Dhënia e shtetësisë, shqiptarët dhe politika në Maqedoni mirëpresin propozimin e Berishës

0
146

“Shtetësi për të gjithë shqiptarët”, 300 aplikacione në Kosovë

Propozimi i Kryeministrit Berisha për pajisjen e shqiptarëve në mbarë botën me shtetësi të Shqipërisë është mirëpritur gjerësisht nga politikanët dhe qytetarët shqiptarë në Maqedoni. Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, duke nënvizuar se e ka shtetësinë shqiptare, pohoi se propozimi i kryeministrit i duket shumë i drejtë. “Është shumë mirë. Është e drejtë. Kryeministri shqiptar do t’i bindë dhe sigurisht ka arritur të ketë rezultat se secili shqiptar pavarësisht ku jeton a në Veles apo në Tuz, do që të ndihet si pjesë e kombit shqiptar. Kjo është një politike e drejtë”, – tha Thaçi. Po ashtu propozimin e Berishës e ka përshëndetur edhe Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit. Deputeti i kësaj partie, Izet Zeqiri, deklaroi se ky është një vendim drejt bashkimit të shqiptarëve në Evropën e Bashkuar. “Ne si RDK mendojmë se ky vendim për shtetësi për gjithë shqiptarët është vendim i vonuar, duke u nisur nga fakti se shqiptarët e meritojnë këtë sepse kanë dhënë një kontribut të madh në krijimin e shtetit shqiptarë dhe në zhvillimin e tij. Nënshtetësia shqiptare do të jetë një siguri shtesë edhe për shqiptarët e Maqedonisë pasi Shqipëria është një vend anëtare e NATO-s dhe ky vendim do të jetë edhe një kontribut për shqiptarët e bashkuar në Evropën e bashkuar”, – u shpreh ai. Ndërkohë, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, megjithëse nuk është prononcuar zyrtarisht, burime brenda kësaj partie kanë bërë të ditur se ideja e kryeministrit shqiptar ka hasur mbështetje të gjerë. Po ashtu propozimi për dhënien e shtetësisë shqiptare të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ka hasur në jehonë të madhe te shqiptarët e Maqedonisë. Shumë qytetarë kanë paralajmëruar aplikim për shtetësi shqiptare menjëherë pasi vendimi do të hyjë në fuqi, pasi sipas ligjeve aktuale në Maqedoni është e mundur që një qytetar të zotërojë shtetësi të dyfishtë.

Analistët

Sipas analistëve shqiptarë në Maqedoni, qeveria e Kryeministrit Berisha ka ndërmarrë një nismë mjaft të mirë, e cila do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe ndërfqinjësore. “Pa dyshim se vendimi i qeverisë së Sali Berishës për dyshtetësi është një lajm tepër i mirë për shqiptarët, kudo që janë, përfshirë edhe shqiptarët e Maqedonisë. Është veprim i duhur kombëtar, një befasi e këndshme, e cila do të ndikojë pozitivisht tek shqiptarët, por pse jo edhe në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe ndërfqinjësore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”, – u shpreh për “Lajm”, analisti Sefer Tahiri. Sipas tij, qeveria e Sali Berishës ka bërë një veprim shumë esencial, por kjo theksoi Tahiri, duhet të shoqërohet me mbështetjen e opozitës shqiptare në Shqipëri. Ndërkohë, analisti Semi Mehmeti u shpreh se ky vendim duhej të sillej edhe më herët. “Një vendim i tillë ishte dash të sillej që para shumë vitesh, megjithatë një fjalë e urtë popullore thotë ‘Më mirë vonë, sesa hiç’”, – u shpreh ai.

Aplikacionet

Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, rreth 300 aplikacione për shtetësi shqiptare i janë dorëzuar Ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin e Kosovës. Dorëzimi i tyre është bërë nga përfaqësuesit e Lëvizjes për Bashkim, të cilët më 28 nëntor në mënyrë simbolike, kishin shpërndarë pasaporta shqiptare. “Në rast se ligji do të futet në fuqi, ne shpresojmë se këta qytetarë të cilët kanë aplikuar për shtetësinë shqiptare, të jenë të parët që do të shpërblehen me pasaportat shqiptare”, – deklaroi sekretari organizativ i LB-së, Valon Murati. Në mbledhjen e qeverisë që u mbajt të martën në Vlorë, në shtëpinë ku patriotët shqiptarë hodhën idenë e bashkimit kombëtar, Kryeministri Sali Berisha kërkoi hartimin e një ligji për shtetësinë shqiptare si dhe mirëkuptimin e fqinjëve dhe ndërkombëtarëve. Sipas Kryeministrit, kjo nismë nuk është për përfitime elektorale, por një qëllim për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë. “Ftoj opozitën t’i votojmë këto tri ligje, si dëshmi jona të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe të bashkohemi me Evropën. Të mos bëhemi pengesë. Veçanërisht për ligjin për shtetësinë duhet të punojmë bashkë me opozitën. Ai do hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit”, – theksoi Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency