Lista e PS-së Rama falënderon “të larguarit”, lë jashtë Malajn, Ligorin dhe Gjonin

0
151

Gëzim Saliu

ramaKreu i PS-së: Shprehën pa ekuivok mbështetjen ndaj PS-së

 

Me vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ata që u larguan nga lista e PS-së dhe nuk shprehën kundërshtime, kreu socialist Edi Rama nuk ngurroi të akuzonte dje indirekt të përjashtuarit “e zëshëm”. Përmes rrjetit social FB, kryesocialisti falënderoi deputetët Ruka, Bizhga, Isaraj, Deda, Minxhozi, Beci e Hasa për sjelljen e tyre, duke mos përmendur në këtë listë deputetët Arben Malaj, Ilir Gjoni dhe Shegushe Ligori, të cilët kundërshtuan Ramën lidhur me procesin e hartimit të listave të kandidatëve për deputetë. “Kam shumë mirënjohje sot për disa protagonistë të Partisë Socialiste që nuk u përfshinë në skuadrën e re kombëtare të Partisë Socialiste, Ethem Ruka, Gazmir Bizhga, Arben Isaraj, Eltar Deda, Qemal Minxhozi, Astrit Beci, Skënder Hasa… Individë me personalitet dhe kontribute në PS, të cilët publikisht apo privatisht, pavarësisht se as mund të ishin e as mund t’u kërkohet të jenë dakord me mospërfshirjen e tyre në skuadrën e re, një gjë e shprehën pa asnjë ekuivok: Partia Socialiste mbetet familja e tyre politike dhe fitorja e Partisë Socialiste mbetet qëllimi i tyre. I falënderoj, sepse tregojnë që s’janë të gjithë njësoj dhe që përkatësia politike nuk është e lidhur me karrigen ku ulesh”, – tha Rama.

 

Mesazhi

Për kreun e socialistëve, deputetët që u larguan nga lista e kandidatëve për zgjedhjet e 23 qershorit treguan mirëkuptim, duke mos e cenuar vendimmarrjen me qëndrime arktike të rastit. “I falënderoj, sepse edhe pse u duhet të durojnë, atë që asnjë lojtar i vlefshëm nuk e duron dot pa trazim të brendshëm kur s’mund të jetë në kuadratin e fushës, prapëseprapë nuk po e humbasin as këtë rast për të treguar vlerën që ka për ta skuadra jonë dhe që anasjelltas, kanë ata për skuadrën tonë. I falënderoj edhe sepse pavarësisht rezervës që pa dyshim krijohet në një rast të tillë ndaj vendimmarrjes, nuk e kanë cenuar asnjë fije këtë vendimmarrje me qëndrimet e fjalët e tyre të rastit. Faleminderit në emër të të gjithë socialistëve e progresistëve shqiptarë!”, – shkruante Rama. Gjithashtu lidershipi i selisë rozë nuk la pa falënderuar edhe deputetë të tjerë, të cilët e kanë nisur garën të pozicionuar në vende të pafavorshme në lista. “Mirënjohje edhe për të tjerë protagonistë të grupit tonë parlamentar në këto vite që pranuan me shumë ndjenjë skuadre ta fillojnë këtë ndeshje nga “stoli i rezervave”, duke qëndruar në listë në pozicione jo të sigurta fituese. Ilir Bejtja, Agim Leka, Alfred Dalipi, Ndrec Deda… Faleminderit me zemër!”, – përfundoi Rama mesazhin e tij drejtuar deputetëve që u lanë jashtë ose jashtë vijës së sigurisë në listën e kandidatëve për parlamentaret e 23 qershorit. Lista zyrtare e Partisë Socialiste rikonfirmoi 41 deputetë të grupit aktual parlamentar, ndërsa u larguan prej tij 17 deputetë, mes tyre dy anëtarë të kryesisë, Arben Malaj dhe Arben Isaraj. Pjesë e listës së të larguarve ishin deputetë Gazmir Bizhga, Hazir Gashi, Edison Konomi, Shegushe Ligori, Skënder Hasa, Albert Çaçi, Arjon Muçaj, Ethem Ruka, Alfred Dalipi, Astrit Beci, Paulina Hoxha, Ndue Kola, Auron Tare, Qemal Minxhozi dhe Marko Bello.

 

 

Fino: Largimi i Malajt, me kosto për PS-në

Deputeti i PS-së, njëkohësisht kryesues i listës së deputetëve për qarkun e Korçës, Bashkim Fino, deklaron se largimi i Arben Malajt nga partia do të ketë kosto për forcën më të madhe opozitare. Duke shprehur keqardhjen për këdo që nuk është përfshirë në listat e kandidimit, Fino tha se ata që janë lënë jashtë do të kenë mundësi të tjera në skuadrën e “Rilindjes”. “Kur ka një vendim kolegjial, absolutisht ai duhet respektuar. Personalisht mund të më vijë keq për këdo, jo vetëm për atë, por edhe për kolegë të tjetër që ishin në grupin parlamentar dhe sot nuk janë të përfshirë. Por kjo nuk do të thotë se ne po punojmë sot për të dhënë pagën 70 apo 75 deputetët dhe ish-deputetë kolegë të mi janë pjesë e skuadrës dhe do bëjnë pjesë në struktura të tjera të shtetit, qoftë këtu ekzekutivin apo struktura të tjera”, – tha ai. Sipas Finos, largimet nga listat kanë qenë të studiuara nga kryesia e PS. “Nuk janë zgjedhje personale janë zgjedhje të studiuara nga zyra e organizimit elektoral, sepse të ishte ndryshe të gjithë do të kishim bërë zgjedhje vetëm personale dhe do kishim kandiduar aty ku donim ne”. Ndërkohë lidhur me mbështetjen që ish-kreu i PS-së Nano i ka ofruar Malaj në fushatë elektorale, Fino shtoi se më etike do të ishte që Nano të rreshtohej në krahun e ekipit fitues të PS. “Z. Nano këtë radhë të paktën duhet të rreshtohet në ekipin fitues të PS, sepse ka 8 vjet që Shqipëria po rrënohet nga qeveria aktuale dhe do ishte në nderin e tij nëse ai do të rreshtohet në ekipin fitues të PS”, – theksoi deputeti i PS-së Bashkim Fino.

 

Konferencë me “ipad” në autobus

Rama prezanton kandidatët në Durrës: Jemi të bashkuar më shumë se kurrë

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbajtur dje një konference për shtyp krejt të pazakontë me gazetarët. Gjatë një udhëtimi me autobus për në qytetin e Durrësit, bashkë me gazetarët, ku mbajti një aktivitet me socialistët, kreu i PS-së nëpërmjet lidhjes me “Skype”, ku u është përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve . Rama ka komentuar listën e kandidatëve të PD-së, të cilën e cilësoi një koktej midis besnikëve qorra dhe tradhtarëve të të gjitha kohërave. “Është një listë spektakolare për nga shprehja e të mbyturit për t’u kapur pas fijes së barit. Është një listë në qe këndvështrimin tim përbuz elektoratin e PD-së, ata të cilët janë të prirë të votojnë dhe me këtë listë trajtohen si mish për top. Pa llogaritur faktin që vijnë edhe mesazhe të natyrës, mos na ngacmoni se aty na keni pas 23 qershorit”, – tha Rama. Ndërkohë në aktivitetin me socialistët e qytetit të Durrësit, Rama prezantoi kandidatët e PS-së për këtë qark, duke premtuar se PS do të shënojë një fitore historike në zgjedhjet e 23 qershorit. “Nga kjo tribunë shpreh bindjen se kështu si sot më shumë dhe më të bashkuar se kurrë do t’ia dalim të realizojmë në Durrës një fitore historike për të majtën e bashkuar dhe për çdo njeri që do vendosë t’i japë fund me ne rrënimit. Durrësi ka shumë arsye që më 23 qershor duhet të votojë PS, arsye që janë në librat e borxheve të ushqimoreve. Të gjithë ata që jetojnë në fshat duket të votojnë PS. Vota për PS që sipërmarrësit t’ia dalin përmes talentit dhe mundit në rrugën e konkurrencës, kostot e prodhimit të ulen, që familjet në fshat të prodhojnë më shumë dhe të shesin me çmime më të ulëta, që shërbimi shëndetësor të mos jetë më mall për tu shitur por shërbim shëndetësor falas”, – tha kreu i PS-së Edi Rama.

 

Spahiu: Rama pagoi 30.000 euro për sondazhin italian

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, akuzoi dje kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se ka paguar 30.000 euro për të manipuluar një sondazh të publikuar së fundi në mediat shqiptare. Sipas Spahiut, Edi Rama ka paguar Institutin Italian Piepoli për të manipuluar një sondazh i cili nuk është realizuar kurrë. “AK si një nga forcat më institucionale dhe serioze, kemi paraqitur dosjen për t’ia paraqitur Prokurorisë. Kreu i PS-së Edi Rama ka paguar 30 mijë euro Institutin Italian ‘Piepoli’ për të përgatitur një sondazh që nuk është kryer kurrë dhe nxjerr fituese opozitën. Jam këtu për t’ju deklaruar para jush se sondazhi i djeshëm ka qenë i paguar, i falsifikuar dhe jo i kryer me telefonata. Nuk është bërë asnjë telefonatë nga Italia në Shqipëri”, – tha Spahiu. Duke iu referuar largimeve të shumta nga radhët e Aleancës Kuq e Zi, Spahiu tha se AK nuk është e tradhtarëve, por e shqiptarëve. Sipas sondazhit italian Piepoli, të publikuar në Vizion Plus, nëse votimi do të bëhej sot, të majtët do të dilnin fitues me 49% të votave në të gjithë vendin, ndërsa koalicioni i djathtëve me 40% të votave. Në këtë sondazh, AK qëndronte në kuotën e 5.5%.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency