Masa Vrasja e faturinos 17-vjeçar, “Arrest me burg” për Sulejman Morinën

0
156

Gjykata e Tiranës ka lënë dje në “Arrest me burg” Sulejman Morinën, i akuzuar për vrasjen e 17-vjeçarit Julian Çuni, faturino në një nga furgonët e linjës Tiranë – Durrës dhe anasjelltas. Para gjykatës, i akuzuari Morina ka deklaruar se nuk e ka vrarë ai 17-vjeçarin, ndërsa provat e sjella para gjykatës prej prokurorit Etien Kapo i krijuan bindjen gjykatës se duhej të vazhdonte të qëndronte pas hekurave deri në hetimin e plotë të çështjes. Përfaqësuesi i akuzues parashtroi në seancë rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin mes dy vëllezërve Morina dhe djemve të tyre me faturinon për lekët e transportit nga stacioni i Trenit deri në Laprakë. Në furgon kanë qenë dy vëllezërit Morina me djemtë e tyre. Sipas akuzës, njëri nga pjesëtarët e familjes ka kërkuar në Laprakë për të blerë një flamur dhe faturino nuk ka pranuar duke kërkuar të paguajë për pjesën e rrugës nga stacioni i trenit deri në Laprakë. Më pas, të katër pjesëtarët kanë vendosur të zbresin nga furgoni dhe faturino u ka kërkuar paratë, duke nisur një përleshje mes tyre. Ndërkohë që, avokati i Morinës deklaroi para gjykatës se nuk ishte klienti i tij autori, duke kërkuar caktimin e masës burg me afat 15 ditë, me qëllim që edhe Sulejman Morina të bashkëpunonte për arrestimin e autorit. Në fund, prokurori Etien Kapo ka kërkuar që Sulejman Morina të qëndrojë në burg nën akuzën e “plagosjes me dashje me pasojë vdekjen”, duke argumentuar rrezikshmërinë që i pandehuri paraqet për shoqërinë. Gjyqtari Ibrahim Hoxha, pasi ka dëgjuar palët ka vendosur të lërë në burg Sulejman Morinën duke vlerësuar të ligjshëm ndalimin e tij.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency