Kryevepra erotike e dashurore, kënga që u shkrua në librin e shenjtë…

0
168

 

 

 “Kantiku i Kantikëve” – Kjo këngë është shkruar rreth 2950 vjet më parë. Kënga e këngëve të Salomonit është himni erotik dhe dashuror në Bibël. Në qendër është dashuria njerëzore, dhembshuria dhe dashuria. Kënga e zhduk hipokrizinë dhe jeton me intensitet truporen, e cilësuar si e dashuruar dhe jo e dëshiruar, si fryt i ndijimit. Një lirikë dashurie që i çon të rinjtë drejt estetikës dhe pastërtisë së dashurisë. Gjithçka ndodh me delikatesë, duke e lënë të paprekur mishin, të parfumuar trupat. Sensualiteti arrin rrëzëllimin më të skajshëm mbi një ndjenjë të pastër dhe mendje të kulluar. Sipas traditës, kjo këngë është shkruar nga Salomoni, mbret i Izraelit, që ka jetuar në vitet 972-932 para Krishtit. Mbretërimi i tij shënon kulmin e fuqisë së Izraelit. Kjo këngë është cilësuar si kryevepër e poezisë e njohur në qindra përkthime, drejtpërdrejt nga origjinali hebraisht ose përkthim pas përkthimi. Kënga është një eksplorim rreth enigmës së dashurisë njerëzore, por e cilësuar se ka në vetvete një shkëndijë hyjnore.

***

Puthmë me puthjet e buzëve të tua

Përkëdheljet e tua dehin më keq se vera,

ç’erë e mirë parfumi yt,

emri yt parfum që përhapet

prandaj dhe të duan vajzat.

 

Merrmë pas. Le të vrapojmë!

Futmë në dhomën tënde, o mbret;

Të dëfrejmë e të zbavitemi,

Ta gëzojmë dashurinë tënde më shumë

Se verën.

S’kanë faj vajzat që lënë kokën pas teje!

E zeshkët jam dhe e bukur,

O bija të Jerusalemit;

si tendat e Kedarit

si vellot e Salomonit.

 

Mos më shihni se jam e zeshkët

se më ka djegur dielli:

bijtë e sime mëje s’më përfillën

unë vreshtin tim nuk e ruajta.

 

Thuamë, o mall i shpirtit tim,

ku shkon ta kullosësh grigjën

ku e çon të pushojë në mesditë;

se ndryshe do bredh rrugëve

të të kërkoj me hamendje.

 

Në s’e di, o më e bukura e grave, (Ai)

Ndiq gjurmët e grigjës dhe kulloti kecat

Pranë tendave të barinjve.

 

Si pelë faraoni

më ngjan, o mikja ime.

Sa të bukura mollëzat e tua mes vathësh!

Sa e bukur qafa mes varësesh!

 

Do të bëjmë për ty varëse ari të thurur

Pikuar me margaritarë

E kokërrza argjendi.

 

 

Ndërsa mbreti është në tendën e vet, (Ajo)

Livanda ime përhap parfumin.

 

 

I dashuri im është për mua një tufëz mirre,

Pushon mes gjinjve tymi

I dashuri im është një degë kënaje

Nga kopshtet e Engadisë,

 

Sa e bukur je, o mikja ime, (Ai)

Sa e bukur je!

Sytë e ty si pëllumba.

 

Sa i bukur je, i dashuri im, (Ajo)

je i bukur i dheut!

 

Livadhi plot lule është shtrati ynë,

Kedrat muret e shtëpisë,

selvitë kemi për çati

 

Unë jam trëndafili i Saronit,

Zambaku i luginave.

 

Si trëndafili mes gjembash (Ai)

Kështu është dashura ime mes vajzash.

 

Si druri i mollës mes drurëve të pyllit, (Ajo)

Kështu është i dashuri im mes djemve.

Dua të strukem në hijen e tij,

dhe të ëmbla t’i ndjej pemët e tij në gojë.

 

Ai më shpie aty ku fle vera

më mbështjell me flamur dashurie.

 

Jepmëni pite rrushi të thatë,

me mollë përtërimëni;

se po vdes dashurie.

 

Krahun e majtë ma shkon nën zverk,

Me të djathin më përqafon.

 

Po ju përgjërohem, o bija të Jerusalemit, (Ai)

për gazelat e për drenushat e fushës;

mos ma zgjoni, mos ma zgjoni të dashurën

derisa të zgjohet vetë.

 

Ja! Një zë! Është i dashuri im!

Ja ku po vjen,

Fluturon mal më mal,

Kodër më kodër hidhet.

Si kaprolli i dashuri,

Si dre më ngjan.

 

Ja, u ndal, po rri pas murit,

Nga dritarja sheh,

Vëzhgon përmes grilave,

ç’i shkëlqejnë sytë.

 

Po më thotë i dashuri:

Ngrehu, o mikja ime, o e bukura ime, (Ai)

ngrehu e eja

se, ja dimri shkoi

reshti edhe shiu,

lulet çelën në fusha,

i erdh koha bilbilit,

turtulli ia nisi këngës

fushës sonë.

 

Fiku i lidhi kokrrat

dhe vreshtat e lulëzuara kundërmojnë.

 

Ngrehu, mikja ime, bukuroshja ime,

ngrehu e eja, pëllumbesha ime,

që strukesh plasave të shkëmbit,

skutave të skërkave.

 

Lërmë të ta shoh fytyrën,

të ta dëgjoj zërin,

se zërin e ke të ëmbël, e fytyra të shndrit

 

Gjuajini e kapini dhelprat, (Të dy)

ato dhelprat e vogla

që prishin vreshtat,

se vreshtat tona janë në lulëzim.

 

I dashuri im është imi dhe unë jam e tija: (Ajo)

e atij që kullot grigjën mes trëndafilash

 

Kur të freskojë dita

e të zgjaten hijet

nxito e kthehu, i dashuri im,

rend si kaprolli a si dreri,

përmbi malet që na ndajnë!

 

Shtrirë në shtrat netëve të gjata,

Kërkoj të dashurin e zemrës;

e kërkoj, po s’e gjej.

 

Do të ngrihem t’i bie qark qytetit,

rrugëve e shesheve

tregjeve e udhëkryqeve

të kërkoj të dashurin e zemrës.

 

E kërkova po s’e gjeta.

Hasa rojet e rrugëve:

“A ma patë të dashurinë?”

 

Pak pasi u ndava me ta

e gjeta të dashurin.

i dashuri i jetë sime qenkësh në rrugë…

po më pret.

 

E rrok fort e s’e lëshoj

derisa ta shpie

në shtëpinë e sime mëje,

në dhomën e asaj që më ka pjellë.

 

Ju përgjërohem, o bija të Jerusalemit, (Ai)

për gazelat e për drenushat e fushave:

mos ma zgjoni, mos ma zgjoni të dashurën

derisa të zgjohet vetë.

 

Ç’është ajo që ngrihet prej shkretisë (Kori)

si shtyllë tymi,

dhe erë mire e temjani përhap?

 

Ja bartësja e mbretit Salomon: (lajmëtari)

gjashtëdhjetë luftëtarë i rrinë rrotull

trima mbi trima të Izraelit.

armatosur me shpata,

stërvitur në beteja;

me shpatën në ijë secili

gati t’u bëjë ballë

pusive të netëve

 

Me dru Libani,

mbreti Solomon

bëri për vete një bartëse.

 

Shtylla prej argjendi

Balli ar i gjallë

Shtrojën të purpurt e ka

dhe në mes qëndisur: “Dashuri”

punim i bijave të Jerusalemit.

 

Dilni, o bija të Sionit (Lajmëtari)

vështroni mbretin Solomon

me kurorën që po i vë e ëma

ditën e dasmës,

ditën e festës së zemrës së tij.

 

Sa e bukur je, o mikja ime,

sa e bukur je!

 

Sytë e tu si pëllumba

ç’të shkëlqejnë pas vellos.

flokët si grigjë dhish

që lëshohen shpatave të Galaadit.

 

Dhëmbët grigjë deledash të qethura

që kthehen nga larja;

ecin të gjitha çift

e asnjëra s’është pa shoqe.

 

Kordele pupuri buzët e tua

goja jote plot hir;

thelb shege mollëzat,

të përskuqen që pas vellos.

 

Qafa jote kullë e Davidit,

përsosurisht ndërtuar;

një mijë shqyte i rrinë varur

si armaturë trimash

 

Dy suta gjinjtë e tu,

binjake të gazelës,

që kullot mes zambakësh.

 

Kur të freskojë dita

e të zgjaten hijet,

do të shkoj në malin me mirë

dhe në kodrën e temjanit.

 

Je e bukur yll, mikja ime,

s’ke kund një cen.

 

Eja me mua nga Libani,

o motra ime,

o nusja ime,

nga Libani me mua eja, vrapo!

 

Zbrit prej majës së Amanit,

prej majës së Senirit e të Ermonit

prej strofkës së luanëve

prej malesh të leopardëve.

 

Ma rrëmbeve zemrën,

o motra ime, o nusja ime

veç me një vështrim,

veç me një margaritar të gjerdanit!

 

Sa të ëmbla miklimet e tua,

o motra ime, o nisja ime,

më dehëse se vera

përkëdheljet,

aromë mbi aromat

era e parfumeve!

 

Hoje mjalti buzët,

nën gjuhën tënde

mjaltë e qumësht,

erë parfum Libani

të kundërmojnë rrobat.

 

Kopsht i kyçur je,

o motra ime, o nusja ime,

burim i mbyllur,

çezmë ende e vulosur.

 

Filizat e tu

parajsë shegësh me pemë të shijshme,

drurë selvie e livande,

livande e shafrani,

kanelle e çinamome

me gjithfarë drurësh të temjanit;

mirë e aloeje,

e me gjithfarë erërash të mira.

 

Je çezmë që ujit kopshtet,

pus ujërash të gjallë,

krua që gurgullon prej Libanit.

 

Çohu, o veri, (Ajo)

fryj, o shirok!

fryj në bahçen time,

të përhapen aromat e saj;

Të vijë i dashuri në bahçen e vet

e të shijojë ato pemë aq të mira.

 

Erdha në bahçen time

O motra ime, o nusja ime,

E po mbledh mirën e balsamin tim,

Po ha mjaltin tim e hojen time,

Po pi verën e qumështin tim.

 

Hani edhe ju, o miq! Pini!

Dehuni, shokë të dashur!

 

Po fle, por zemra më rri zgjuar. (Ajo)

Ç’dëgjoj! Zërin e të dashurit që troket:

“Hapma, o motër, (Ai)

o mikja ime, pëllumbesha ime,nusja ime e patë metë!

 

Se koka m’u lag prej vesës,

flokët m’u lagën prej pikash nate”

 

“I zhvesh rrobat,

si t’i vesh prapë?

I lava këmbët,

si t’i ndrag prapë?”

 

I dashuri vuri dorën te vrima e derës:

Fërgëllima më shkundi të tërën.

 

U ngrita t’i hap derën të dashurit

Dhe duart më pikonin mirë,

Shkiste mirë nga gishtat e mi

Në dorëzën e bravës.

 

Ia hapa mikut,

Portiku kishte ikur,

Shpirti më iku pas tij.

 

E kërkova por s’e gjeta

E thirra por s’m’u përgjigj.

 

Rojet e qytetit më gjetën e më rrahën,

Rojet e mureve ma shqyen vellon.

Ju përgjërohem, o bija të Jerusalemit,

Po ma patë të dashurin, ç’do t’i thoni ?

Se po vdes dashurie.

 

E ç’paska ky miku yt ndryshe nga të tjerët, (Të tjerët)

O më e bukura e grave,

ç’paska ndryshe nga të tjerët

që kaq po na përgjërohesh?

 

Bardh’ e kuq vjen në fytyrë (Ajo)

I dashuri im

 

E dallon mes dhjetë mijë vetash.

 

Koka e tij ar i kulluar,

flokët krrelasi vile palme,

të zeza si pendë e korbit.

 

Sytë si pëllumbat bregut të përroit,

dhëmbët larë në qumësht,

margaritarë sëritur në unazë.

 

Mollëzat lëmë erëmimesh,

lehe lulesh plot me erë,

buzët e tij si trëndafili,

kullojnë mirë të lëngshme.

 

Duart unaza ari,

stolisur me xhevahire,

gjoksi i tij si fildishi

i përndritur me safirë.

 

Këmbët shtylla alabastri

n’themel ari të kulluar.

madhështor si Libani

shtatpërhedhur si kedri,

mjaltë të ëmbla i ka buzët,

me gjithçka të zgjon dëshirën.

 

Ja si është i dashuri im,

ja si është miku im,

o bija të Jerusalemit

 

Miku yt ku të shkoi, (Të tjerat)

o më e bukura e grave?

nga ka vajtur, ta kërkojmë?

 

Miku im ka zbritur në kopshtin e vet, (Ajo)

te lehet erëmimeve,

të kullosë grigjat në kopshte,

të mbledhë zambakë

 

I përkas mikut tim,

dhe miku im

që kullot grigjën mes zambakësh

më përket vetëm mua.

 

Je e bukur si Tirsa, o mikja ime

plot hir si Jerusalemi,

e hatashme si ushtri rreshtuar për betejë!

 

Mos më shih me ata sy!

Sytë e tu më turbullojnë.

 

Flokët e tu si tufë dhish

varur shpateve të Galaadit,

dhëmbët grigjë deledash të qethura

sapo dalë nga larja,

shkojnë të gjitha çift

e asnjëra s’është pa shoqe

 

Si thelb shege mollëzat,

të përskuqen që pas vellos.

 

Gjashtëdhjetë janë mbretëreshat,

tetëdhjetë gratë e tjera,

edhe vajza plot, pa numër,

por një është pëllumbesha ime,

e përsosura ime,

bijëz të vetme e ka nëna,

të vetme e më të dashurën.

E shohin vajzuket

dhe e shpallin të lume,

e shohin dhe mbretëreshat,

edhe gratë e tjera

dhe i thurin lavde:

 

Kush është kjo që po del si agimi,

e bukur si hëna,

shkëlqimtare si dielli,

e hatashme si ushtri rreshtuar për betejë?

Zbrita në kopsht të arrave (Ajo)

të shoh blerimin e luginës

të shoh në kanë bulëzuar vreshtat

në kanë çelur shegët.

Por e humba rrugën….dëshira më tërhoqi

si në një koçi princash.

Rrotullohu, o Sulamitë, (Kori)

kthehu të të admirojmë.

 

Ç’ju pëlqen te Sulamita (Ajo)

në vallëzimin me dy rreshta?

Sa të bukura këmbët e tua në sandale, (Kori)

o bijë princi!

Ijet si byzylykë punuar dorës së mjeshtrit.

Kërthiza jote kupë e rrumbullt

plot me verë erëmirë,

barku tufë kallëzash gruri

rrethuar me trëndafilë,

gjinjtë dy suta binjake,

qafa si kullë fildishi.

 

Sytë si liqejt e Heshbonit,

ujë kristal te dyert e Bat- Rabimit.

Hunda jote si kulla e Libanit

që bën roje kundruall Damaskut.

 

Koka të lartohet si bjeshka e Karmelit,

flokët purpur tejendanë,

një mbret ngeci në gërshetat e tu!

Sa e bukur je, (Ai)

o e dashura ime,

sa tërheqëse je,

më e ëmbla e kënaqësive!

Shtati yt si palmë

gjinjtë si bistak palme.

 

Thashë:

Po hipi në palmë

e po këpus bistakët.

 

Gjinjtë e tu vile rrushi,

fryma e gojës era mollë,

qiellza jote më e mira verë…

që rrjedh ëmbël te i dashuri,

shket në buzët e përgjumura

të zgjojë fjalë dashurie!

 

I përkas mikut tim, (Ajo)

dëshira e tij më ndez flakë.

 

Eja, miku im, dalim fushave,

fshatrave natën ta kalojmë!

 

Në agim shkojmë te vreshtat,

të shohim:a ka bulëzuar vreshta,

a e ka çelur lulen,

shega a ka lulëzuar?

Atje do të ta fal dashurinë.

 

Mandragorat kundërmojnë

e në dyert tona

pemë të shijshme janë varur,

të njoma e të thata,

i kam ruajtur për ty, i dashur.

 

Ah, të ishe vëllai im,

mëkuar në gjirin e sim mëje!

 

Kur të të shihja jashtë

do të të shqyeja së puthuri

e askush s’do më shante.

Do të të merrja në shtëpi,

në shtëpi të sime mëje,

verë nga më e mira do të të nxirrja,

lëngun e shegës sime.

 

Të majtën e tij e kam nën zverk,

me të djathtën më përqafon!

 

O bija të Jerusalemit, ju përgjërohem, (Ai)

mos ma zgjoni, mos ma zgjoni të dashurën,

derisa të zgjohet vetë!

 

Kush është ajo që ngjitet nga shkretëtira (Kori)

mbështetur pas mikut të vet?

 

Në hije të mollës të zgjova (Ai)

aty ku të ngjizi jot ëmë,

aty ku të polli jot ëmë. (Të dy)

 

Vërmë si blatë në zemrën tënde,

si blatë vërmë në krah,

se dashuria është e fortë si vdekja,

si ferri, i ngulët, është pasioni:

flakë zjarri është përvëlimi i tij,

flakë Amshimi!

 

Oqeani s’e shuan dot dashurinë,

lumenjtë s’e përmbytin dot!

Shtëpi e katandi në dhëntë ndokush

që ta blejë dashurinë,

prej gjithkujt do të përbuzej!

 

Një motër të vogël kemi (Të tjerët)

ende pa dalë gjinjtë,

ç’do të bëjmë me motrën

kur të na i kërkojnë?

 

Të ishte mur

do ta mbronim sipër me kulla argjendi;

të ishte derë

do ta forconim me dërrasa kedri.

 

Unë mur jam, (Ajo)

gjinjtë e mi janë kulla:

por fytyrës së tij

vij t’i sjell paqen!

 

Solomoni kishte një vreshtë (Ai)

në Baal-Hamon,

ua besoi vreshtën rojtarëve,

secili duhej t’i jepte për prodhimin

një mijë pare argjendi.

Unë vreshtën time, që është imja, e ruaj vetë;

ti, o Salomon, merri një mijë paret,

e le të kenë dyqind edhe ata që ruajnë frutin!

 

O ti që banon në kopshte,

shokët e mi rrinë veshngrehur

të të dëgjojnë zërin!

Folë të të dëgjoj!

Ik e rend, i dashuri im, (Ajo)

rend si kaproll, si dre hidhu

përmbi malet e aromave!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here