Përtej retorikave/ Pse sot shumë shqiptarë janë të revoltuar me pushtetin!

0
143

Nga Gëzim Saliu

Përmes një akti të paprecedentë në historinë e jetës politike shqiptare, deputetët e opozitës vendosën të heqin dorë nga mandatet e tyre, duke e përqëndruar 100% aksionin në rrugë me protesta popullore. Deri më tani, opozita ka zhvilluar tre tubime të mëdha, ku më kryesori ka qenë ai i 16 shkurtit para Kryeministrisë, por jo më pak i fuqishëm ai i 26 shkurtit. Ky i fundit ishte një tregues i fortë për revoltën popullore që ka shpërthyer thuajse në cdo cep të vendit, pasi  vetëm në dy orë pasi u bë publikë ora e seancës parlamentare, në sheshin para Kuvendit u mblodhën me mijëra qytetarë. Një organizim i tillë, kaq i shpejtë, tregoi se përtej kauzës së opozitës, e cila ka këndvështrimmet e saj pozitive dhe negative, ka një inat popullor që po merr hov nga dita në ditë. Dhe arsyet për këtë nuk janë të pakta. Pa përfshirë retorikat politike, por duke ju referuar shifrave që nuk lënë vend për aludime, vlen të vëmë pikat mbi “i” për arsyet se pse një pjesë e mirë e shqiptarëve sot janë të revoltuar me Qeverinë dhe fatkeqësisht të pashpresë për një të ardhme më të mire.

Emigrimi– Shifrat e larta të shqiptarëve që kanë emigruar në Evropë në katër vitet e fundit, janë një tregues “kokëfortë” iu një gjendje të vështirë në vend, kryesisht sa i përket jetë familjare dhe të ardhurave që siugorhen nga puna.  Sipas të dhënave të INSTAT në 2018-ën kanë udhëtuar jashtë vendit 4 milionë e 969 mijë shtetas, ndërsa janë kthyer vetëm 4 milionë e 766 mijë shtetas. Mbi 202 mijë shqiptarë kanë ikur dhe nuk janë kthyer ende. Diferenca e lartë ndërmjet ikjeve dhe kthimeve që është mesatarisht rreth 300 mijë persona në vit në 5 vitet e fundit përbën një shifër alarmante. Megjithëse shifrat e udhëtimeve, nuk janë tregues direkt i emigracionit, sërisht ato janë një tregues indirekt që shumë shqiptarë që ikin nuk preferojnë të kthehen më në atdhe.

Përpos kësaj, një studimi, i udhëhequr nga Russell King i Universitetit të Sussex dhe studiuesi shqiptar Ilir Gedeshi, zbuloi se migrimi potencial i vendit ishte rritur nga 44 përqind në 2007-ën, në 52 përqind në 2018-ën. Studimi tregoi se motivet ekonomike ishin akoma faktori kryesor i migrimit, por me ndryshimin se tani shqiptarët preferojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe SHBA-ve.

Ndërkohë tronditës është fakti i fundit i përcjellë nga UNICEF në Itali i cili tregon se  1550 të mitur shqiptarë janë futur në shtetin italian në vitin 2018.

Është padyshim e vërtetë se emigrimi është një fenomen global dhe si i tillë ndodh edhe me shqiptarët. Por është po ashtu fakt se problematika më e madhe e këtij fenomeni shihet tek numri i lartë i emigrantëve që ka Shqipëria, aq sa për tre vitet e fundit kemi qenë të dytët pas Sirisë, një vend që është “pllakosur” nga lufta prej kohësh. Për të mos shtuar këtu edhe largimin e profesionistëve, ku më së shumti mjekë e infermierë po aplikojnë thuajse përditë për punë në Gjermani. Një tjetër rrjedhje masive kjo nga vendi, që dhimbjen e “plagës së pashërueshme” do ja ndjemë shumë fort më pas, por do jetë tepër vonë!

Një eksod i tillë i shqiptarëve bie ndesh katërcipërisht me atë çfarë propagandon përditë Qeveria në ekrane. “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, slogani i socialistëve shumë shpejt ka gjasa të kthehet në “Shqipërinë e gjeneratës së tretë”, duke ju referuar të moshuarve, të cilët ndoshta do jenë të vetmit që doi mbesin në vend dhe me shumë gjasa nuk do e mendojnë emigrimin “për një jetë më të mirë”.

 

Varfëria- Vetëm pak kohë më parë Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë si vendin me nivelin më të lartë të varfërisë në Rajon. Sipas Bankës, një e treta e popullsisë shqiptare jetonte me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërkohë që në vendet e tjera kjo shifër ishte dukshëm më e lartë. E çfarë duhet më shumë se kaq për t’u ndjerë i revoltuar?! Premtimet për zbutjen e pabarazisë nga qeveria e kryeministrit Rama jo vetëm që nuk po mbahen, por duket se përmes tenderave korruptiv dhe PPP-ve për ato që rëndom cilësohen si oligarkë, po thelllohet gjithnjë e më shumë pabarazia në vend.

Korrupsioni- Një studim i fundit i publikuar nga “World Justice Project” një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregoi se Shqipëriaishte një ndër vendet më të korruptuara të botës përsa i përket zbatimit të ligjit.  Shqipëria konsiderohet si një vend i korruptuar në të gjitha instancat shtetërore dhe për këtë pjesë të studiuar renditet në vendin e 103 nga 126 vendet (duke u përkeqësuar në raport me një vit më parë kur ishte në vend të 93).

Për të mbetur tek korrupsioni, i cili në theb përbën edhe “thembrën e akilit” të qeverisë socialiste, Shqipëria është një nga vendet ku perceptimi i korrupsionit nga qytetarët e saj është ndër më të lartët në botë, sipas nën-indeksit të korrupsionit, të matur si pjesë e Indeksit të Lumturisë të publikuar së nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu Shqipëria renditet si vendi më i korruptuar në Evropë, sipas raportit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2018 nga Transparency International, organizatës më të rëndësishme kundër korrupsionit në botë.

Janë më së paku tre nga organizatat më të fuqishme në botë për matjen e korrupsionit, të cilat e vlerësojnë Shqipërinë si vendin më të korruptuar të Evropës. Dhe kur niveli i korrupsionit është i tillë, si pritet që qytetari të gjejë zgjidhje tek institucionet për hallet e përditshme? Si mundet që qytetari të besojë që të gjitha perceptimet për korrupsionin nuk janë të vërteta kur ka parë më zë e figurë se si për 2 km rrugë ishin parashikuar 40 milionë euro fonde e ndërsa kompania që ishte shpallur fituese në tender kishte aplikuar me letra fallso?!

Rendi e siguria– Për të ardhur tek rendi dhe siguria, e cila është trumbetuar fort nga përfaqësuesit më të lartë qeveritarë si pika më pozitive e qeverisë socialiste. Për vitin 2018 sipas statistikave zyrtare janë shënuar 45 vrasje me dashje dhe 97 vrasje të mbetura në tentativë. Më e rëndë duket situate sa i takon vrasjeve të lidhura me gjininë për vajzat dhe grate, ku sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën, Shqipëria mban nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra.

E nëse kësaj listë faktorësh “rrënimi qytetar” do t’i shtonim edhe ato piketa që cilësohen si kauza të opozitës, sic janë kriminalizimi i jetës politike dhe shitblerja e votës e faktuar përmes përgjimeve të zbuluara në media, askush nuk mbetet më në dyshime se pse sot shumë shqiptarë janë të revoltuar me pushtetin!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here