Letra, eurosocialistët e degës Greqi protestojnë tek Rama: Veliaj po shkatërron FRESSH-in

0
122

FRESSH, dega Greqi: Erion Veliaj po e kthen Forumin Rinor në një “harem” për veten dhe miqtë

Nëpërmjet një letre të hapur, drejtuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetarit të Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, Kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë, kryetares së FRESSH-it Elisa Spiropali, dhe kryetares së Forumit të Gruas Olta Xhaçka, FRESSH, dega Greqi, ka shprehur shqetësimet e saj ndaj sekretarit për emigracionin dhe rininë në PS, Erion Veliaj. Duke e akuzuar atë se ka shkarkuar padrejtësisht kryetaren e FRESSH, dega Greqi, Borina Voko, eurosocialistët e kësaj dege i bën të ditur kryetarit Rama dhe kryesisë socialiste se Veliaj, sipas tyre, po e kthen Forumin Rinor në një “harem” për veten dhe miqtë e tij. “Dje, më datë 3.11.2012, sekretari i rinisë dhe emigracionit, z. Erion Veliaj, ka dërguar në e-mailin e FRESSH, Dega Greqi, shkarkimin e kryetares së FRESSH, dega Greqi, Borina Voko. Pikë së pari, aty përmendet se janë bërë një sërë shkeljesh disiplinore nga ana e kryetares Borina Voko, gjë që jo vetëm nuk është e vërtetë, por e kundërta, janë raportuar pikërisht nga ana e FRESSH, dega Greqi, në Sekretariatin e Rinisë dhe Emigracionit një sërë shkeljesh disiplinore dhe morale nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste, dega Greqi z. Artjan (Artur) Qirici. Së dyti, akuza për mosbindje të vazhdueshme ndaj kërkesave të kryetarit nuk qëndron aspak, pasi ai asnjëherë nuk është interesuar për mbarëvajtjen e punëve në FRESSH, përkundrazi e ka sabotuar atë dhe ka kërkuar vazhdimisht ta kthej Forumin Rinor në një “harem” për veten dhe miqtë e tij”, – shprehen në letrën e tyre anëtarët e FRESSH-it në degën e Greqisë. Më tej ata theksonin se pavarësisht përpjekjeve për të diskutuar vazhdimisht me Sekretariatin e Rinisë dhe Emigracionit për të gjitha shkeljet dhe problemet e shfaqura që nga krijimi i FRESSH Dega Greqi si Strukturë e Partisë Socialiste ne Greqi, përgjigja e këtij sekretariati sipas tyre, ka qenë mospërfillja dhe heshtja. “Dhe për sa i përket qëndrimit bllokues dhe përçarjes, në bankën e të akuzuarve duhet të uleni ju z. Veliaj dhe miku juaj A. Qirici, që mbas kaq e kaq raportimesh nga ana jonë, nuk ndijuat kurrë të merrnit mundimin për të zgjidhur problemet edhe pse ne ju jemi lutur zyrtarisht. Për të gjitha këto shpifje dhe akuza, nga ana juaj dhe mikut tuaj, z. Veliaj ne posedojmë prova materiale dhe dëshmitarë që vërtetojnë të kundërtën e atyre që thoni. Ne si kryesi, jemi gati të ballafaqohemi me ty z. Veliaj dhe mikun tuaj A. Qirici, publikisht (në kuptimin e mirëfilltë) pasi besojmë që Sekretariati i Emigracionit, si institucion, nuk është në dijeni të padrejtësive dhe fëlliqësirave të kryera mbi kurrizin tonë”, – përfundonte letra e dërguar nga FRESSH, dega Greqi. Kritikat dhe akuzat e djeshme ndaj sekretarit për emigracion dhe rininë në PS nuk janë të parat pasi vetëm pak kohë më parë edhe një sërë degësh të FRESSH-it në vend, sidomos ajo e Kavajës, i bën me dije kryetarit Rama dhe kreut të asamblesë Ruçi shqetësimet e tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency