Sqarimi i Kryeministrisë: Deklarata e Berishës për Prevezën i referohej kontekstit historik

0
107

Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha e pyetur për deklaratën e bërë nga Kryeministri Berisha dy ditë më parë, në Vlorë, në të cilën u citua Preveza, theksoi se deklarata e tij i referohej kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe se në të nuk shprehej asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të jugut, veriut apo lindjes. Dy ditë më parë, pas mbërritjes në Vlorë, në një fjalim të shkurtër, Kryeministri Berisha, pasi përshëndeti popullin vlonjat theksoi: “Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të vitit 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-vjetorin!”. Kjo deklaratë e Kryeministrit Sali Berisha u bë shkak që Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos të anulonte në momentin e fundit vizitën e tij në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Ministri Avramopulos nëpërmjet një njoftimi për shtyp pohoi: “Deklarata si këto nuk kontribuojnë në krijimin e një klime miqësia, besimi dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për zhvillimin e nismave të përbashkëta në fusha me interes të përbashkët, si në sektorin politik, ekonomik dhe energji”. Por me reagimin e djeshëm, Kryeministri bëri të ditur se deklaratat e kreut të qeverisë ishin në kuadrin historik dhe se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes. Po ashtu edhe PDIU ka reaguar për vendimin e Ministrit grek për të anuluar pjesëmarrjen në festimet e 1 shekulli pavarësi të Shqipërisë. Në një deklaratë PDIU, i bën thirrje qeverisë greke, t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, e cila është e vetmja çështje që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke. “Për aq sa qeveria greke tenton të mbuloj diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim. Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe! Ministri i Jashtëm grek në vend të tentojë të shtrembërojë historinë, duke krijuar incidente false, duhet të kontribuojë që të gjendet rruga e përbashkët e zgjidhjes së çështjes çame”, – shprehej PDIU.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency