Berisha: Heqje burokracive për biznesin

0
187

Ina Jano

berishaMënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kriza është të ndihmojmë biznesin. Liria ekonomike, në thelb të reformave të marra nga qeveria

 

Kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, premtoi dje për gjithë biznesin se qeveria do të vijojë të heqë të gjitha burokracitë që nuk i shërbejnë kësaj kategorie. Kryeministri në takimin me anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, u shpreh se mazhoranca do të vijojë që të ketë si prioritet madhor krijimin e një klime miqësore për biznesin. Shefi i kabinetit gjatë drekës së punës nënvizoi faktin se realisht edhe teknologjia ka ndihmuar shumë në rritjen e efektëshmërisë të të gjitha procedurave që qeveria ka zbatuar. Gjatë fjalës së tij, zoti Berisha bëri një panoramë të gjerë të të gjitha masave që ka ndërmarrë qeveria për t’i ardhur në ndihmë biznesit, duke theksuar se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kriza është që të ndihmohet kjo kategori. Duke iu referuar të dhënave ndërkombëtare, të cilat ishin tejet premtuese dhe pozitive, Berisha tha se Shqipëria i arriti të gjitha këto, jo për shkak të gjetjes dhe shfrytëzimit të rezervave të jashtëzakonshme të gazit, naftës a floririt, por i arriti duke u bazuar në parimin: mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kriza është të ndihmojmë biznesin. Ai tha se Shqipëria ka një prej barrëve fiskale më të ulëta, por edhe tregun e punës më të leverdishëm në Evropë. “Natyrisht, ajo nuk është Kina, por me barrën fiskale prej 23 për qind, Shqipëria është një nga vendet e lakmueshme në këtë aspekt”, – shtoi Kryeministri, duke pohuar se vendi ynë nuk ra në recension. Berisha përmendi dixhitalizimin e shërbimeve, por edhe vendosjen e një ligji diskriminues pozitiv sa u përket investitorëve të huaj. “Për të mbrojtur në pikën më të dobët të saj investitorët e huaj, Shqipëria ka vendosur një ligj diskriminues pozitiv, çka do të thotë se investitori i huaj, i cili e blen tokën mbi bazën e dokumenteve origjinale shtetërore, nuk mund të ketë më pengesa nga askush dhe për të gjitha është përgjegjëse dhe do përgjigjet qeveria. Ndërsa ia do të vazhdojë investimin e tij”, – njoftoi Kryeministri anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Sipas numrit një të qeverisë, liria ekonomike është shumë e rëndësishme dhe kjo është një praktikë që është ndjekur.

Pavarësisht të gjitha reformave të ndërmarra nga ekzekutivi, Berisha tha se natyrisht që ka nevojë edhe për përmirësime të mëtejshme. “Është e vërtetë se autoriteti tatimor ka arbitraritete, por është edhe e vërtetë se ka një sistem të shqyrtimit të ankesave. Çështja e prapaveprimit. Personalisht jam kundër, por në doktrinën e taksave nuk pranohet. Problemi i TVSH-së ekziston dhe ne po përpiqemi. Ne kemi vendosur parimin, e sanksionuar edhe në ligj, të kompensimit automatik”, – tha Kryeministri. Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Dhomës së Tregtisë që të kontribuojnë një si magnet thithës për investitorët e huaj, në mënyrë që të dyfishohen ose më shumë. “Edhe një herë ju bëj thirrje të fuqizoni këtë Dhomë Tregtie, në kuptimin e asaj që të shndërroheni në magnet. Ju më thatë 150 kompani amerikane dhe unë uroj që ato të zbarkojnë që javën që vjen në Shqipëri. E rëndësishme është të mos presim të zbarkojë suksesi, por ta ndërtojmë së bashku atë, me përpjekje të përbashkëta. Historitë e suksesit janë të shumta. Historitë e tjera duhet të ndërtohen dhe unë ju falënderoj shumë për vërejtjet që ngritët, vëmendjen që më kushtuat dhe për drekën e shijshme që shtruat për mua”, – përfundoi kreu i mazhorancës.

 

Berisha takon ambasadorin grek me rastin e përfundimit të detyrës

Kryeministri Berisha u takua dje me ambasadorin e Greqisë, Nicolas Pazios, me rastin e përfundimit të detyrës. Kreu i qeverisë e falënderoi ambasadorin për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit dypalësh, si dhe në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë dhe bashkëpunimit rajonal. I njëjti falënderim u bë edhe nga ambasadori grek, i cili falënderoi Kryeministrin për bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare gjatë kësaj periudhe, që ka përbërë një faktor të rëndësishëm në përmbushjen me sukses të misionit të tij në Tiranë. Berisha i theksoi ambasadorit Pazios se ndjek me interes zhvillimet dhe përpjekjet e rëndësishme të Greqisë për përballimin me sukses të sfidave si pasojë e krizës evropiane dhe botërore, për të cilën, Kryeministri uroi që të kapërcehen sa më shpejt, me sukses të plotë, pasi Greqia dhe Italia janë e mbeten dy partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë.

Kryeministri: Standardet liberale të aplikuara kanë rritur numrin e turistëve

Kryeministri Berisha u shpreh se ardhjet turistike në Shqipëri kanë njohur rritje të mëdha dhe kjo ka pasur efekte jashtëzakonisht të rëndësishme në ekonominë e vendit. “Është kjo rritje që shndërroi me shpejtësi të madhe turizmin nga një degë e parëndësishme në ekonomi, në një ndër degët më kryesore të saj”, – u shpreh Kryeministri Berisha, duke vlerësuar se një rol tepër të madh kanë luajtur edhe të gjitha standardet liberale që qeveria ka aplikuar për të nxitur këtë sektor. “Hoteleria në Shqipëri bazohet kryesisht në banesa, më shumë se në hotele. Ne e kemi parë këtë si një faktor për të luftuar varfërinë. Ne përdorim një standard liberal për sa i përket licencimit të agjencive. Nuk duhet të ndryshojmë standardin liberal, por duhet të përpunojmë kriteret, në mënyrë që të krijohen kushtet ligjore për një veprimtari sa më serioze. Hotelet në Shqipëri nuk janë të kuotuara qëllimisht, sepse nuk kemi dashur të shiteshin yjet dhe pastaj të kemi mospërputhje midis shërbimit dhe yjeve. Yjet duhet të vendosen gradualisht dhe klientela, mendoj unë, është autoriteti më i sigurt për të vendosur yjet në çdo hotel dhe restorant, më shumë se sa burokracia”, – u shpreh Kryeministri. Gjatë fjalës së tij në konferencën vjetore të Shoqatës Shqiptare të Turizmit, lideri i qeverisë nënvizoi se turizmi shqiptar është më shumë bregdetar sesa malor, ndaj e ardhmja e turizmit do të jetë ai malori. Shqipëria ka nder panoramat bregdetare, malore më mahnitëse në Mesdhe dhe më gjerë. “Nuk ka brigje që të kenë ujërat e Jonit dhe rërën e Adriatikut, siç kanë brigjet e bregdetit tonë. Natyrisht, turizmi i sotëm në tërësi është bregdetar. Ai malor do të jetë turizmi i së ardhmes. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për sipërfaqen e saj të turizmit malor. Me disa masa të reja që do të marrim, do bëjmë gjithçka që Shqipëria të ketë resorte turistike dimërore, më të mëdhatë në rajon. U detyrohemi shumë disa agjencive turistike në botë, të cilat listuan Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore të turizmit. Por promovimi ynë ka qenë shumë modest. Të angazhohemi për një promovim më të madh të potencialit të jashtëzakonshëm turistik të vendit”, – u shpreh kreu i mazhorancës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency