Beja: Zgjedhjet nuk janë kusht për statusin, por për hapjen e negociatave në 2013-ën

0
150

Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, sqaroi një ditë më parë se opozita po promovon qëllimshëm idenë se statusi kushtëzohet me zgjedhjet. Sipas tij, Komisioni Evropian ka kushtëzuar hapjen e negociatave me zgjedhjet dhe jo statusin. Deputeti i mazhorancës bën me dije se kjo tezë e opozitës po lobohet në Bruksel edhe nga deputetët europarlamentarë të majtë. “Dua të shpreh keqardhjen që së fundmi po shikojmë një aktivizim të idesë të hedhur prej Ramës që kushtëzohet statusi me zgjedhjet në një kohë që Komisioni Evropian e ka kushtëzuar hapjen e negociatave me zgjedhjet, jo statusin. Statusi është rekomanduar të merret këtë vit duke u plotësuar tre kushte. Ka një përpjekje ditët e fundit dhe nga e majta evropiane për ta lidhur statusin me zgjedhjet ndërkohë që qëndrimi i Komisionit Evropian ka qenë tërësisht i qartë”, – tha Beja. Deputeti demokrat është shprehur gjithashtu se Shqipëria ka ende shanse për marrjen e statusit në dhjetor pasi, sipas tij, komisioneri Stefan Fule ka premtuar që do t’i drejtohet Parlamentit Evropian për të ndihmuar Shqipërinë. “Ende ka pak kohë po të ecim me komunikimin që Komisioni ka bërë zyrtarisht dhe publikisht, edhe për parlamentin edhe për Këshillin. Kam parasysh deklaratën që ka bërë komisioneri Fule që nga momenti që do të vijë lajmi që është arritur miratimi i këtyre tre kushteve, amendamenteve në tre ligjet për të cilat është folur, unë do t’i bëj një letër Këshillit qoftë kjo në tetor, në nëntor apo në dhjetor. Janë fjalët e tij, ndaj them që ende ka pak kohë”, – tha Beja. Deklarata e deputetit Beja u bë për “Albanian Screen”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency