Rrëfimi nga 313-ta/ Elivar Golemi: Si e mësova arrestimin, natën e parë në burg e kam kaluar në këmbë

0
165

elivariIsh inspektorja e Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi ka rrëfyer nga qelitë e burgut 313 momentet kur mësoi arresitimin dhe si e përjetoi natën e parë në izolim. Gjatë intervistës në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, Elivar Golemi u shpreh se është e bindur për pafajsinë e saj dhe se beson te drejtësia.

 

Është komentuar shumë përshëndetja dhe qeshja juaj në sallen e gjyqit në gjykimin e parë? 

Me lejoni t’ju sqaroj… Kur kam hyrë në sallën e gjyqit ditën e dielë, në gjykatën e Tiranës, isha pothuajse e shkatërruar. Ishte dita e tretë e izolimit. Nuk kisha asnjë informacion çfarë po ndodhte jashte. Si ishin prindërit e mi? Më mbyste brenga nëse ata kishin rezistuar dhe ishin akoma në këmbë. Në një moment pashë dy fytyra familjare të tmerruara, por që po mundoheshin të më jepnin një buzëqeshje. Buzëqeshja e tyre më dha një force për ti përshëndetur. E gjithë kjo ishte përt`ju dhënë sado pak zemër atyre në atë gjëndje që i pashë, për t`ju thënë se nuk është asgjë, se unë jam mirë dhe gjithçka do të kalojë. Kjo është historia e përshëndetjes në sallë të gjyqit aq e komentuar në gazetat deri aty sa,një gazetare më ka krahasuar me një naziste, pse qesha atë ditë.

 

Si e mësuat vendimin për arrestimin tuaj ?

Atë ditë, e premte më 5 shtator në mbrëmje kam dalë nga zyra diku nga ora 18:30 – 19:00 pasdite. Isha e rraskapitur. Kishim të paktën 6 javë, pas ngjarjes së ndodhur në Departamentin e Emisionit, qe fillonim punën në 8 të mëngjesit deri në darkë, madje ka pasur raste deri në mesnatë në punë.

Një mikeshë e imja shumë e mirë më kishte telefonuar për një kafe poshtë pallatit ku unë banoj. Vetëm pak kohë pasi u takuam, një kushëriri im më merr në telefon dhe më thotë …Lëre kafen dhe shiko lajmet dhe mbylli telefonin.  i lutem kamarierit të hapë TV tek lajmet, dhe direkt shokohem nga titrat…”Arrestohet Guvernatori Fullani”, toka nën këmbë për një çast mu lëkund. Guvernatorin e kisha takuar vetëm pak orë më parë, ku i kisha dorëzuar një raportim pune. E kisha lënë në zyre pas një takimi me misionin e FMN. Nuk kisha parë gjatë gjithë ditës as shenjën më të vogël se mund të ndodhte kjo. Ishte dita kur 2 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, kishin dhënë dëshminë e tyre në prokurori, bashkë me ish-inspektoren e përgjithshme. Jo s`ka mundësi po mendoja me vete. Ndërkohë titrat ndryshojnë dhe filloj të lexoj “Arrestohet Inspektorja e Përgjithshme (Kryeinspektorja) Elivar Golemi”. Këtë herë salla më erdhi rrotull dhe fillova të ndjej ftohtë. Nga britmat tona njerëzit kthyen kokat për një moment, por nuk më njihnin dhe nuk besoj se dyshuan se njeriu i arrestuar ishte ende aty në lokal midis tyre. Po unë jam këtu thashë me vete, si më paskan arrestuar? – kështu arrestimin tim e kam mësuar nga lajmet në lokal. Mblodha pak veten dhe telefonova avokatin të cilin e njihja që më parë, dhe i kërkova çfarë të bëj. Prit në banesë më tha dhe mos u largo, se po nuk të gjetën në shtëpi rrezik të shpallin në kërkim dhe mund të konsiderohet sikur ke dashur të fshihesh dhe mund ta quanin rrethanë rënduese. E pyeta mos duhet të shkoja vetë për tu sqaruar, megjithëse as nuk e dija se ku duhet të shkoja… Akoma nuk më besohej se isha arrestuar. Jo më tha avokati prit në shtëpi se vijnë vetë ata. Shprehje si arrest, shpallje në kërkim, etj…i kisha lexuar shpesh në gazeta por as që më shkonte mendja se do të përdorja ndonjë ditë për vete.

 

A mund të ma përshkruani natën e parë në burg ? 
Nata e parë…ah ende me dhemb kur e kujtoj, apo më mirë ato tre net izolimi në ato qeli. Ora mund të kishte kaluar mesnatën kur u mbyll dera e hekurt e qelisë. Shoh qelinë: Brenda kishte një shtrat me batanije, një banjo dhe një lavaman në tokë dhe në parvazin e dritares kishte pafundësi bishta cigaresh dhe grumbuj papastërtish. Natën e parë kam ecur në këmbë, nuk kam fjetur dhe më e bukura ishte se as gjatë ditës nuk kisha kurrëfarë nevoje për gjumë.

 

Refuzimi juaj për tu paraqitur në komisionin e ekonomisë është pritur keq nga opinioni gjë që është reflektuar në rrjetet sociale. Pse ju e refuzuat. A ju këshilluan keq? 16/1. Ne fund të fundit ju jeni zgjedhur pikërisht nga parlamenti. Sipas kryetarit të komisionit të ekonomisë qëndrimi juaj ishte i paprecedente dhe antikushtetues

 
Nuk ishte çështje frike por ligji! Së pari nuk më ka këshilluar askush sepse nuk mund të pranoja këshilla për diçka që është në ligj. Po ju sqaroj drejt dhe saktë pa lënë shteg për interpretim. Ligji për Bankën me detyron të raportoj vetëm në Këshillin Mbikëqyrës. E theksoj vetëm në Këshill dhe askund tjetër. Nuk më lejohet nga ligji të raportoj diku tjetër. Dhe jo vetëm kjo, por ligji detyron vetëm Këshillit Mbikëqyrës të miratoj raportet qe i drejtohen Kuvendit. Si mund të shkoja unë në Kuvend të raportoja kur duhet të raportoj vetëm para Këshillit. Dhe si mund të pritej raporti im kur vetëm Këshilli miraton raportet qe i dërgohen Kuvendit. Unë vërtetë emërohem nga parlamenti,ashtu siç emërohen edhe anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës, por më ka kufizuar ligji të raportoj vetëm para Këshillit Mbikëqyrës. Refuzimi ishte një vendim personal ashtu siç ishte vendimi edhe i gjithë anëtarëve të tjerë të KM për tu mos u paraqitur para Komisionit te Ekonomisë, pavarësisht se vendimi i tyre mund të interpretohej njëlloj antikushtetues dhe anti- ligjore. Z.Brace, me kërkesë të tij, mori një raport prej 540 faqesh nga Banka, për këtë veprimtari. Si mund të veproja ndryshe? Në shkelje të ligjit?? Pa folur pastaj për shkresën e tij pa asnjë referencë ligjore, pa asnjë temë konkrete por thjesht “eja dhe dëshmo për problematikat e bankës”. E këtu nuk po përmend nenin 80 të Kushtetutës se është një argument plus.

 

Si e shikoni fundin e këtij procesi dhe të ardhmen tuaj?

Jam e bindur në pafajësinë time dhe se nuk ka mundësi që drejtësia të mos rivendoset por të veproje gjithmonë si deri tani. Unë besoj të ligji dhe drejtësia si filozofi. Nuk ka sadisfaksion më të madh për çdo njeri kur vëren që rivendoset ligji dhe drejtësia. E kundërta është shumë tragjike.
Të ardhmen time e shoh që, kur të dal, do filloj gjithçka nga e para dhe do ti arrij pikësynimet që i kisha vënë vehtes para se të ndodhte e gjithë kjo. Do të përfundoj provimet dhe do të pajisem me licencë ndërkombëtare si financiere. Principi kryesor i egzistencës është: “Të gjitha situatat në jetë përshtati për vetë, që gjithnjë prej tyre të marrësh më të mirën.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency