Kompania që ndërtoi rrugën e kombit: Të gatshëm të bashkëpunojmë për TAP-in

0
200

Ina Jano

Berisha: Mirëpres interesin dhe dëshirën e Bechtel-it për një tjetër histori të suksesshme, këtë herë rajonale

 

Kryeministri i vendit, Berisha, mirëpriti ditën e djeshme interesin e kompanisë Bechtel, e cila ka qenë edhe realizuesja e Rrugës së Kombit, për sa i përket projektit rajonal Trans-Adriatic Pippeline (TAP). Në takimin me zëvendëspresidentin dhe drejtorin e Përgjithshëm Steve Hawkins, ky i fundit, duke u nisur edhe nga suksesi i veprës së mëparshme, i konfirmoi Kryeministrit interesin për projektin madhor të TAP, nisur edhe nga rëndësia strategjike, nga pikëpamja gjeopolitike dhe ajo teknike që do të ketë ky projekt. Sipas burimeve të tjera mësohet: “Përfaqësuesit e kompanisë Bechtel, pasi i shprehën Kryeministrit simpatinë e kompanisë së tyre për dy segmentet e projektit madhor të Rrugës së Kombit Tiranë – Prishtinë, thanë se eksperienca e suksesshme e kësaj kompanie në Shqipëri e ka sjellë përsëri atë këtu për të bashkëpunuar në një projekt tjetër shumë të rëndësishëm, atë të gazsjellësit TAP. Kompania e konsideron shumë të rëndësishëm, si nga pikëpamja gjeopolitike, ashtu edhe nga pikëpamja teknike, këtë projekt madhor, i cili nuk mund të konceptohet pa bashkëpunime të gjera të kompanive ndërkombëtare të fushës”. Zoti Hawkins e vuri në dijeni numrin një të qeverisë në lidhje me të gjitha tratativat dhe bisedimet që kompania e tij Bechtel është duke zhvilluar me pjesëmarrëset e konsorciumit të projektit TAP, por edhe më përfaqësuesit e këtij grupi. Një nga arsyet pse kjo kompani është e interesuar të investojë në këtë projekt, janë standardet e larta teknologjike dhe eksperienca që kërkohet në këtë rast. Nga ana e tij Kryeministri mirëpriti dëshirën e kompanisë për tu bërë pjesë e një projekti kaq madhor evropian dhe tha se historia e suksesit që Bechtel ka pasur në vendin tonë dhe jo vetëm do të bëjë që kompania të ofrojë të gjithë asistencën e saj pozitive në këtë vepër. Gjithashtu kreu i mazhorancës i siguroi për standardet e bashkëpunimit të qeverisë edhe në këtë projekt, sipas ligjeve e rregullave ndërkombëtare dhe ato shqiptare. Por dita e djeshme për shefin e qeverisë ishte e ngjeshur me përfaqësues të ndryshëm të kompanive. Ai pati takime me drejtorin e Përgjithshëm të një prej kompanive kanadeze dhe një italiane që janë duke investuar në vend. Në takimin me përfaqësues të grupit investues e financiar kanadez Das Capital, presidenti Subotic tha se Shqipëria hyri në hartën e interesit të grupit të tij falë informacionit dhe eksperiencave të suksesshme të kompanive kanadeze në Shqipëri. “Reformat fiskale dhe administrative të ndërmarra në Shqipëri, – tha zoti Subotic, – e kanë bërë Shqipërinë interesante për kompaninë tonë”. Sipas zotit Subotic, fushat e interesit për investime në Shqipëri të kësaj kompanie janë turizmi, argëtimi dhe minierat. Ndërsa në takimin me grupin Scotta presidenti i saj tha se jehona e suksesit të investitorëve italianë në vend solli dhe kompaninë e tij në Shqipëri, me interes për të bashkëpunuar dhe realizuar projekte në fushën e shëndetësisë dhe ambientit. Kjo kompani ka interes si në prodhimin, ashtu edhe në instalimin dhe mirëmbajtjen e impianteve të teknologjive të ndryshme, të ngrohje-ftohjes, hidrosanitare, pneumatike etj. Kryeministri i falënderoi për interesin, vëmendjen dhe projektidetë konkrete, duke iu bërë një ekspoze të situatës ekonomike të vendit dhe të potencialeve të tij ndërsa ju prezantoi lehtësirat fiskale, taksat e ulëta, heqjen e një sërë tarifash dhe taksash, shërbimet One Stop Shop dhe kujdesin e vazhdueshëm të qeverisë ndaj investitorëve privatë, vendas e të huaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency