Islami: Me Ramën në krye nuk ka as fitore dhe as të ardhme për PS-në

0
117

Gëzim Saliu

Islami: Përshëndes votën e vetme socialiste pro prokurorit, ftoj Ramën të ndryshojë vendimin e grupit

“Partia e re e Ramës mund të përdoret në mënyrë të rrezikshme…”

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Shqipërisë, Kastriot Islami, duke përshëndetur dje deklaratën e deputetit socialist, Tom Doshi, në të cilën bëhej e ditur vota pro kandidaturës së Adriatik Llallës për kryeprokuror, i bëri thirrje kryesocialistit Rama për të ndryshuar vendimin e grupit parlamentar socialist. “Përshëndes votën e Tom Doshit pro kandidaturës së Adriatik Llallës për të votuar si mazhoranca qeverisëse, si unë, si Dule, si Oketa. Shpresoj që ajo do të ndiqet edhe nga deputetë të tjerë, është një moment tjetër për të vrarë frikën dhe terrorin që ekziston në grup. I bëj thirrje publike Edi Ramës as të mos e këshillojë privatisht, as të mos e penalizojë Tom Doshin dhe cilindo tjetër që kërkon të votojë sipas koshiencës së tij megjithëse kjo nuk ndodh, sepse përjashtimi im është një votë shumë e madhe që e pengon Ramën të bëjë përjashtime të tjera. I bëj gjithashtu thirrje publike Edi Ramës t’i propozojë grupit parlamentar ku secili deputet të jetë i lirë, pra të votojë sipas koshiencës së tij për kandidaturën e Adriatik Llallës dhe këtë propozim po ia bëj publik për të mos luajtur hileqarin e vogël që kur ta pyesin më vonë të përgjigjet se nuk kishte vendim strikt të grupit për të abstenuar dhe prandaj vota kundër nuk ishte thyerje e vendimit të grupit”, – shprehej Islami në një reagim për mediat.

Rama

Duke marrë shkas nga fakti se në këto ditë bëhet thuajse një vit nga përjashtimi i tij nga PS-ja, deputeti Islami theksoi se vendimi i marrë ndaj tij ishte selektiv dhe për inate personale të Ramës. “Vendimi i Ramës dhe i klientelës së tij agresive dhe pjesë tjetër amorfe për këtë përjashtim ishte selektiv pra vetëm dhe vetëm për Kastriot Islamin dhe kjo më krijon një ndjenjë sa keqardhjeje aq edhe krenarie. Vendimi i Ramës dhe i klientelës së tij agresive dhe pjesë tjetër amorfe ishte qesharak dhe me argument mediokër. Vendimi i Ramës dhe i klientelës së tij agresive dhe pjesë tjetër amorfe ishte disproporcional. Vendimi i Ramës dhe i klientelës së tij agresive dhe pjesë tjetër amorfe u krye në një mbledhje të mbyllur dhe pa media, ku klientela pranë tij ulërinte si në plenumet e Partisë së Punës dhe kolegët që kishin bashkëndarë 21 vjet bashkëjetesë përgjithësisht heshtën”, – theksoi Islami. Nga ana tjetër, deputeti i Kuvendit deklaroi se Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në antidemokratike dhe klienteliste. Sipas Islamit, qëndrimin e tij kritik ndaj kreut socialist e ndajnë heshturazi shumica e grupit parlamentar. Në fund të reagimit të tij, Islami pohoi se PS do ta ketë të pamundur fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke pasur në krye të saj Edi Ramën. “Jam shumë i lumtur, për shkak të paaftësisë suaj, ju keni dalë zbuluar dhe njëkohësisht ndiej keqardhje për socialistët e ndershëm që ndihen të pafuqishëm dhe janë të detyruar të pranojnë kalimin nga humbja në humbja të partisë së tyre tek e cila fatkeqësisht vazhdojnë të besojnë se mund të mposhtë kundërshtarin ndonëse çdo ditë e më shumë po ndërgjegjësohen se me Ramën në krye nuk ka as fitore as të ardhme të kësaj partie”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency