Bruksel, Panariti takon Avramopulosin: Retorikat s’mund të mbajnë peng marrëdhëniet

0
132

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me homologun e tij grek Dimitris Avramopulos, ku u theksua vullneti i qeverisë shqiptare për të çuar përpara marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve. Në takimin e zhvilluar në kuadër të punimeve të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që mbahej dje në Bruksel, të dy ministrat, u shprehën gjithashtu se retorikat nacionaliste nuk mund të mbajnë peng marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive dhe popujve. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekura, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, bërë gjatë një interviste televizive mbi reagimet “naive, jashtë logjikës dhe aspak normale” të ministrit Avramopulos. “Zoti Panariti ka të drejtë të thotë se është jashtë logjikës dhe naive që të flasë ndokush për pretendime territoriale të Shqipërisë ndaj Greqisë”, – tha Delavekuras, që më tej është përpjekur ta kthejë topin në fushën shqiptare, çka e interpretuar sërish do të thotë se ministri i Jashtëm shqiptar i bën publikisht rekomandime Kryeministrit të vet, i cili, duke dëgjuar sirenat e nacionalizmit foli për troje shqiptare nga Preveza deri në Preshevë, pavarësisht që më pas i hodhi poshtë, theksoi Delavekuras, i pyetur mbi deklaratën e ministrit Panaritit. Në një intervistë të dhënë dy ditë më parë në “ABC News”, Panariti i bëri thirrje homologut të tij të mos bjerë pre e retorikës nacionaliste, e cila merr përparësi, në veçanti kur një shtet gjendet në situata të vështira, siç po ndodh me Greqinë. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare fjala bashkim nuk sjell asnjë të keqe për fqinjët, por apeli bëhet për të promovuar lëvizjen e lirë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency