100-vjetori, Berisha: Nderim shqiptarëve, jeni zotër të kësaj toke

0
173

Gëzim Saliu

“Zoti e bekoftë flamurin e shqiptarëve, flamurin e Skënderbeut”

Parada e Forcave të Armatosura, Thaçi: Ushtarë, mbajeni lart krenarinë e vendit dhe flamurit


Në ditën e 100-vjetorit të pavarësisë, Kryeministri i vendit Sali Berisha vlerësoi lart figurën e shqiptarit duke shprehur njëkohësisht mirënjohje dhe nderim për heronjtë e vendit. Duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë, shefi i qeverisë theksoi se çdo shqiptar është sot zot i kësaj toke. “Sot në ditën e 100-vjetorit të lindjes së Shqipërisë së pavarur, unë dua të nderoj qytetarin e thjeshtë shqiptar. Sot, në këtë ditë ti je Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Adem Jashari, je zot i kësaj toke. Kjo është dita jote shqiptar dhe shqiptare e thjeshtë, sepse ti dhe ne kohërat më të vështira u përballe dhe në luftërat e pabarabarta dhe e ngrite Shqipërinë e rrëzuar përdhe. Ju me mundin djersën gjakun tuaj, ndërtuat me thonj, muskuj, qelizë, fabrika, uzina, hidrocentrale, ullishte vreshta dhe bëtë që vendi juaj të ngrihet si feniksi mbi mjerimin e tij”, – u shpreh Berisha në përshëndetjen e tij para mijërave shqiptarëve në paradën e 100-vjetorit të pavarësisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Më tej, kreu i qeverisë nënvizoi se në ditën e 100-vjetorit të vendit, nderimi i parë i takon flamurit të shqiptarëve dhe burrit të shquar të kombit shqiptar, Ismail Qemal Vlorës. “Shqiptare dhe shqiptarë të 100-vjetorit të pavarësisë, ne së bashku kemi nderuar, kemi valëvitur më shumë se kurrë flamurin tonë kombëtar, sepse atij i takon nderimi më i parë. Zoti e bekoftë flamurin e shqiptarëve, flamurin e Skënderbeut. Ne së bashku kemi nderuar të rënët tanë, kryengritjet e mëdha të pavarësisë. Ne kënduam këngë dhe himne, i përjetuam në rrugë e sheshe, buste e shtatore në të katër anët e vendit. Nder përjetë Ismail Qemal Vlorës, burrit të shquar të kombit shqiptar”, – theksoi Berisha.

Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke vlerësuar lart rëndësinë e ditës së 100-vjetorit, duke nënvizuar se ndjehet i gëzuar që po feston në Shqipëri. “Gëzuar festën e pavarësisë së Shqipërisë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, festën e flamurit kombëtar, 100-vjetorin e pavarësisë. Jam i nderuar të festoj me ju 100 vjet pavarësi të Shqipërisë, aq sa jam i nderuar aq ndihem krenar për aq sa kemi arritur deri më sot”, – tha ai. Po ashtu, Kryeministri i Kosovës, nuk nguroi ti bëjë thirrje forcave ushtarake që të mbajnë lart krenarinë e kombit shqiptar. “Mbajeni lart krenarinë e kombit tonë, flamurin tonë, ju jeni krenaria dhe siguria e kombit tonë. Sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka forcën e saj të sigurisë, forcën solemne, forcën që është e gatshme të paraqesë paqen kudo në botë. Secili nga ne të ndjehet krenar që Shqipëria të jetë anëtare e NATO-s. Po ashtu shteti i Kosovës do jetë pjesë e NATO-s dhe BE. Dhe së bashku do jemi në NATO dhe BE të bashkuar”, – theksoi Thaçi.

Parada

100 vitet e pavarësisë së vendit u kremtuan në Tiranë me paradën ushtarake të Forcave tona të Armatosura. Kuadratet e forcave ushtarake parakaluan në qendër të Tiranës përpara krerëve të shtetit shqiptar, të shtetit kosovar, diplomatëve të huaj, miqve të ftuar nga anembanë botës për këtë rast të shënuar. Kuadrati i parë ishte i veteraneve, i cili ndiqej nga dhjetëra kuadrate të tjerë të disiplinave të ndryshme. Parada zgjati për rreth një orë e 30 minuta dhe u shoqërua edhe nga ovacione të mijëra qytetarëve të pranishëm. Në fund të paradës, qielli i Tiranës u ndriçua për minuta të tëra nga fishekzjarret shumëngjyrëshe që shtuan edhe më shumë entuziazmin e mijërave të pranishëm në sheshin “Skënderbej”.

 

Dreka e pavarësisë, Berisha: Mirënjohje ndaj kombeve që mbështetën Shqipërinë

Në nder të personaliteteve të mëdha të huaja dhe shqiptare me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, Kryeministri i vendit Berisha shtroi dje një drekë në ambientet e hotelit “Sheraton”. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë falënderoi miqtë e ftuar për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në momentet më të vështira. “Është nder i madh t’ju përshëndes në këtë ditë të veçantë për kombin shqiptar dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj jush që na keni nderuar kaq shumë me ardhjen tuaj. Sot ne festojmë 100-vjetorin e pavarësisë, e cila ka qenë një ndër lindjet më të vështira të kontinentit. Lindja e shteti shqiptar të pavarur ishte një nga lindjet më të vështira. 100 vjet më parë ku Ismail Qemali dhe burra të tjerë të shquar të kombit shpallën pavarësinë e Shqipërisë, kombi u përball me aleanca që synon copëtimin përfundimtar të trojeve të tij. Më pas u përball me luftëra dhe një ndër diktaturat më të egra. Historia 100-vjeçare e shqiptarëve në një mënyrë apo në një tjetër riprodhon historinë e tyre mijëravjeçare. Por, kombi im ka patur mbështetjen e shteteve tuaja” u shpreh Berisha. Më tej, ai ka evidentuar edhe njëherë kalvarin e përpjekjeve dhe mbijetesës në të cilin ka kaluar vendi, duke e krahasuar atë dhe me Feniksin. “Kushdo që vështron në këtë histori gjen një ngjashmëri të madhe me Feniksin. Në kohëra të shkuara kombi shpeshherë është gjetur para alternativës të jetë apo mos të jetë dhe ndoshta të shumtë kanë menduar se s`mund të jetë më tutje, por ai është ngritur si Feniksi mbi hirin e tij dhe ka mbijetuar. Por këtë shekull të vështirë kombi im në të gjitha momentet ka pasur mbështetjen e kombeve tuaja. Kjo është e vërtetë në përpjekjet e tij për tu çliruar nga pushtimet. Është e vërtetë në përpjekjet për të dalë nga diktatura, kjo është e vërtetë për të ndërtuar lirinë, vlerat e saj dhe sistemin demokratik, kjo është e vërtetë për t’u çliruar nga të tjerët në trojet e tij etnike. Kështu ne mblidhemi sot me miq të vërtetë që kanë kontribuar kaq shumë në lirinë e vendit tim. Kanë mbështetur aspiratat për liri dhe integrim, ka qenë e një rëndësi të madhe për anëtarësimin në NATO, çlirimin e Kosovës, integrimin evropian. 22 vjet më parë kombi shqiptar jetonte në një mjerim të paimagjinueshëm për Evropën. Sot ai renditet në kombet me të ardhura të mesme ndër kombet e tjera, në çdo vite janë mundi, djersa, paratë e taksapaguesve tuaj miq, është ndihma bujare e SHBA, e vendeve të mëdha të BE dhe vendeve të tjera mike nga mbarë bota”, – u shpreh Berisha. Si mikpritës i kësaj feste, Kryeministri ngriti një dolli për nder të miqësisë së shteteve të huaja me Shqipërinë. “Ngre këtë shëndet për ju për një miqësi dhe bashkëpunim me kombin tim”, – tha kreu i ekzekutivit.

Viti jubile, Berisha, Orbanit: Në tokën hungareze u mor vendimi për pavarësinë

Në ditën festive të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit, kanë marrë pjesë edhe drejtues të shteteve fqinje dhe mike të Shqipërisë, ku ndër to ishte edhe Kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe ai i Kroacisë, Zoran Millanoviç. Në takimin e zhvilluar me Orban, Berisha ka përshëndetur miqësinë mes vendeve dhe ka siguruar bashkëpunimin në të ardhmen. Po ashtu, Kryeministri kujtoi se pikërisht në tokën hungareze u mor vendimi për Pavarësinë e vendit. “Në tokën hungareze, 100 vjet më parë u mor vendimi ndërkombëtar për pavarësinë e Shqipërisë. Më vonë, mbreti ynë, Zogu i Parë, pati fatin e madh që të ketë për bashkëshorte dhe shqiptarët për mbretëreshë, Geraldinë”, – u shpreh Berisha. Nga ana e tij, Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vuri në dukje miqësinë historike mes dy popujve. “Jam shumë krenar që erdha në këtë ditë të shënuar. Kam ardhur t’ju jap urimet më të mira të shtetit hungarez. Ne kemi miqësi të mirë, e cila, ka kohë që ka nisur dhe është shumë e thellë. Kjo ka nisur me një vuajtje të përbashkët, ku historia dhe forca pushtuese nuk na jepnin pavarësinë. Por tashmë ne nuk duhet të mendojmë për kohën që ka shkuar por për të ardhmen. Në takimin që pata me Kryeministrin diskutuam për të ardhmen e përbashkët”, – u shpreh kreu i qeverisë hungareze. Edhe në takimin me Kryeministrin e Kroacisë u vu theksi në bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe aspiratat e përbashkëta në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverise e vlerësoi vizitën e Kryeministrit kroat, si një kontribut tjetër të rëndësishëm dhe një sinjal të qartë të marrëdhënieve të shkëlqyera, miqësisë tradicionale, vullnetit të palëkundur të dy qeverive dhe popujve për të zgjeruar e forcuar edhe më tej, marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve e qeverive. Ndërsa Kryeministri kroat Milanoviç e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe pritjen e ngrohtë e miqësore dhe u shpreh se ndihej thellësisht i lumtur që ndodhej në Shqipëri në këtë ditë të shënuar për historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, mik të kombit kroat. Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, vullneti i palëkundur për t’i zgjeruar dhe thelluar ato, miqësinë tradicionale mes dy popujve, si dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve e kombeve tona. Po ashtu, Kryeministri kroat i rikonfirmoi Berishës vendosmërinë dhe angazhimin e plotë, të tij personalisht dhe të qeverisë kroate, të Kroacisë për të vijuar mbështetjen e fuqishme ndaj Shqipërisë në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE.

 

Berisha nderon dëshmorët, homazhe tek “Nëna Shqipëri”

Në përkujtim të veprës dhe të sakrificës së tyre për liri dhe dinjitet kombëtar, Kryeministri Berisha nderoi dje në vitin e 100-të të shpalljes së pavarësisë së vendit, kujtimin e dëshmorëve të rënë për liri, duke zhvilluar homazhe dhe vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, prefekti i Tiranës Keltis Kruja, familjarë të dëshmorëve, personalitete botërore të ftuar me rastin e 100-vjetorit pavarësisë, qytetarë të Tiranës etj. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se,: “Kjo ditë i përket flamurit kombëtar dhe të rënëve të kombit që prehen shpirtrat e tyre në këtë altar të përjetshëm, u përket familjeve të tyre. Sakrifica, flijimi i tyre qëndron në themel të lirisë, pavarësisë, përjetësisë së kombit shqiptar. Lavdi të rënëve të kombit tonë, nder përjetë familjeve të të rënëve të kombit shqiptar!”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency