Opinion/ Edison Ypi: E enjte pa Doktor

0
724

Të tmerruar nga të njëjtat halabakllëqe të përsëritura pafund, shqiptarët kanë filluar të mos e shohin në televizor të enjten parlamentare. Ajo që shqiptarët, nga meraku se j’u shpifet majasilli, nuk e lënë kurrë pa parë në televizor, është e enjtja mbrëma. Këtë të enjte mbrëma u bë hataja. Te Topi Edi Rama. Te Klani Lul Basha. Te Newsi Abas Aliu, Te Ora Ben Blushi. Zjarr telekomanda. E enjte televizive kaq e ngjeshur nuk ishte parë. Abas Aliu e menazhoi mrekullisht. U çfarë sikur po kthehej nga një vizitë purifikative në Teqenë e Alipostivanit duke shtrënguar në duar timonin e një fuoristrade.

E realizoi me sukses zbritjen e rrezikshme nëpër kthesat e ngushta rrëshqitëse të Hambullës, derisa ja doli mbanë, zbriti paq në Mullirin e braktisur në rrugën e asfaltuar, ku mori frymë thellë, gati për betejat e tjera të afërta dhe të largëta. Lubonja nuk arriti ta gozhdojë përmes mjaullimave që i ka zanat. Shigjetat e helmatisura verbale dhe piruetat linguistik e të Bushatit nuk e prekën megjithëse Bushati e zbrazi të gjithë arsenalin e lapsit të mprehur fort si e lypte ky rast. Plot me racionalitet elbasanlliu dhe delir kolonjari, Blushi dha e mori me virtuozitet letraro artistik të pashoq. Duke shfrytëzuar sa mundi handikapin video ndaj perfeksionimit ortografik, arriti ta shmangi hellin lyer me dhjamë komunist që Dran Hila provoi t’ja fuste duke ja rrëshqitur urtë e butë. Në këtë mënyrë Blushi ja arriti ta kapërxejë Qafën e Qederit dhe doli gjallë te Qafa e Qarit. Çfarë  Blushi bëri gabim ishte retorika me të varfëre të pasur ashiqare huazuar nga propaganda e kurvit.

Blushi bën mirë që për rendiment sa më të lartë herë tjetër ta ujdisi pak thepshqekzën e oratorisë. Se të varfër dhe të pasur ka e do ketë gjithmonë. Apo jo Blush ? Basha nuk e pati të vështirë. Ka grumbulluar goxha përvojë opozitare. Energjinë, aftësinë artikukuese, stilin, i ka tamam për Kryeministër të ardhshëm pas pak muajsh. Çfarë Edi Rama po bën me Merkelin dhe Putinin është pak a shumë çfarë bënte Ali Pashë Tepelena me Napoleonin dhe Carin e Rusisë. Por në një stil tjetër. I ka hy Danubit më këmbë dhe Uraleve me not. I ka varur shresat te shkeslliku. Putinin që po synon ta pushtojë Amerikën po kërkon ta martojë me Bleona Qerretin. Merkelit që i qan syri (jo i Çim Pekës) për Ballkanin po do t’i japi për burrë Ditmir Bushatin. Thotë Rama me vete; Sa kohë ata të dy të jenë të zënë me dasmat dhe me muajt e mjaltit, e pushtoj botën. Bukur. Le ta pushtojë Rama botën. Manovrat me dasma kanë rezultuar të suksesshme. I vetmi problem është që gjatë pushtimit të botës, ose së paku zgjerimit të Shqipërisë sa Rusia, të gjejë një mënyrë për ta bindur kallaballëkun se nuk po vepron si kurvi i cili manovrat me Rusinë, Jugosllavinë, Kinën, i bënte për të ruajtur bythën e vet, por si Pashai i Janinës për të ndërtuar Shtet. Rama bëri dhe një gabim që si autor i disa librave nuk i falet. Ngatërroi diçka. “Të urtat gjer në dhimbje, të thjeshtat gjer në madhështi” është nga një kryevepër antikonformiste “Mësueset e Fshatit”, dhe jo perifrazim nga soc-letërsia.

Ndodhën pra plot gjëra gjatë kësaj të enjteje mbrëma. Megjithatë e enjtja sesi ishte, sesi mbeti, si pa lezet, pa energji, pa këndshmëri. Zor të thuash se kjo ndodhi, për shembull, ngaqë në arenë munguan ata të dy që me shpata, heshta, parzmore, topuzë, ata që të enjten e përskuqin, e përgjakin, kollosët e debatit Artur Zheji dhe Henri Çili. Atëhere pse mbeti kaq e flashkët kjo e enjte ? Gjatë asaj dite gjithçka ndodhi si dhe më parë; Televizionet lexuan si çdo mëngjez titujt e gazetave. Kanabisi i korrur vazhdoi të transportohet shumë dhe të kapet pak. Njerëzit u ulën nëpër kafenera. Thikat therën fytet. Kush vrau, ja arriti qëllimit. Kujt i qe shkruar të vritet, u nis te të shumtët. Epo pse pra pse, pse e enjtja mbrëma qe aq e sheshtë, aq e shpëlarë ? Për atë që ka dy pare ment në kokë dhe këtë vend e do, përgjigja është e thjeshtë. Sepse mungoi Doktori. Pa Doktor në Shqipëri nuk ka, jo vetëm të enjte televizive, por as të premte të zezë, të shtunë pushimi, të djelë turizmi, të hënë pune, të martë gallate, të mërkurë qefi. Pa Doaktor Shqipëria është bosh. Pa Doktor në Shqipëri nuk ndodh asgjë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here