Italianët kusht Tsiprasit: Do të vesh kravatë, kur Greqia të shlyejë borxhin

0
125

Alba Kepi
 
alba-kepi“Do të vesh kravatë vetëm atëherë kur Greqia do të shlyejë borxhin!” E ne dëshirojmë që kur të arrijë ky moment ju të vini këtë kravatë italiane!
Me këtë dialog përfundoi vizita e parë e Kryeministrit të ri grek Alexis Tsipras në Romë. Në mbyllje të konferencës së përbashkët për shtyp Kryeministri italian i dhuroi Alexis Tsiprasit një kravatë të një stilisti të njohur italian, ndërsa Tsipras e shkëmbeu me një disk këngësh tradicionale të grupit muzikor “Magna Greka”.
Mateo Renzi e Alexis Tsipras për herë të parë përballë njëri-tjetrit. Të dy kryeministra 40-vjeçarë, politikanë të së majtës, përfaqësues të një modeli të ri qeverisës, me eksperienca politike të ndryshme e mbi të gjitha lidhur nga ideali i një Evrope për zhvillim e larg striktizmit aktual institucional e detyrues.
Italia u bë ndalesa e dytë e turit të saponisur evropian të Kryeministrit të ri grek Alexis Tsipras. Pas Qipros, ai ka mbërritur në Romë me objektiva e propozime shumë të qarta: të ketë mbështetjen e qeverisë italiane në kapërcimin e krizës që borxhi helenik ka krijuar mes Athinës e kreditorëve ndërkombëtarë. I shoqëruar nga stafi i tij e ministri i Financës Yanis Varoufakis, kundërshtar i betuar i Trojkës, të gjithë ekskluzivisht pa kravatë, Alxis Tsipras ka nisur këtë javë një sulm diplomatik në të gjithë Evropën për të gjetur aleatë e për t’i bindur kreditorët ndërkombëtar se Greqia është një vend i besueshëm.
Vizita e Kryeministrit grek në Romë përkoi me një ditë të veçantë kur pritej të zhvillohej ceremonia e betimit të Presidentit të ri të Republikës. Nën ushtimin e 21 goditje me top që shënuan nisjen zyrtare të Presidencës së Sergio Mattarella mbërrin në kryeqytetin italian Kryeministri grek Alexis Tsipras. Një interesim i jashtëzakonshëm i medias italiane e të huaj mbushi si asnjëherë sallën Galeoni të selisë së Kryeministrisë italiane. Të gjithë në pritje për të dëgjuar heroin e politikës greke, njeriun e ri të së majtës evropiane që mundi të fitoj suksesshëm zgjedhjet elektorale me premtimet e tij në sfidë me Evropën e institucionet e saj. Ndërsa politika italiane e kishte paraprirë këtë interes me një letër të hapur ndaj Kryeministrit të vendit firmosur nga disa deputetë e ku kërkohej “që Tsipras mos të mbetet vetëm e të ketë mbështetjen e Italisë si në reforma ashtu dhe në kapërcimin e krizës së borxhit.
“Dhe pse e kam pak të vështirë të qëndroj në krahun tënd të majtë- u shpreh në batutë Kryeministri Renzi – e kalova vitin e parë të qeverisjes sime i akuzuar nga Europa si njeriu më i rrezikshëm i së majtës, ndërsa në Itali si njeriu më i rrezikshëm i së djathtës, e ardhja në qeveri e Tsiprasit është një bekim për mua, e ndoshta tashmë do të heqin dorë nga akuzat e nuk do të merren më me mua”.
Për Kryeministrin grek Alexis Tsipras qeveria e tij dhe ajo italiane bashkohen nga principi i përbashkët i drejtësisë sociale, i luftës ndaj evazorëve fiskal e ndaj të korruptuarve. “I përkasim të njëjtit brez- u shpreh ai- një brezi që ka vuajtur e vuan, i detyruar të emigroj për të jetuar me dinjitet. Kërkojmë t’i kthejmë shpresën e optimizmin popujve tanë, për një të ardhme më të mirë e për të jetuar aty ku është atdheu ynë. Deri tani kanë qenë shtresa e varfër e popullsisë që ka paguar për çdo pasojë të shkaktuar nga kriza ekonomike e ne kërkojmë ta ndryshojmë këtë drejtim. Evropa gjendet përballë një kryqëzimi e ne kërkojmë të prezantojmë propozimet tona e duam kohë për të përgatitur këtë proces. Do të impenjohemi për të mos krijuar një borxh të ri e mbi të gjitha një arrijmë një bilanc ekonomik pozitiv”.
Ndërsa për Kryeministrin Renzi qeveria italiane e ajo greke bashkohen nga ideali i një procesi që kërkon të arrijë suksesin duke u bazuar tek shpresa e jo frika, në ndërtimin e një sistemi fiskal i aftë për të luftuar evazorët e të korruptoarit, tek një Evropë që imponon më shumë zhvillim, më shumë kulturë e jo detyrim pa kushte, një Evropë që krijon vende të reja pune, e shton investime e investitorë.
Alexis Tsipras nuk i kurseu fjalët ndaj asaj çka Trojka i ka shkaktuar vendit të tij. “Trojka qe një shkatërrim- u shpreh ai, një dramë sociale për vendin tim, shtoi frikshëm papunësinë e përkeqësoi ekonominë e vendit. Në Evropë ka aq shumë krisje e ndarje sa ne nuk duam të krijojmë të reja. Kërkojmë një Evropë të re, që të rikthehet në principet e saj të krijimit, në vlerat mbi të cilat u krijua ky Bashkim. Nuk duhet të kemi frikë nga qeveritë e mëdha evropiane, por duhet të na frikësojë kjo pikë e verbër kau gjendemi sot. Synimi i qeverisë greke është të propozoj ide e zgjidhje të reja. Me Kryeministrin Renzi u shpreh ai – flasim të njëjtën gjuhë, gjuhën e së vërtetës, gjuhën e qytetarëve tanë që vuajnë”.
Pyetjes së gazetarëve se nëse kanë mbetur të kënaqur nga ky takim, Kryeministri italian u përgjigj “se është vetëm një fillim pa harruar se të gjithë duhet të respektojmë rregullat. Me Kryeministrin Tsipras nuk diskutuam për propozime të veçanta. Italia është e hapur për të dëgjuar alternativa të reja e për t’i diskutuar në mbledhjen e javës së ardhshme të vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Është e domosdoshme të japim një mesazh të qartë se Italia synon të ndryshojë politikën ekonomike të Evropës, por jo për Greqinë. Ne jemi në linjën e parë të frontit e jam i kënaqur që shumë të tjerë po bashkohen me ne. Alexis sipras ka një sfidë të gjatë përballë popullit grek e i duhet seriozitet, kujdes e përgjegjësi. Italia është një nga kreditorët e Greqisë e synon të ndjek në një pozicion logjik që nuk synon të mbys borxhin e dhënë”.
Pas Romës Brukseli e Parisi mbyllin këtë tapë të parë të turit evropian të Alexis Tsipras në Evropë.
Kryeministri grek është pritur në zyrat e Brukeslit në një klimë mjaft të ngrohtë me përqafime mes Tsipras e Juncker të fokusuara nga objektivat e mjaft agjencive të informacionit. Pas takimit me Presidentin e Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, me Presidentin e Këshillit të Evropës Donald Tusk e me kryetarin e Parlamentit Martin Schulz, Alexis Tsipras u shpreh optimist se edhe pse nuk ka ende një marrëveshje, po ecet në një drejtim të përbashkët. “Ne, – tha ai, – kemi dëshirë për të punuar për një marrëveshje reciproke të pranueshme e jemi të gatshëm për të negociuar”. Por nuk harroj të nënvizoj se objektivi i qeverisë greke është respektimi i sovranitetit e i mandatit që kanë marrë, duke respektuar në të njëjtën kohë rregullat e BE”.
Një mbledhje e jashtëzakonshme e Eurogrupit mbi Greqinë, pritet të zhvillohet në Bruksel më datën 11 shkurt në vigjilje të samitit të vende anëtare.
Ndërsa Tsipras zhvillonte takimet e tij zyrtare në Bruksel, ministri i financës i kabinetit të tij, Yanis Varoufakis, një “anti Trojkis i tërbuar”, ka fluturuar drejt Frankfurtit ku është takuar me numrin një të Bankës Qendrore Evropiane, z. Mario Draghi. Varoufakis ka kërkuar që BQE të mbështes bankat greke në mënyrë që me titujt shtetëror në afat të shkurtër, Greqia të mund të mbijetoj. Nuk do të jetë një zgjidhje afatgjatë pasi qeveria greke synon të zgjidh gjithçka brenda muajit qershor”.
Nga Berlini Kancelarja gjermane Angela Merkel komenton se “Greqia për momentin është nën një program që është zgjatur deri në fund të muajit shkurt. Tani është momenti që duhet të japi propozimet e saj konkrete e ne jemi në pritje për t’i diskutuar. Kam folur si me kolegun tim italian të cilin Tsipras e takoj pak orë më parë në Romë, e jam në kontakt me presidentin francez Hollande, i cili e takoj sot, e nuk besoj se pozicioni i vendeve të Eurozonës ndaj Greqisë, ndryshon në sostancë”.
Nga Frankfurti ministri grek i financave replikon se programi të cilit i referohet Merkel është “një Evropë nga ku marrim kredi që nuk mundemi t’i paguajmë kurrë. Unë shpresoj – tha ai një plan Merkel që ndjek shembullin e planit Marshall. Kështu forca e Gjermanisë do të përdorej për të bashkuar Evropën. Ky fakt do të ishte një trashëgimi e mrekullueshme e Kancelares gjermane në Bashkimin Evropian”.
Pra loja mbetet e hapur. Greqia, Europa, Gjermania kanë zbuluar letrat e para të taktikës së tyre me pritje e përgjigje opinionesh që veç mbledhja e jashtëzakonshme e Eurogupit më datën 11 shkurt dhe samiti i vendeve anëtare të BE më 12 shkurt, do mundin të zbulojnë nëse do të ketë një fitore të barasvlershme për të gjithë apo një KO për ndonjërin prej tyre.
 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency