Babai denoncon në polici/ “Dua djalin, dyshoj se ka ikur në Siri”

0
175

Hysen Laze nga Skrapari kërkon ndihmë për gjetjen e djalit të tij 38-vjeçar, Daut Laze, të zhdukur prej tri vitesh

xhihadiste_588355_largeNjë burrë ka denoncuar në polici humbjet e të birit që prej vitit 2011, duke shprehur shqetësimin se i biri mund të ketë shkuar për të luftuar në Siri përkrah xhihadistëve. “Më ndihmoni, dua të gjej djalin. Mendoj se ka ikur në Siri për të luftuar”. Ky është denoncimi që është bërë në komisariatin numër 6 në kryeqytet vetëm pak ditë më parë nga Hysen Laze. Mësohet se Laze është me origjinë nga Skrapari dhe jeton në zonën e Yzberishtit dhe prej ditës së premte ka bërë denoncimin për humbjen e djalit të tij pranë autoriteteve të policisë.

Sipas burimeve të policisë së komisariatit nr. 6, mësohet se mëngjesin e së premtes, pranë këtij komisariati, në Kombinat, është paraqitur Hysen Laze dhe ka denoncuar “zhdukjen” e djalit të tij, 38-vjeçarit Daut Laze. Nga të njëjtat burime mësohet se babai Hysen Laze ka deklaruar para strukturave të rendit se i biri i tij prej disa muajsh është larguar nga shtëpia, por pa u treguar prindërve se ku po shkonte. I ati i 38-vjeçarit ka kërkuar nga forcat e policisë që të nisin verifikimet për rastin e djalit të tij, duke kërkuar që ta kthejnë atë në shtëpi. “Dyshoj se djali im ka shkuar për të luftuar me grupet xhihadiste. Ka disa muaj që është zhdukur dhe dua ta verifikoni se ku e kam djalin. Dua të ma ktheni në shtëpi”, – mësohet të ketë thënë para efektivëve të policisë Laze. Sipas denoncimit të tij, ai ka dyshime për djalin e tij, duke u nisur nga veprimet e fundit të 38-vjeçarit dhe shoqërimet e tij me persona të cilët ngjallnin dyshime. Burime nga policia bëjnë me dije se pas marrjes së këtij denoncimi, kanë nisur verifikimet dhe hetimet e policisë, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë të saktë, pasi verifikimet në këtë rast janë të vështira, deri në momentin që të arrihet në konkluzionin nëse vërtet 38-vjeçari është nisur për të luftuar për xhihad në Siri. Ndërkohë burime nga policia bëjnë të ditur se të dhënat për personin e denoncuar si të zhdukur nga familja i kanë kaluar Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili ka nisur hetimet për të zbuluar nëse Daut Laze është një nga xhihadistët shqiptarë që po lufton në Siri. Të shumtë janë shqiptarët, kryesisht nga Kosova, që kanë shkuar të luftojnë përkrah xhihadistëve në Siri dhe ku më i kërkuari për terrorizëm është Lavdrim Muhaxheri.

 

Siri/ Vritet një 17-vjeçar shqiptar

Një tjetër shtetas shqiptar mësohet se ka mbetur i vrarë në Siri. Sipas mediave kosovare, mësohet se 17-vjeçari Melos Selami Kosumi, nga një fshat i Gjilanit, është vrarë në Siri.

Mediat kosovare bëjnë me dije se Melosi studionte në një shkollë në Turqi dhe nga aty pa i njoftuar prindërit kishte shkuar për të luftuar në Siri. Familjarët e të riut konfirmojnë vdekjen e tij, duke saktësuar se Melosi është vrarë para një jave. Ata shprehen se 17-vjeçari ishte një nxënës i mirë që studionte në Turqi dhe vendimin për tu larguar në Siri për luftë, nuk e ka konsultuar me të afërmit.

 

 Pogradec/ Vajza e dhunuar denoncon te fejuarin dhe ndahet prej tij

Një vajzë nga Pogradeci e ka denoncuar në polici për dhunë të fejuarin, me të cilin bashkëjetonte. Polica lokale bëri të ditur se pas denoncimit të saj u bë arrestimi në flagrancë i 28-vjeçarit Vladimir Dervishaj, banues në fshatin Hudënisht të Pogradecit. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të bashkëjetueses L. Ç., 18 vjeç, banuese në lagjen nr. 3 në Pogradec, e cila deklaroi para uniformave blu se është dhunuar fizikisht nga i fejuari i saj.

“Pi çdo ditë dhe më rreh. Nuk e shtyj dot më jetën me të. Jemi ende të fejuar dhe në fillimet tona dhe dhuna ka qenë e pafund. I thashë se do e lija nëse do vazhdonte të pinte më dhe ai u sul mbi mua dhe më rrahu”, – mësohet të jetë shprehur e reja në polici, duke treguar se nuk ka në plan që të bashkohet më me Dervishaj. Lidhur me këtë ngjarje materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Dhunë në familje”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency