“Ada” tek “Femrat” me Ermal Mamaqin/ Enxhi Cuku: Aktrimi pasion, jo profesion. Roli që po pres në kinematografi

0
363

 

Intervistoi: Irini Meçe

Ajo ishte vetëm 17 vjeç kur regjisorja Rudina Vojvoda e zbuloi si një talent të ri në fushën e kinematografisë, të cilës i besoi rolin e bashkëprotagonistes tek filmi “Femrat”, ku protagonist kryesor ishte aktori Ermal Mamaqi. Besoj se sa përmenda titullin e filmit, e kuptuat se për kë e kam fjalën. Po, për aktoren Enxhi Cuku, e cila u  prezantua para publikut shqiptar për herë të parë me rolin “Ada”. E ëmbël, simpatike, e talentuar dhe pozitive do ishin fjalët që mund ta përkufizonin aktoren, e cila rrëmbyeu edhe dashurinë e publikut. Ky film ishte dhe çelësi i suksesit të Enxhit në aktrim, të cilës i hapi shumë rrugë në projektet e radhës midis televizionit, aktrimit dhe modelingut. Në këtë intervistë për gazetën “Standard”, Enxhi vjen për të prekur dhe për të folur për të gjitha rolet e interpretuara nga ajo, por jo vetëm. Ajo ndalet për të folur se pse zgjodhi një drejtim tjetër për të studiuar dhe jo aktrimin, duke na zbuluar gjithashtu se si është një ditë e zakonshme e aktores dhe projektet e radhës.

Kanë nisur xhirimet e filmit më të ri episodik “Kangur” me regji nga Luan Kryeziu. Na trego diçka më shumë rreth këtij filmi dhe rolit që ju keni?

Kemi pothuajse 2 javë që kemi nisur xhirimet. Bëhet fjalë për një kompani, e cila do punësojë një taksist dhe në të njëjtën kohë lidhin kontratë dhe me një televizion për të patur të drejtën e filmimit brenda në taksi. Kështu tregohen ngjarje dhe situatë të ndryshme që ndodhin me klientët. Është shumë interesante dhe falenderoj regjisorin Luan Kryeziu që më besoi një rol në këtë serial, ku po e shijoj shumë të gjithë xhirimet dhe punën me stafin dhe kolegët e tjerë aktorë. Roli im është asistentja, për më shumë prisni sa të dalë puntata e parë.

Na ndajnë vetëm pak ditë nga premiera e filmit  “Jeta midis ujërave” , ku ju vini në rol protagonist. Çfarë e pret publikun nga kjo premierë?

“Jeta midis ujërave” paraqet një histori ku mund ta gjejnë veten shumë familje shqiptare. Një familje ku mungon komunikimi dhe si pasojë gjëra të këqija ndodhin. Unë luaj rolin e vajzës së kësaj familje, ku tregoj botën time të formuar nga rrethanat në të cila jetoj.

Ju kemi parë në modeling, nëpër klipe të ndryshme, nëpër reklama, dhe në filma. Por cili ka qenë projekti juaj i parë që ju u shfaqët si imazh?

 

Klipet kane qenë fillimi i daljes sime në ekran. Por ajo që ma dha suksesin ishte padyshim filmi “Femrat” që më futi në rrugën e aktrimit dhe të përfshihem dhe në projekte të tjera si televizive ashtu dhe filmike.

Roli “Ada” tek filmi “Femrat” me skenar të Koloreta Cukolit dhe me regji të Rudina Vojvodes, është edhe roli juaj i parë në fushën e aktrimit, gjë që ju bëri të njohur për publikun. Si u zbuluat dhe si u bëtë pjesë e këtij filmi, i cili ka qenë edhe çelësi juaj dhe që ju ka hapur rrugën drejt kinematografisë?

Nëpërmjet një audicioni, pasi më lajmëron një mikeshë që ishte caktuar për të gjetur vajza për casting. Pasi kam shkuar dhe kam bërë një provë fillimisht vetëm dhe më pas me Ermalin m’u komunikua që unë isha përzgjedhur për të luajtur rolin Ada. Shumë e lumtur në atë moment dhe e pabesueshme deri në xhirimin e skenës së parë.

Sa ka ndryshuar Enxhi dhe jeta juaj që nga momenti që u bëtë pjesë e filmit “Femrat”…

U angazhova dhe u përfshiva në shumë projekte të tjera më pas. Fitova një pavarësi në moshë të heret, dhe krijimi i një imazhi. Ndryshimi është që kam ditë impenjative të mbushura me punë dhe aktivitete të cilat i dua.

Filmi “Bunker” është një tjetër film që ju luani në rol protagonist. Këtë eksperiencë dhe këtë rol si do e përshkruanit?

Akoma nuk e kemi parë produktin final, por mund të them që është një rol që e dua shumë, kam dhënë gjithë veten time dhe jam shumë kurioze të di si do e pres publiku. Flet për një histori dashurie Romeo-Juliet, por në Shqipërinë e viteve ‘80 ku këto dashuri ishin të ndaluara dhe e pamundur, pasi kishe presionin e familjes, nuk merrje dot vendime dhe jetoje për sytë e njerëzve. Unë luaj rolin kryesor Frida, një vajzë që bie në dashuri me një djalë të internuar dhe familja ja ndalon duke e martuar me dikë tjetër. Nuk po zbuloj me shumë.

Filmi në qendër ka një histori rreth një dashurie të pamundur. Çfarë është në gjendje të bëjë Enxhi për hir të dashurisë?

Unë e dua dashurinë. Por mendoj që gjërat janë të shkruara, dhe ndonjëherë çfarëdo që të bësh nuk do ketë vlerë nëse diçka është e destinuar të mbarojë.

Cili rol iu është përshtatur më shumë ju, natyrës suaj?

Mund të them të gjithë deri tani. Siç duket dhe regjisorët e njohin dhe natyrën time dhe kanë ditur të më japin role që më përshtaten. Po pres momentin të bëjë një rol që të mos përshtatet me natyrën time.

Keni kaluar edhe në ekstremin tjetër të gjinisë kinematografike, ku keni luajtur në një film horror, “Bloodlands”, i cili ka patur premierat jashtë, ndërkohë që pritet dhe premiera në Shqipëri. Krahasuar me filmat e tjerë që ke interpretuar, si e keni gjetur veten në një film horror?

Shumë mirë dhe nuk kam ndjerë ndryshim pasi skenat e mia kanë qenë shumë të qeta. Ishte intriguese për ta parë filmin, dhe pasi e kam parë me grupin e xhirimeve mund të them që publiku fans i horrorit do e pëlqejë.

Çfarë zhanri në kinematografi preferoni që të luani?

Romanca-drama.

Si përgatiteni ju për një karakter që ju është besuar?

Nuk bëj përgatitje, më duket sikur do jem robot në xhirime po bëra prova po mësova përmendësh fjalë dhe lëvizje. Sigurisht që lexoj, bazohem në eksperienca të miat dhe të tjerëve bazuar në karakterin që kam dhe mundohem të zhytem në atë botë të luaj vetëm me emocion dhe ndjeshmëri. Unë aty e ndjej pikën e fortë dhe atë mundohem të jap. Nuk them që jam perfekte, por as kërkoj të jem në ekran. Unë jam “roli”.

Ndërkohë që ju nuk keni studiuar tek Akademia e Arteve, por studioni për Marrëdhënie me Publiku. Pse kjo zgjedhje pasi ju shohim shumë të dhënë pas aktrimit dhe mendoni se do ta ushtroni si profesion këtë drejtim që keni zgjedhur?

Hmm, si profesion mesa po shoh në Shqipëri 1-2 filma në vit mund të luash, dhe këto sigurisht nëse ke fatin të dëgjosh për audicion dhe t’i përshtatesh rolit që kërkohet. Pagat janë shumë të ulta. Kështu që nuk e shoh si punë, por si pasion, të paktën këtu në Shqipëri. Marrëdhënie me Publikun që përfundova studimet, besoj se është më e vlefshme dhe po e vendos në punë.

A ndikon fakti që ju nuk keni studiuar për aktrim apo regji në eksperiencën aktoriale dhe nëse do të kishit studiuar mendoni se do t’ju kishte shtuar diçka aftësive të tua interpretuese?

S’besoj fare se studimet të japin plus, ose të garantojnë talent. Talentin o e ke o se ke. Është diçka brenda teje, që pasurohet me projekte me punë, eksperienca. Eksperiencat janë të vlefshme, sigurisht kur diçka bëhet praktike jo vetëm teori. Dhe është e bukur kur ti i mëson vetë gjatë rrugës. Nuk e ve në dyshim që do ketë gjëra për t’u rregulluar përmirësuar, por më të vlefshme mendoj se do ishin ca kurse, (jashtë vendit) në pamundësi video në youtube,filma, ka pafund gjëra që mund të gjesh në faqe të ndryshme, zhvillimi i botës tënde duke parë sa më shumë filma backstage informacione sesa 5 vite shkollë. Ky është mendimi im.

Aktrimin e shihni si një pasion apo profesion?

Pasion.

Kur e rishihni një film që ju interpretoni, pra jeni pjesë e tij, a e sheh me një sy kritik dhe çfarë mendon gjithmonë kur e sheh veten duke aktruar?

Kritikat i mbaj për vete.(qesh) Në përgjithësi kur i rishoh në kinema ndodh për të parë reagimin e publikut live, në shtëpi thjesht për ta shijuar dhe ta patur të freskët në mendje.

Cila ka qenë një ndër skenat që ke interpretuar si më e vështira dhe më e sikletshme?

Hmmm.. jane 4 filma dhe shumë skena, nuk e kujtoj pooor në përgjithësi veçoj skenat që xhirojmë në kushte të këqija klimatike (Shumë nxehtë, shumë ftohtë)

Po në teatër e ke menduar dhe ke dëshirë që të interpretosh edhe aty?

Po dua ta provoj. Por do ketë momentin e saj.

Cfarë roli do të pëlqente që të luaje si në kinematografi, po dhe në teatër?

Çfarëdolloj roli. Dua të eksploroj në veten time, të nxjerr sa më shumë nga vetja sepse e di që njeriu ka çdo gjë brenda tij, të mirën, të keqen, të bukuren, të shëmtuarën etj.

Si është Enxhi në jetën e përditshme?

Kam një rutinë të përditshme. Shkollë, punë, shtëpi. Ditët janë të ngarkuara, por ka ditë dhe me të ngarkuara nga aktivitetet që dalin. Më pëlqen ta kem ditën të mbushur plot dhe nëse ndonjëherë është sfilitëse, por ndihem mirë dhe e kënaqur.

Sa kujdeseni për veten tuaj nga ana e jashtme, tanimë që jeni figurë publike?

Fare mund të them. Jam dembele, por dhe nuk më pëlqen make up-i dhe nuk jam e dhënë pas veshjeve. Kjo është një arsye që televizioni nuk më pëlqen pasi të do gjithmonë në formë, të dukesh për të tjerët, Barbie, dhe unë nuk jam ashtu. Kam ditë të mira, ditë të këqija dhe më pëlqen të vesh çfarë të dua dhe të rri pa grim. Në fund të fundit ashtu ndihem mirë.

Ju shohim shumë të apasionuar gjithashtu edhe pas fotografisë ku keni realizuar sete të ndryshme. Fotografia, një tjetër pasion i juaji ?

Më pëlqejnë fotografitë, por pasi shoh rezultatin final. Gjatë setit dua të mbaroj sa më shpejt punë, 2 foto mjaftueshëm dhe kaq. Nuk i kushtoj kohë.

Keni patur një emision për fëmijë në televizion, ndërsa tani një emision për modën. Sa e lidhur jeni me televizionin dhe me modën gjithashtu?

Me modën, e bukura më pëlqen. Nuk bëj shumë blerje, nuk jam e apasionuar dhe shumë me vështirësi vendos se çfarë dua të ble. Ndoshta vjen si pasojë që nuk kam një stil të caktuar. Emisionin për fëmijë e kam shijuar shumë dhe është një format ku e shoh veten dhe ndihem mirë.

Cilat janë planet që ju keni bërë për veten tuaj dhe karrierën se ku do donit që ta shinit veten? Projektet e radhës?

Momentalisht me emisionin dhe me xhirimet e serialit “Kangur”. Kam dëshira, mendime në kokën time, por nuk i tregoj planet deri momentin që realizohen. Të pres çfarë do sjellin muajt. (buzëqesh)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here