Topalli: Askush nuk përfiton nga mosvotimi i ligjeve të integrimit

0
151

Florenc Drizari

Jozefina Topalli u takua dje me mbi 200 nxënës dhe studentë, të cilët në këtë përvjetor historik vizituan parlamentin

 

Në kuadër të 100-vjetori të pavarësisë, krerët e mazhorancës vijojnë t’u bëjnë thirrje deputetëve të opozitës të votojnë tri ligjet e integrimit. Votimi i ligjeve, sipas përfaqësuesve të mazhorancës, është i domosdoshëm, në mënyrë që Shqipërisë t’i rriten shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat, proces i cili pritet të mbahet në javën e dytë të dhjetorit nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian. Gjatë takimit që pati një ditë më parë me nxënës dhe studentë në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu sërish keqardhjen e saj për faktin që opozita vijon të bllokojë miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë cilësuar si ligjet e integrimit. Kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët në këtë moment historik janë shumë pranë realizimit të ëndrrës së tyre më të madhe: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shqiptarëve po u mohohet e drejta e realizimit të ëndrrës së tyre të hershme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Askush nuk përfiton nga mosvotimi i ligjeve të integrimit”, – tha Kryetarja e Kuvendit. Aktualisht, dy forcat e mëdha politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën me deklarata në distancë për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar në Qarkun e Fierit. Opozita kërkon zbatimin e vendimeve gjyqësore për 11 këshilltarët bashkiakë në këtë qark, ndërkohë që mazhoranca ka propozuar më parë mbajtjen e mocionit të votëbesimin për anëtarët e këshillit të qarkut.

Topalli me studentët

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me mbi 200 nxënës dhe studentë, të cilët në këtë përvjetor historik, patën mundësinë të njihen nga afër me Parlamentin, si forumi më i lartë i demokracisë në vend. Jozefina Topalli ndau me nxënësit dhe studentët mbresat e saj në këtë 100-vjetor të pavarësisë, si dhe iu përgjigj interesit të të rinjve në lidhje me debatin politik, procesin e ligjvënies etj. “Parlamenti është vendi për të bërë debat, për të ngritur zërin, për të kundërshtuar diku dhe diku për të mbrojtur. Të drejtosh Parlamentin është sfidë, është e bukur, është e vështirë, por është shumë interesante”, – tha Kryetarja e Kuvendit. Zonja Topalli vuri në dukje se tradita parlamentare në Shqipëri është relativisht e re, por gjithsesi e pasur. “Duke lexuar bisedimet parlamentare të viteve ‘20, vihet re se këto bisedime të kësaj periudhe janë perla. Në atë kohë deputetët vinin nga elitat e shoqërisë. Sigurisht që kritikojnë, sepse opozitë ka pasur edhe në atë kohë, por ka një ironi dhe sarkazëm elegante në diskutimin e tyre, sa nuk të besohet. Kundërshtojnë, thonë atë që mendojnë, por këtë e bëjnë në mënyrë elegante”.

Përfaqësimi i grave

Duke u ndalur në etapat e rëndësishme nëpër të cilat Shqipëria ka kaluar 100 vjet nga shpallja e pavarësisë, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se rritja e përfaqësimit të grave në politikë dhe vendimmarrje është një ndër arritjet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. “Përfaqësimi i grave në Parlament është një çështje e të drejtës. Janë gratë, nënat ato që mbajnë barrën më të madhe të përgjegjësive duke bërë të mundur që shoqëria të ecë përpara, prandaj është normale që ato të kenë një përfaqësim të lartë në politikë dhe vendimmarrje”, – u shpreh Kryeparlamentarja Topalli një ditë më parë me nxënës dhe student në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.

 

PS mban kusht Gjykatën e Lartë

Partia Socialiste nuk tërhiqet nga vendimi për të kushtëzuar votën e saj për ligjet me 3/5, pa zgjidhur më parë çështjen në Qarkun e Fierit. Të enjten e kaluar, deputeti i opozitës, Armando Subashi, shpjegoi se jo të tria ligjet janë kusht për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar në këtë qark. Sipas deputetit Subashi, njëkohësisht i zgjedhur i kësaj force politike në Qarkun e Fierit, projektligji për statusin e nëpunësit civil dhe reforma parlamentare nuk janë kusht për Qarkun e Fierit. Për herë të parë opozita, që pas ngërçit politik të krijuar me mazhorancën për votimin e tri ligjeve të integrimit, duke e kushtëzuar votën e saj me zgjidhjen e çështjes së Fierit ka ndryshuar qëndrim, duke vënë si kusht vetëm voton kundër projektligjit për Gjykatën e Lartë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency