Rama: Jo nacionalizmit, cenon bashkimin në Evropë dhe marrëdhëniet me fqinjët

0
136

Gëzim Saliu

Kreu i PS-së: Buxheti i 2013-ës rrënon vendin, ulja e borxhit, detyrim i pashmangshëm


Pas qëndrimit të shprehur nga Kryeministri Berisha në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë për çështjen e nacionalizimit, për herë të parë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, bën të ditur qëndrimin e tij dhe forcës që ai drejton lidhur me këtë çështje. Kryesocialisti u shpreh kundër deklaratave të Kryeministrit, edhe pse për to është sqaruar se u bënë në kontekstin historik të vitit jubile, duke theksuar se nacionalizmat cenojnë bashkimin e shqiptarëve. Rama nuk ngurroi të sulmonte Berishën për deklaratat e tij, duke i cilësuar ato si frymë negative në kuadër të bashkimit kombëtar në Evropë dhe si ndikuese në përkeqësimin e marrëdhënieve me fqinjët. “Të përmendësh Shqipërinë që u shtrika deri në Prevezë do të thotë që o je i papërgjegjshëm me fatet e vendit tënd ose të jesh qëllim keq ndaj tij. Sepse, një përçartje e tillë e cenon rëndë kauzën tonë kombëtare në sytë e të gjithë botës. Dhe cenon drejtpërdrejt gati si në mënyrë të qëllimshme bashkimin tonë kombëtar në truallin e Evropës së bashkuar. Jo në format e vjetra të imagjinatës dhe të praktikës, por në atë formë të imagjinatës që na imponon perspektiva evropiane, për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët e Maqedonisë, për shqiptarët e Preshevës dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në rajon. Shtigjet qorre të fantazmave të nacionalizmave folklorikë të së shkuarës, që jo vetëm nuk sjellin bashkim kombëtar, por e cenojnë drejtpërdrejt gati si me qëllim bashkimin kombëtar që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të jetë në asnjë formë të vetëm një bashkim i metodave të së shkuarës, por duhet dhe do të jetë në formën e perspektivës evropiane të të gjithëve bashkë”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, kreu socialist nënvizoi se Partia Socialiste e ka gati strategjinë për bashkimin kombëtar, duke theksuar se bashkimi i shqiptarëve do të jetë nën flamurin e BE-së, ku kufijtë humbasin kuptimin e tyre. “Si sot një vit do të jemi ulur me qeverinë e Kosovës për sistemin e unifikuar arsimor, për sigurinë energjetike të shqiptarëve në rajon, për ofertën turistike shqiptare pa kufij, për planin mbarëkombëtar të zhvillimit bujqësor në funksion të sovranitetit ushqimor të shqiptarëve, kjo është rruga e bashkimit kombëtar nën flamurin e Evropës së bashkuar”, – u shpreh ai.

 

Buxheti i 2013-ës

Duke folur gjatë në mbledhjen e hapur të grupit parlamentar socialist, të zhvilluar në katin e parë të selisë rozë, kryesocialisti Rama e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2013 si rrënues për ekonominë e vendit. “Qeveria ka sjellë në këto nivele alarmante borxhin. Kjo qeveri po e lë më keq familjen shqiptare. Rritja e fuqisë blerëse është angazhimi jonë parësor. Kjo qeveri po e lë më keq që se e gjeti borxhin publik. Shumë shqiptarë thonë në fund të fundit qeveria merr borxh, shteti lan borxhin dhe borxhi mbetet diskutim abstrakt. Jo nuk është shteti që lan borxhet, por është çdo familje shqiptare që qeveria i heq sot 800 mijë lekë në vit për të paguar borxhet që i merr Saliu për ethet e karriges së vet”, – deklaroi Rama. Më tej, kryesocialisti tha se nevojiten politika të reja fiskale për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare, duke theksuar se heqja e taksës për biznesin e vogël duhet të përfshihet në buxhetin e vitit 2013. “Ne jemi zotuar që ta rishikojmë skemën e ndihmës ekonomike dhe luftën me varfërinë do e bëjmë në një front të gjerë. Kjo qeveri po e lë më keq se ç’e gjeti nivelin e papunësisë, që e ka kapërcyer 1 milion”, – tha ai. Po ashtu, në këtë mbledhje, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, bëri një përmbledhje të buxhetit të parashikuar nga qeveria për vitin 2013, ku theksoi se qeveria nuk mbajti premtimin për borxhin publik, duke e çuar atë deri në 62.2%. “Qeveria u zotua para 5 vjetësh se do ulte nivelin e borxhit në 50%. Ai jo vetëm nuk e bëri këtë, por e rriti në 1.7% çdo vit, duke e çuar në 62.6%”, – theksoi deputetja socialiste Mimi Kodheli.

 

Festimet e 100-vjetorit, Lame: U shkel rëndë protokolli

Partia Socialiste akuzoi qeverinë shqiptare se në festimet për 100-vjetorin e pavarësisë, shkeli protokollin e shtetit. Artan Lame, i ftuar në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, i cilësoi këto festime si dashakeqëse dhe me synim përçarje krahinore dhe ideologjike. “Marrëzi protokollare. Të gjithë pamë shqiponjën tonë të përçudnuar dhe simbolin e shtetit të prishur, për dreka të programuara që nuk hëngrën dhe për ato të paprogramuara që u hëngrën, ende nuk dihet kush ishte i ftuar kush jo”, – tha ai. Më tej duke komentuar aktivitet e organizuara nga mazhoranca qeverisëse dhe Presidenca për këtë vit jubile, Lame ka akuzuar ekzekutivin për zhvendosje të festimeve në Tiranë. “Sa i takon dashurisë së papritur me Mbretin Zog. Mbreti nuk pati kurajën të shkonte në Tiranë për festime, edhe Berisha ndoqi të njëjtën rrugë. Donte të zhvendoste në Tiranë festimet. Pritja e madhe do ishte ceremonia me solemne. Imagjinoni që Zogu t’ia kishte lënë dikujt tjetër fjalën hapëse po Mbreti gjeti kurajo të mos e bënte. Nishani ia la fjalën Berishës, duke ua lënë shqiptarëve turpin në derë”, – u shpreh Artan Lame.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency