PD, PS, LSI, PR ankimojnë procesin zgjedhor në KQZ
Florenc Drizari
Tri javë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 23 qershor, subjektet politike janë “dyndur” me kërkesa ankimore në KQZ për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në disa zona të vendit. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë rreth 10 parti politike që kanë paraqitur kërkesa për parregullsi të procesit, duke kërkuar edhe pavlefshmëri të zgjedhjeve në rang kombëtar. Në tërësi numri i kërkesave ankimore e kalon 30-të, por ajo që mbetet në pikëpyetje është mundësia e KQZ-së për t’i dhënë zgjidhje kërkesave të subjekteve politike.
Ditën e hënë pritet që KQZ të nisë një mbledhje maratonë për shqyrtimin e kërkesave ankimore, duke filluar që paraditen e orës 11:00, e për ta përfunduar këtë proces në orët e mbrëmjes.
Aktualisht KQZ ndodhet në fazën e dytë të procesit, atë të shqyrtimit në themel të kërkesave ankimore, pas pranimit duke bërë verifikim nga ana formale administrative. ndërkaq, kjo fazë duket se është më kritikja për KQZ-në, për faktin se mungesa e kuorumit e bën të pamundur vendimmarrjen për ankesat e partive politike lidhur me parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas kodit zgjedhor thuhet se vendimi për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një ose disa zona, duhen të paktën 5 vota të anëtarëve në KQZ, ndërkohë që komisioni më i lartë zgjedhor ndodhet që prej muajit prill të këtij viti vetëm me katër anëtarë të propozuar më parë nga shumica qeverisëse.
10 PARTITË
Rreth 10 parti politike kanë dorëzuar kërkesa ankimore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për parregullsi të procesit zgjedhor dhe shpallje e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në një ose disa zona të vendit. Kërkesa për pavlefshmëri kanë paraqitur partitë: Partia Popullore Kristiandemokrate, Partia Republikane, Partia Demokratike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, Lëvizja Socialiste për Integrim, Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar, kandidati i pavarur Dritan Prifti për Qarkun e Fierit, si dhe Partia Socialiste, e cila edhe pse nuk ka dorëzuar një kërkesë ankimore ne KQZ, është në pritje të zbardhjes së vendimit për shpalljen e rezultateve për Qarkun e Lezhës. Në këtë qark, pas ndërhyrjeve të KQZ në tabelat e rezultateve, duke marrë në konsideratë të dhënat nga sistemi elektroni i zgjedhjeve, për faktin se sipas administratës zgjedhore në 10 tabelat e KZAZ-së 13 në Lezhë kishte pasaktësi dhe manipulime, PS humbi mandatin e tretë në këtë qark, dukë bërë kështu që PD të fitonte mandatin e katërt.
MANDATET
Aktualisht me kërkesat ankimore që pritet të shqyrtohen formalisht në KQZ, për shkak të mungesës së kuorumit, në pikëpyetje ndodhen rreth 3 mandate për Kuvendin e Shqipërisë. I pari është ai i Qarkut të Kukësit, ku LSI kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në disa zona, duke pretenduar se gjatë procesit të numërimit janë konstatuar parregullsi. Sipas përfaqësuesve të këtij subjekti politik, mandati i LSI në Qarkun e Kukësit i ka kaluar PD-së vetëm për 15 vota. Ndërkaq, në pikëpyetje është edhe mandati në Qarkun e Lezhës, ku PS pretendon se pas vendimit të KQZ-së ekzistojnë parregullsi dhe për këtë pritet të dërgojë çështjen në Kolegjin Zgjedhor, pas shqyrtimit në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor. Ndërkaq, edhe kandidati i pavarur që garoi në Fier, Dritan Prifti ka paraqitur kërkesë ankimore në KQZ. Sipas tij, në këtë zonë i janë vjedhur votat dhe për këtë ai pretendon se ka prova që vërtetojnë manipulimet. Prifti më herë ka akuzuar dy forcat e mëdha politike, PD dhe PS, se kanë qenë shkaktarët kryesor të manipulimit të votave në Fier. Një tjetër çështje që pritet të ngjallë interes është edhe rasti i kërkesës së Republikanëve për Qarkun e Shkodrës. Në këtë zonë zgjedhore ata pretendojnë se për pak vota mandati i ka kaluar PD-së, dhe për këtë ngrenë dyshime për manipulime votash nga komisionerët lokalë.
Partitë që kanë ankimuar procesin në KQZ:
1.Partia Popullore Kristiandemokrate
2.Partia Republikane
3.Partia Demokratike
4.Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
5.Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane
6.Lëvizja Socialiste për Integrim
7.Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar
8.Kandidati i pavarur Dritan Prifti për Qarkun e Fierit,
9.Partia Socialiste
10.PBDNJ
Braçe: Takse të fshehtë mbi naftën
Deputeti socialist Erjon Braçe akuzon qeverinë se përmes një vendimi sekret u ka vendosur qytetarëve një taksë kombëtare në fshehtësi të plotë nga Kuvendi.
“Qeveria ka kaluar çdo kompetencë të saj, ka vendosur tarifë kombëtare shërbimit të shënimit me VKM. Ka vendosur një tarifë kombëtar të shërbimit në kufijtë e taksës kombëtare pa pyetur Kuvendin, madje pa e informuar fare Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”,- tha Braçe në një deklaratë për Top Channel.
Detyrimin për të paguar tarifën prej 7.3 lekësh për litër sipas kontratës bie mbi çdo litër karburanti të tregtuar në vend. Por tregu është zgjeruar duke përfshirë dhe eksportin.
“Është skandaloze të shohësh se si një vendim, tregu i shënjimit të karburanteve është zgjeruar përtej çdo logjike. Ka shkuar deri tek eksportet kur ka vende të tjera që kanë komplet standarde të tjera të shenjimit të karburanteve tek e cila adresohet nafta e prodhuar”,-shton deputeti socialist.
Në total investimi i kompanisë “Global Fluid” është 4.1 milionë dollarë. “Nuk e paguajnë kompanitë. Është një iluzion fakti që këtë tarifë do ta paguajnë kompanitë që merren me tregtimin e karburanteve. Në fund fare kjo tarifë do të mbahet tek çmimi i çdo litri naftë që do të paguajë konsumatori shqiptar. Pra për 10 vjet, 200 milionë euro do t’i merren konsumatorit shqiptar”,- deklaroi Braçe.
Sipas zotit Braçe, kostot e kompanisë janë minimale dhe nuk e kalojnë 1 dollarë për 1 mijë litra të ngjyrosura.
“Ndërkohë që këta do të mbledhin 7.3 dollarë për litër. Shihni diferencën. I gjithë ky shërbim nuk justifikon tarifën e vendosur. Kompania është përfshirë që javën e parë të funksionimit të këtij koncesioni, në një mashtrim fiskal”, -vijoi Braçe.






