Superligë/ Tirana vuan, por mposht Vllazninë, Apolonia fiton derbin e jugut ndaj Flamurtarit

0
197

Tirana-Vllaznia-1-0Bardheblutë kanë mposhtur rivalët historikë të Vllaznisë në një sfidë, në të cilën iu desh të luftonin shumë

 Fierakët kanë arritur të mposhtin vlonjatët, duke shtuar shpresat edhe më shumë se mund të qëndrojnë në Superiore

Tirana vuan, por në fund bën detyrën, duke bërë të vetin derbin e Shqipërisë. Bardheblutë fituan 2-1 ndaj Vllaznisë në kryeqytet me dy gola të Muçës. Një sukses për Gerin, tifozin e tyre, që u nda nga jeta në mënyrë tragjike pak ditë më parë, por edhe për garën e titullit, me ekipin e Maganit që ruan serinë pozitive, duke thyer falë episodeve një Vllaznisë solide. Ndeshja në kryeqytet nisi me një dedikim për humbjen e jetës nga tifozi bardheblu, duke treguar afrinë mes tifozerisë dhe skuadrës. Gjithsesi, në fushë bardheblutë nuk shkëlqyen të paktën në pjesën e parë, me vendasit që kishin qarkullimin e topit, por jo rastet, aq sa në 30 minutat e para i vetmi rast ishte një goditje e Takut. Vllaznia në të parën mundësi arriti të kalonte përpara, me një gol fantastik të Çinarit, që me të majtën dërgoi topin në trekëndësh. Kundërpërgjigjja e Tiranës ishte me një goditje të ngjashme të Ndikumanës, vetëm se e pasaktë. Pjesën e dytë Tirana e nisi me dy zëvendësime, me Maganin që hodhi në fushë Bakajn dhe Kalarin. Vetëm pak sekonda dhe Muça iu afrua golit nga këndi, por për pak nuk gjeti kuadratin. Në të 54-ën sërish Çinari zbriti rrezikshëm për Vllazninë, por nuk finalizoi kundërsulmin. Në të 57-ën erdhi dhe episodi që ndryshoi ndeshjen me Beqirin që u ndëshkua me të kuq për faull ndaj Ndikumanës si lojtar i fundit. Tri minuta më pas, Gent Muça shfrytëzoi një devijim të Muzakës në shtyllën e parë, duke shtyrë topin në rrjetë për barazimin. Në harkun e dy minutave Bakaj rrezikoi dy herë, por pa gjetur golin, i cili në këtë sfidë u duk se ishte pronë e Muçës, që në të 76-ën dërgoi topin në rrjetë për herë të dytë. 2-1 për Tiranën, mjaftueshëm për 3 pikët dhe vendin e tretë provizor në renditje, me pikë të barabarta me Skënderbeun. Një fitore e vështirë, por e vyer për kryeqytetasit, që tashmë presin ndeshjet e kundërshtarëve për të bërë llogaritë me renditjen pas javës së 30-të.

 

Teuta fiton minimalisht ndaj Elbasanit

Mjafton një gol që Teuta të marrë 3 pikë në “Niko Dovana” ku krijoi një mal me raste, por arriti ta zhbllokonte sfidën vetëm në pjesën e dytë. 1-0 dhe skuadra e Begesë merr frymë e qetë pas një 90-minutëshi që rezultoi i vështirë për djemtë e detit, të cilët gabuan raste flagrante përpara portës së miqve. Teuta mori iniciativën me disa raste të pastra, duke treguar superioritetin në fushën e lojës që në minutat e para. Kur kishin kaluar vetëm 6 minuta, Ansi Nika pati rastin ideal për të gjetur rrjetën por goditja e tij u bllokua nga Shkëlqen Ruçi. 8 minuta më vonë, Rustem Hoxha bëri më të vështirën duke e goditur topin mbi traversën e miqve, ndërsa në të 18-ën, Nika gaboi një rast të pabesueshëm me kuadratin e portës të boshatisur por topi u ngjit mbi portën e Elbasanit. E njëjta lojë për Teutën edhe në të 38-ën me protagonist Mirel Çotën që i vetëm në zonë nuk arriti të zhbllokonte sfidën. Në krahun tjetër, Elbasani reagoi me një kundërsulm të udhëhequr nga Eri Lamçja, por mbrojtja e djemve të detit e bllokoi në momentin e fundit. Menjëherë me rinisjen e ndeshjes, Hoxhallari dorëzoi një top të lehtë në duart e Ruçit. Në të 58-ën Nika i dhuroi një pasim Beqes, por ky i fundit nuk i dha fuqi goditjes i bllokuar edhe nga mbrojtësit e Elbasanit. Ardit Peposhi humbi një tjetër mundësi në të 65-ën kur topi i devijuar me kokë kaloi ngjitur me shtyllën e majtë të Ruçit. 3 më pas Shamet Luta ishte shumë pranë golit por goditja e elbasanasit u stampua në shtyllën durrsake. Ndeshja u bë më interesante pasi Bruno Dita goditi shtyllën, ndërsa Klaudio Hyseni në tentativën e dytë pasi topi u kthye nga traversa, shënoi golin e parë. Kaq mjaftoi që Teuta të kontrollonte ndeshjen deri në minutat e fundit, ndërsa Elbasani u dorëzua duke ngritur flamurin e bardhë. 3 pikë shumë të rëndësishme për ekipin durrsak që ngjitet në kuotën 26, ndërsa verdheblutë mbyllin fundin e klasifikimit me 13 pikë.

 

Apolonia fiton ndaj Flamurtarit

Gola dhe emocione në derbin e jugut ku në stadiumin e boshatisur Apolonia fitoi 2-1 ndaj Flamurtarit për të mbetur në luftë për mbijetesën. 3 gola, por shumë emocione në një sfidë ritmike më shumë nga sa pritej për një takim të skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës së klasifikimit. Skuadra fierake u duk se e nisi në dishezë falë avantazhit të shpejtë në minutën e 13. Në një goditje këndi devijimi i pafat i Telushit u kthye në një asist të artë për Andi Ribajn që i harruar në shtyllën e dytë i mbetej të shtynte topin drejt rrjetës. 1-0, por përkundër iluzionit për një fitore të thjeshtë, Flamurtari riktheu ekuilibrin pas vetëm 6 minutash me talentin e ri Devi Bregu. 19-vjeçari avancoi në zonë nga e majta dhe në diagonale ndëshkoi Ilion Likën për golin e barazimit 1-1. Rezultat që nuk i bën shumë punë Apolonisë që intensifikoi përpjekjet duke krijuar rrezik në zonën e vlonjatëve, në minutën e 33 Ribaj pretendoi për një 11-metërsh pas një kontakti me Veliun, por për Laver Allën nuk kishte penallti. Apolonia e mbylli pjesën e parë përpara dhe ashtu nisi edhe të dytën, në minutën e 51 veprim i bukur teknik i Filit që depërtoi në zonë dhe goditi pa mposhtur dot Ilion Likën, i cili pati edhe ndihmën e fatit nën tentativën që pasoi menjëherë më pas nga Uzuni, me shtyllën që i ktheu topin në duar. Me vendasit të hedhur përpara për Flamurtarin afroheshin shanset e kundërsulmeve të volitshme si në minutën e 59 kur Kurja goditi fluturimthi pa gjetur shënjestrën e duhur. Apolonia mbetej para duke i provuar të gjitha por pa sukses dhe Flamurtari barazoi edhe llogaritë e shtyllave me Bedi Bulval që në një krosim të Krujës në minutën e 70 stampoi topin në traversë me kokë. Tjetër tentativë e Uzunit që shfaq talentin në driblim dhe goditi në minutën e 74 duke gjetur sërish të gatshëm Likën. Sfidë intensive me rastin që pak minuta më pas prezantohet në krahun tjetër për Hoxhën që s’kaloi dot Micon. Padyshim i shqetësuar Mërgjyshi me ndeshjen drejt fundit, por këtë herë për të dhe Apoloninë do të mendojë Realdo Fili. Kur mbeteshin vetëm 2 minuta nga koha e rregullt, 18-vjeçari i lirë në zonë, përfitoi nga një krosim që mashtroi mbrojtjen e Flamurtarit për të lëshuar një të djathtë të bukur që përfundoi në rrjetën e Likës. 2-1 për Apoloninë. Një gol me peshë, është goli që mban gjallë shpresat e skuadrës fierake për mbijetesën. Flamurtari në krahun tjetër nuk merr asnjë pikë prej 7 ndeshjesh. Këtë fund sezoni duhet të jetë diçka e vështirë të jesh tifoz i skuadrës vlonjate.

 

Venger: Çelsi, i vështirë për t’u arritur

Përkundër rezultateve të mira të Arsenalit kur po afrohet fundi i kampionatit anglez, Arsen Venger thotë se është e pamundur që të arrihet Çelsi në krye të tabelës. “Topçinjtë” kanë fituar tetë ndeshje radhazi në Premier Ligë, mirëpo as “blutë” nuk kanë lëshuar pe dhe aktualisht janë shtatë pikë përpara Arsenalit dhe kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Prandaj, strategu francez ka kërkuar nga lojtarët e tij të mos ëndërrojnë për titullin, porse ta ruajnë formën dhe ta zënë vendin e dytë në tabelë, njëherësh ta fitojnë sërish Kupën FA. “Asgjë nuk ka ndryshuar. Çelsi është shumë komod (në krye të tabelës)”, – ka thënë Venger duke sqaruar se për ta fituar Arsenali titullin duhet të jetë i përsosur, ndërsa Çelsi duhet të gabojë në të gjitha ndeshjet, gjë që nuk mund të ndodhë.

 

 Roma barazon me Torinon, humbet vendin e dytë

Barazimi i Romës në ndeshjen kundër Torinos (1-1) do të thotë se e kanë humbur vendin e dytë në tabelë. Romakët kaluan në epërsi nga penaltia e Alesandro Florencit (58’), por Maksi Lopez realizoi për një pikë të torinezëve (64’). Tashmë, Roma pozicionohet në vend të tretë në tabelë me një pikë prapa Lacios që renditet në vend të dytë. Të kaltrit mposhtën Empolin me rezultat 4-0 dhe tani janë 12 pikë prapa liderit Juventus që këtë javë regjistroi humbje befasuese nga Parma. Roma mund të rrezikojë edhe vendin kualifikues për Ligën e Kampioneve, pasi Napoli është shtatë pikë larg.

 

 Matuidi: Nuk kemi frikë ndaj Barcelonës

Blase Matuidi, i cili po shkëlqen në fanellën e PSG-së, po i gëzohet formës së mirë të skuadrës së tij, ndërsa ka folur se kampioni francez është i gatshëm për Barcelonën. “Për momentin gjithçka po ecën shumë mirë. Fitoret po vijnë dhe kjo është e rëndësishme. Kemi triumfuar tani në Kupë dhe kjo gjë na ka bërë tejet të lumtur dhe na ka dhënë motiv të madh. Tani na pret një përballje e madhe në Evropë ndaj Barcelonës, por nuk kemi frikë, pasi futemi në këtë ndeshje vetëm për ta mposhtur Barcelonën”, – ka deklaruar Matuidi.

 

 Gashi nën vëzhgimin e Shalke 04

Paraqitjet e shkëlqyera të Shkëlzen Gashit me Bazelin kanë filluar të tërheqin vëmendjen e skuadrave të mëdha të futbollit. Sipas asaj që shkruajnë mediat në Zvicër, është Shalke 04 që seriozisht ka hyrë në garë për të nënshkruar me anëtarin e kombëtares shqiptare. Skuadra gjermane pritet që gjatë verës t’i bëjë një ofertë të majme Bazelit, për Gashin dhe kërkon me ngulm qe te transferojë lojtarin, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Di Mateo. Sipas mediave zvicerane, Shalke do të ofrojë 8-10 milionë euro për Gashin. Në rast transferimi te Shalke, Gashi do të bashkohej me talentin shqiptar të kësaj skuadre, Donis Avdijaj, që është i huazuar në Austri te Sturm i Gracit. Shkëlzen Gashi ka qenë protagonist në pjesën e parë të ndeshjes ndërmjet Bazelit dhe FC Zyrih. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e parë në 45 minutëshin e parë, ndërsa ishte njëri nga dy futbollistët e përjashtuar në këtë fraksion. Fillimisht me karton të kuq u përjashtua lojtari mysafir, Davide Kiumiento (38’). Ndërsa para se të shkonin skuadrat në pushim edhe futbollistit shqiptar iu nda kartoni i kuq (44’).

 

 Junajtid shpallet mbret i Mançesterit, mund Sitin

Mançester Junajtidi thuajse i ka dhënë fund ëndrrës së Mançester Sitit për ta mbrojtur titullin e Premier Ligës, duke e mposhtur në derbin lokal në “Old Trafford” me rezultat 4-2. Ishte një gjysmë e parë ëndrrash në “Teatrin e ëndrrave” me një lojë dinamike nga të dyja skuadrat që nuk mendonin për t’u mbrojtur, por për të shënuar. Ishin ‘Qytetarët’ ata që e dominuan periudhën fillestare të lojës dhe gjatë asaj kohe shënuan gol. Milner pasoi një top në zonë te Silva, i cili krijoi rast për Serxho Agueron të shënonte golin e epërsisë (8’). Rikthimi i Djajve të Kuq ishte sensacional. Herrera pranoi një top të gjatë dhe asistoi te Ashli Jung, i cili e barazoi rezultatin (14’). Jung mori një top nga Blind dhe harkoi drejt portës, ku e priti Maruan Fellaini për të shënuar nga një pozitë e dyshimtë (27’). Dinamika e lojës nuk pati të ndalur, sa nga njëra anë e sa nga tjetra deri kur skuadrat shkuan në pushim. Loja e mirë e rivalëve vazhdoi edhe në gjysmën e dytë, por ishin të zgjedhurit e Luis van Gal, ata që u treguan efektivë në këtë gjysmëlojë, përkundër se lojtarët e Manuel Pelegrinit patën fillim më të rrezikshëm. Pas kombinimeve me Runin, Juan Mata e shënoi golin e tretë të futbollistëve që luanin si vendas (67’). Dhe gjithçka mori fund me golin e Kris Smalling (74’), pas harkimit të Ashli Jung nga gjuajtja e lirë. Sa për statistika, kur po afrohej fundi i ndeshjes, Serxho Aguero shënoi golin e tij të 100-të në karrierë me fanellën e Sitit (89’). Kjo humbje ndoshta do të thotë edhe përfundim i garës për titull për Mançester Sitin, pasi gjendet 12 pikë prapa Çelsit dhe “blutë” kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Për më shumë, ‘Qytetarët’ rrezikojnë edhe pozitën e katërt në tabelë. Mançester Junajtid, nga ana tjetër, forcon pozitën e tretë në tabelë, me një pikë prapa Arsenalit që është i dyti.

 

 Murinjo: Një hap më afër titullit

Menaxheri i Çelsit, Hoze Murinjo, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren kundër “Queens Park Rangers”. “Blutë” fituan me një gol të Çesk Fabregasit në “Loftus Road” dhe trajneri e konsideron këtë triumf si një hap të rëndësishëm drejt titullit. Fitorja do të thotë se Çelsi ka shtatë pikë më shumë se Arsenali dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Duke biseduar për “Sky Sports”, portugezi ka thënë se tri pikët janë shumë të rëndësishme, pasi në fund do të jenë pikërisht ato vendimtare për trofeun. Ai është shprehur se skuadra e tij e kontrolloi lojën dhe nuk e lejoi kundërshtarin të shënonte.

 

 Abrashi jep asist në barazimin e Grasshopersit

Javën e kaluar shënoi, ndërsa tani ishte radha për të asistuar. Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Amir Abrashi, në çdo ndeshje po i tregon vlerat që ka. “Pitbulli” shqiptar tregoi edhe një herë se është ndër mesfushorët më të mirë në Zvicër në ndeshjen mes Grasshopers dhe Vaduz që përfundoi 1-1. Abrashi harkoi mirë nga krahu i djathtë ndërsa sulmuesi Caio shënoi në zonë. Në këtë takim Amiri luajti 90 minuta ndërsa tek Grasshopers në fund të ndeshjes u aktivizua edhe Shani Trashaj. Tek Vaduz titullarë ishin dyshja shqiptare Naser Aliji dhe Hekuran Kryeziu, ku ky i fundit tregoi edhe njëherë se është një talent i madh duke asistuar në golin e barazimit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency