100-vjetori bashkon politikën, Rama dhe Berisha takohen në Vlorë

0
176

Rama: Do ishte anormale të mos ia jepja dorën Berishës në këtë 100-vjetor

Përvjetori jubile i Shqipërisë duket se ka ndikuar edhe tek klasa politike shqiptare, e cila dje pavarësisht dallimeve në festime, është bashkuar në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Në vendin ku u ngrit flamuri dhe njëkohësisht u nderuan etërit e pavarësisë së Shqipërisë, ishin të pranishëm në një rresht të madh së bashku, Presidenti i vendit Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, Kryeministri Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kryetari i grupit parlamentar të selisë rozë Gramoz Ruçi dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në këtë ceremoni, nuk ka munguar as takimi mes kreut të mazhorancës Berisha dhe kryesocialistit Rama, ku pas mbërritjes së tij, Kryeministri takoi të gjithë të pranishmit, duke i dhënë dorën njëkohësisht edhe liderit të opozitës.

 

Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka cilësuar si një gjest normal shtrëngimin e duarve me Kryeministrin Berisha në sheshin e flamurit. “Pyetja ishte retorike dhe unë besoj se nuk kishte asgjë për t’u shënuar, ajo çka përbën lajm nuk është ajo çka thotë protokolli. Besoj se do ishte anormale e kundërta në hapësirën ku të gjithë u vumë në rreth për të nderuar etërit themelues dhe babain e pavarësisë”, – u shpreh Rama në një prononcim për “News 24”. Po ashtu, kreu socialist komentoi përfundimin e ceremonisë zyrtare dhe vijimin e festës në sheshin Ismail Qemali. “Është një moment për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën më të lartë kreut të Bashkisë së Vlorës, që me pengesa dhe mungesa të mëdha kapërceu këtë sfidë të jashtëzakonshme. Gjithashtu falënderoj qytetarët e Vlorës, që dhanë një nismë solidariteti me bashkinë, për të hapur dyert për mijëra qytetarë të ardhur, që janë gdhirë në Vlorë falë mikpritjes së tyre. Ishte e pritshme jo vetëm nga Kosova, por edhe nga treva të tjera. Askush nuk mendonte se 100-vjetori do të ishte i tillë dhe Shqipëria e bashkuar në Vlorë”, – deklaroi ai për “TCH”. Nga ana tjetër, kreu socialist ka kritikuar mazhorancën qeverisëse për festimet e 100–vjetorit të pavarësisë në Tiranë. “Nesër është dita e çlirimit, do jemi në Tiranë, ndërkohë që sot pas drekës zyrtare kemi një aktivitet përmbyllës për nismën tonë ‘online’. Nuk e kam parë festën e Tiranës. Që të kishte festë qytetare kjo ishte normale, por më duket krejt anormale që zhvendosi nderin në Tiranë”, – tha Rama. Gjithashtu, kreu socialist është përgjigjur edhe lidhur me batutat e zhvilluar në distancë me Kryeministrin lidhur me ngjyrën e kollares së tij, duke bërë të ditur se cila ishte simbolika e lules në ngjyrë blu të errët vendosur në xhaketë. “Është ngjyrë vjollcë, një përzierje e së kuqes, ngjyra e flamurit tonë, me ngjyrën e flamurit të BE-së dhe është njëkohësisht ëndrra e rinisë shqiptare”, – pohoi Rama. Por pavarësisht bashkimit në Sheshin e Flamurit, klasa politike ka vazhduar më tej festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit e ndarë. Kryesocialisti dhe deputetët e majtë vazhduan festimet e tyre në Vlorë, me hapjen e ekspozitës me flamuj shqiptarë dhe më pas më darkën e organizuar me këtë rast, ndërkohë që Kryeministri i vendit ka ardhur pas mesditës në Tiranë, ku mori pjesë në aktivitetet dhe ceremonitë e organizuara nga ekzekutivi dhe qeverisja për këtë ditë me rëndësi historike për vendin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency