Kryeparlamentarja nderon figurën e Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në Shkodër

0
161

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosi kurora me lule në shtatoret e patriotëve Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini në Shkodër, në shenjë nderimi e mirënjohje për kontributin e pazëvendësueshëm në shpalljen e Pavarësisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për patriotët që kontribuuan në shpalljen e pavarësisë së vendit vendosi dje në Shkodër kurora me lule në monumentet e Luigj Gurakuqit, viganit liberator, projektuesit të Shqipërisë evropiane, firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër e deputet dhe të Isa Boletinit, atdhetarit të shquar, organizator e udhëheqës i lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar. Pas nderimit përpara monumentit të Luigj Gurakuqit, Kryetarja e Kuvendit tha: “Luigj Gurakuqi ishte një vigan liberator. Ishte projektuesi autentik i projektit evropian për Shqipërinë. Ishte firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Ishte mbështetësi dhe pjesëmarrësi kryesor i kryengritjeve të 1912-ës. Ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Ishte modeli i shqiptarit të madh, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit. Modeli i njeriut me moral, që e deshi këtë vend pa kushte duke i kushtuar edhe momentet e fundit të jetës së tij. Është një nga figurat më të larta jo vetëm të Shkodrës, jo vetëm të Shqipërisë, por gjithë kombit shqiptar. Në këtë 100-vjetor të pavarësisë është detyra jonë të nderojmë këtë burrë vigan dhe njëkohësisht të reflektojmë për atë që kanë qenë 100 vite më parë dhe në këtë mënyrë të projektojmë 100 vitet e ardhshme. Kryetarja e Kuvendit, pas vendosjes së kurorës me lule në shenjë nderimi në monumentin e Isa Boletinit vlerësoi figurën e tij legjendare, duke u shprehur: “Isa Boletini ishte një ndër luftëtarët për çlirim kombëtar ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Është figurë legjendare epike e jashtëzakonshme. Deputeti britanik Aubrey Herbert, një ndër diplomatët më të shquar të asaj periudhe, e quante Isa Boletinin Robin Hudin e shqiptarëve. Pa luftën, kryengritjet, pa shpirtin e tij të madh dhe besimin e flaktë për bashkimin kombëtar, pa Isa Boletinin do ishte e pamundur që ne të arrinim te 28 Nëntori në Vlorë, te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, te ngritja e flamurit. Ndaj edhe sot i paguajmë tribut këtij heroi luftëtar legjendar, këtij udhëheqësi të jashtëzakonshëm shqiptar që shkriu çdo gjë: jetën, familjen, gjithçka që kishte, për këtë flamur para të cilit përulemi me nderim dhe që është flamuri më i bukur në botë”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency