MPJ e Berisha përshëndesin vendimin e OKB-së për Nënë Terezën

0
114

terezaMinistria e Punëve të Jashtme përshëndeti miratimin nga Asambleja e OKB-së të rezolutës që shpall datën 5 shtator, dita kur u shua e lumnuara Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Me këtë vendim, vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë. Rezoluta bën thirrje që më 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm nga Shqipëria, rezoluta arriti të merrte bashkësponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të OKB-së. Ndërkaq, këtë vendim e përshëndeti edhe kreu i qeverisë, Berisha, i cili me anë të një postimi në Facebook, të shoqëruar edhe me foton ku ai ishte krah Nënë Terezës, tha se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për këtë shqiptare të madhe.“Sot është një ditë e madhe! OKB shpalli 5 shtatorin, ditën kur u nda nga Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për këtë shqiptare të madhe, e cila u shndërrua në ikonën mbarëbotërore të forcës së pakufishme të dashurisë dhe përkushtimit njerëzor më shumë se kushdo tjetër në shekullin që jetoi. Unë dhe çdo shqiptar jemi krenarë për vajzën, gruan, nënën që kombi ynë ia dha si dhuratën më të mirë njerëzimit. Pata fatin ta pres e ta takoja shumë herë. Në këto takime nuk flitej kurrë për politikë, por vetëm për të varfrit, të sëmurët dhe njerëzit në nevojë. Por, ky rregull “u thye” vetëm një herë dhe jo nga unë, por nga Nënë Tereza. Një ditë korriku të vitit 1995, motrat e saj në Tiranë, më kërkojnë që ta prisja atë ditë, nga ora 15:00 Nënë Terezën, e cila do të vinte direkt nga aeroporti në zyrën time. Natyrisht që e prita me kënaqësi. Erdhi më përqafoi shumë e gëzuar dhe më habiti kur më tha se vinte direkt nga Kalkuta për të më uruar mua dhe të gjithë shqiptarët për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. E pyeta nëse mund ta bëja publik këtë urim dhe nëse do të pranonte t’i jepja titullin “Nderi i Kombit”. U gëzova pa masë kur ajo ra dakord për të dyja”, – përfundon postimi i Berishës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency