BE: Zgjedhjet nuk janë kusht për statusin

0
116

Gëzim Saliu

fuleFule: Rekomandimet nuk lënë hapësirë për interpretime të ndryshme

 

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2013 nuk janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Brukseli zyrtar bëri të ditur dje qëndrimin e tij lidhur me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se tri ligjet janë të vetmet kushte për statusin e ndërsa zgjedhjet mbeten një faktor shumë i rëndësishëm për të treguar vullnetin e politikës shqiptare në kuadër të përmbushjes së reformave. “Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por, pa dyshim, zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por definitivisht kjo nuk është një kusht”, – deklaroi ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou Marcoullis, gjatë një konference për shtyp nga Brukseli.

 

Fule

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian u bëri thirrje palëve politike që të përqendrohen tek tri kushtet e mbetura, sepse, sipas tij, procesi i anëtarësimit bazohet në besueshmëri. “Ne aktualisht kemi një kohe të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, te cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme”, – u shpreh komisioneri Fule. 8 ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, u vendos që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat, pasi, sipas Brukselit zyrtar, ky hap mund të hidhet vetëm pasi të jenë përmbushur tri kriteret kyçe të vendosura në progres-raportin e muajit tetor, përkatësisht ligji i Gjykatës së Lartë, reforma parlamentare dhe statusi i nëpunësit civil. Ky ka qenë thelbi edhe i rezolutës së miratuar vetëm një ditë më pas nga përgjigjja e ministrave të Jashtëm nga ana e Parlamenti Evropian, ku eurodeputetët i bënë thirrje klasës politike shqiptare për t’u angazhuar në plotësimin e tri ligjeve. “Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të vazhdojë progresin në rrugën e integrimit evropian. Kushtet janë ende aty, prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian”, – theksohej në rezolutë. I njëjti mesazh u ripërsërit, dy ditë më parë, edhe numri dy i grupit politik të Socialistëve e Demokratëve në Parlamentin Evropian Libor Roucek, duke theksuar se vendi duhet të përmbushë detyrat e lëna nga BE-ja. “Unë nuk mendoj se dialogu politik është ndërprerë, sepse partitë kryesore politike, si ato në qeveri dhe në opozitë e dinë se sa i rëndësishëm është dialogu politik. Ata e dinë tashmë se sa i nevojshëm është bashkëpunimi mes tyre. Dhe Shqipëria duhet ta tregojë progresin që pret Bashkimi Evropian, prandaj është e nevojshme që partitë dhe grupet kryesore politike të punojnë së bashku. Vërtet që këto tre ligje nuk u votuan, por unë shpresoj e besoj se problemet do të zgjidhen dhe këto tre ligje do të kalojnë”, – u shpreh Roucek. Por pavarësisht dështimit të tretë radhazi, vendi ka ende kohë që të marrë statusin e kandidatit pa pritur tetorin. Presidenca irlandeze në BE bëri të ditur se në gjashtëmujorin e ardhshëm, nuk do lë pas procesin e zgjerimit me Ballkanit, gjë që jep dhe një shans të qartë për marrjen e statusit Shqipërinë, nëse aprovohen tre kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian.

 

 

 

Fieri mbetet në ngërç, dy mbledhje paralele të Këshillit të Qarkut

Çështja e Fierit, e cila mbetet kusht i socialistëve për të dhënë votën për tri ligjet e Brukselit në Parlament, duket se ka përçarë edhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak, të cilët dje janë bërë pjesë e dy mbledhjeve të ndryshme, pasi mazhoranca dhe opozita nuk kanë ende një marrëveshje që do ta zgjidhte këtë ngërç. Këshilltarët e majtë dhe të djathtë zhvilluan dy mbledhje të ndryshme dhe kjo për shkak të kryetarit të Këshillit të Qarkut, pasi të djathtët njohin Artur Shehun si kryetar, ndërsa të majtët pretendojnë se ka vendime gjykate që kanë shpallur Vangjel Ndrekon kryetar. Mbledhja paralele e këshilltarëve të majtë u zhvillua në sallën e bashkisë së qytetit, ku morën pjesë 53 këshilltarë, ndërsa në mbledhjen tjetër, që u zhvillua në një ambient privat ishin të pranishëm 49 këshilltarët e PD-së. Në përfundim të mbledhjeve, Vangjel Ndreko akuzoi Kryeministrin se po bllokon integrimin e vendit në BE, duke mos zbatuar vendimet e gjykatave. “Vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk zbatohen. 11 këshilltarë nuk lejohen te ushtrojnë mandatin e tyre”, – u shpreh Ndreko. Ndërkohë, nga ana tjetër, Artur Shehu pretendoi se nuk ka asnjë vendim të gjyqësorit që Ndreko të jetë kryetar i Qarkut. “Kemi kuorumin e nevojshëm prej 50 anëtareve të Këshillit të Qarkut”, – deklaroi Shehu.

Meta: Bllokimi i tri ligjeve, papërgjegjshmëri

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi dje bllokimin e tri ligjeve të Brukselit si një papërgjegjshmëri të klasës politike. Pjesëmarrës në aktivin e Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Elbasanit, Meta u shpreh se interesi më i madh që ka vendi dhe shoqëria sot është përshpejtimi i integrimit evropian. “Është votimi i dy ligjeve dhe i rregullores që presim prej kaq kohësh, sepse kjo do të thotë njëkohësisht një Shqipëri më tërheqëse për investimet e huaja, do të thotë projekte më të shumta të Bashkimit Evropian dhe vendeve të zhvilluara në Shqipëri. Do të thotë edhe më shumë shanse dhe mundësi për të realizuar konkretisht me vepra dhe jo më fjalë barazinë gjinore. Por një Shqipëri kandidate në BE do të thotë një Shqipëri që respektohet më shumë në Evropë dhe në botë. Do të thotë një Shqipëri që dëgjohet më shumë, do të thotë më shumë dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dhe sot hendeku i vërtetë që sjell edhe një ngërç në të gjithë shoqërinë tonë dhe orientimin e saj drejt së ardhmes ka të bëjë në fakt me botëkuptimin shumë demokratik të qytetarëve tanë të cilët në këto 22 vite kanë fituar një eksperiencë politike dhe kanë fituar një kulturë demokratike shumë të lartë në raport me konfliktet krejtësisht vulgare që ndodhin shpesh në sallën e Parlamentit ku duhet të zgjidhen problemet e qytetarëve shqiptarë. Nuk është populli shqiptar dhe qytetarët shqiptarë të papërgatitur për të përfituar statusin e vendit kandidat”, – theksoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency