gjthë personalitet e larta që ju takuat”, – u shpreh ministri. Kryetarja e Kuvendit tha: “Takimet me Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit dhe me personalitet e larta të vendit tuaj, kanë qenë takime shume konkrete dhe jam shumë e angazhuar në rritjen e shkëmbimeve parlamentare mes Komisioneve dhe grupeve të deputetëve”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency