Sa vështirë është të flasësh për historinë, kur ke studiuar histori

0
396

Dr. Ndriçim Mehmeti

Nëse dikush mendon se vështirësia rritet për shkak të përgjegjësisë, fakteve dhe argumenteve të forta që duhet të parashtrosh, dëshirës për të përcjellë realitetin ashtu siç ka qenë, e ke përjetuar apo dokumentuar, e ka gabim. Në vendin tonë që quhet Shqipëri, vështirësia qëndron për faktin se historianëve apo atyre që kanë studiuar histori, kanë një kontribut të madh, modest apo kanë qenë dhe janë mësimdhënës, pedagog në fushën e historisë, shumë pak u bie radha të flasin për atë që ata dinë ta bëjnë më mirë . Në vendin e tyre flasin gjithfarë njerëzish: gazetarë, sociolog, të vetë emëruarit politolog, analistë; endrolog, fizikantë dhe astronautë, anglisht folës dhe studiues të gjuhës arabe, hispanike dhe esperante etj, etj. Është shumë e rëndësishme, që kur flitet për historinë të mungojnë me domosdo historianë.

Përse ndodh kjo?

Fare thjesht. Nuk na duhen as nuk na interesojnë faktet historike. Ato i dinë dhe i servirin më mirë ata që kanë mbaruar studimet në fushën e gazetarisë, e më pas kanë ndjekur “hobin” e tyre në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, pasionantë të historisë për shkak të lidhjes së ngushtë të familjes së tij “me çlirimtarët” e “mëdhenj” të Shqipërisë, studiues autodidaktë të historisë njerëzimit e më gjerë, nacionalistë të vetëshpallur me petkat e nëntorit 1945, përkthyes, studiues, historian, entolog, të përmbledhura në një person, që ndonëse nuk i ka thënë kush puna ,mbarë i zotëron të gjitha këto profesione. Ka edhe më tej: Njerëzit autodidakt. Këta janë shumë herë më të preferuar, pasi nga goja nxjerrin xhevahire dhe flasin e ç’nuk thonë duke i rënë rreth e rrotull ngjarjes e duke mos ditur ku të ndalen. Shumë më të pirur prej historisë janë shkrimtarët, që kanë qëlluar të merren edhe me politikë. Këta përvese ngatërrojnë nag fillimi në fund historitë dhe japin gjykime jo sipas meje, por si kriter i së vërtetës, nagtërrojnë edhe personazhet, duke i vënë në kohë e kontekst tjetër. Dhe kjo të kujton atë shprehjen në formë strofe kënge, që thuhej për që kërkonin të bëheshin interesant në një bisedë, flisnin me kompetencë të plotë për historinë. Kësaj kategorie i këndohej kënga “Luftove përmbi gjermanë, trim o Skënderbe; ata me top e ti me shpatë trim o Skënderbe”. Këta njerëz qarkullojnë në të gjitha studit, artikulojnë të njëjtat fakte e debatojnë me të njëjtat argumente. Kanë vetëm një ndryshim: Ndryshojnë veshjen. Por ama ata janë më të kërkuarit në studio. Të zbavitin, “kanë ndjenjën” e debatit të fortë, pasi nuk akne argumente ku të mbështesnin dhe sigurisht si të tillë mendohet se tërheqin më shumë audiencë. Dhe kjo e fundit është më e rëndësishme se çdo gjë. Kjo është mbi interesin publik, mbi edukimin e të rinjve me të vërtetën, mbi ndriçimin e ngjarjeve që mbajnë peng shoqërinë, mbi profesionalizmin që duhet të ketë media. Mbi gjithçka janë njerëzit që na ndjekin, sa kënaqen prej sherrit që provokojmë vetë moderatorët ose e stisin aty për aty.

Pse debati për historinë shpërthen gjithnjë në prag të zgjedhjeve elektorale?

Ndoshta kjo ka ndodhur thjesht si një rastësi. Por kjo rastësi ka qëlluar tepër fatlume për tre kategori: Për ata që janë shtetarë dhe bëjnë sikur dalin nga radhët e politikë se futën në radhën e patriotëve të thekur; për ata që u “djeg” barku për partizanët, luftën çlirimtare e kështu me radhe, si dhe për kategorinë e shumët që merret me historinë në Shqipëri, të cilët mezi presin të shfaqin “talentin e tyre” në këtë fushë. Të tri këto kategori janë në një linjë të përbashkët të mendimit të tyre: Atyre nuk u intereson shume mendimi i të terave as faktet, u intereson se e vërteta e vetme është ajo që del prej gojës së tyre. Nuk ka madje rëndësi as ajo që kanë thënë vetë protagonistët e ngjarjeve, pasi këta i shohin “në një kënd tjetër, nën dritën e fakteve të reja, në një kontekst më bashkëkohor, më evropianit” etj., etj. Dhe sigurisht kanë të drejtë, vetëm duke e parë në këtë këndvështrim mund  të arrish, të manipulosh, mashtrosh, gënjesh, të demonziosh, denigrosh, këdo që ta merr mendja. Nuk është se nuk gjen ende terren ndër shqiptarët parulla “O me ne o me Ballin, rrugë të mesme nuk ka”. Për këta njohës “të thekur” të historisë është shumë e rëndësime, që duke mbajtur gjallë debatin e luftës, mbi fakte të paqena, na duhen gjithnjë e më shumë vota prej të ashtuquajturve veteranë, që vetëm në Shqipëri, gjenden me shumicë si në asnjë vend tjetër. Është një mundësi e artë që debati për historinë të heq vëmendjen nga varfëria, korrupsioni, hajdutllëku, maskarallëku, uria, ankthi, stresi, pasiguria që ekziston për fat të keq mes shoqërisë sonë.

Për këtë arsye duhet ushqyer një debat, që shumë vende me plagë edhe më të mëdha se ne në Luftën e Dytë Botërore. Vende si Gjermania, Franca, Italia etj. i kanë vënë kapakun këtyre ngjarjeve, jo thjesht duke i mbyllur e mos folur për to, por duke debatuar shumë më herët, duke mësues prej historisë, duke e vënë atë në shërbim të një të ardhme më të mirë. Nuk kanë ngurruar të dënojnë dhunën, padrejtësinë, vrasjet, përndjekjen, nëpërkëmbjen, duke i mëtuar popullit të vete sentencën e famshëm amerikane “Fal por mos harro”, apo thënie të tilla “Studio të kaluarën, në mënyrë që të mis e përsëritësh e të ndërtosh një të ardhme të sigurt”.

Në të kundërt të gjithë kësaj trashëgimie të pasur evropiane e botërore, ne shqiptarë jemi të prirur të bëjmë të kundërtën. Në një histeri të pa konceptueshme “intelektuale”, ndajmë edhe njëherë popullin në ata dhe në këta, etiketojmë gjithkënd individ, institucion, si të lidhur me “tradhtarët që desh na bënë hatanë” në Luftën e Dytë Botërore. Por kur vjen fjala të diskutohet se si u përdor lufta në Shqipëri, gjaku i dëshmorëve për të cilin “qajnë” të ftuarit e zakonshëm: Atëherë përgjigjja është, “Po s’jemi mbledhur për këtë”.

Po natyrisht këta njerëz kanë të drejtë. Kanë të drejtë për sa kohë krimet e komunizmit nuk u bënë objekt i një gjyqi shembullor, siç ndodhi me Nuremburgun. Kanë të drejtë për sa kohë kryexhelati i “drejtësisë popullore” në demokraci, bënte shëtitje i qetë e i patrazuar nga askush në rrugët e Tiranës. Për sa kohë të persekutuarit politik, u përdorën dhe keq përdorën (siç vazhdon të ndodh), duke i lënë në mjerimin e vet edhe pas 25 vjetësh. Kështu do të ndodhte përderisa kierakë komunistë u bënë profesor të demokracisë dhe ne përsëri u themi amin. Kështu do të ndodh përderisa krimet e komunizmit, zënë pak ose aspak vend në ndërgjegjen tonë kolektive.

Ne nuk mund të mbrohemi duke bërë sikur kemi harruar të kaluarën dhe as sikur po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët, duke mësuar nga e kaluara e hidhur. Ne duhet ta shohim me guxim të kaluarën, ta shqyrtojmë me gjakftohtësi, duke thënë të vërtetat edhe pse ato mund të lëndojnë dikë ose një grup njerëzish. Përndryshe ne do të mbetemi përjetësisht peng të së kaluarës dhe në dorë të manipulatorëve të historisë, nga studiot e televizive.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here