Meta, Ramës dhe Berishës: Meritojmë statusin, të votojmë tri ligjet

0
119

Gëzim Saliu

meta“Të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale deri të enjten në orën 10, për të bashkërenduar miratimin e këtyre 3 ligjeve”

 

 

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkon nga krerët e dy partive kryesore në vend që të arrijnë konsensusin për votimin e tri ligjeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke shfrytëzuar 9 Majin, Ditën e Evropës, Meta apeloi për gjithë klasën politike shqiptare të përfaqësuar në Parlament, për miratimin e 3 kushteve të Brukselit. “Sot në Ditën e Evropës ftoj kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe gjithë kolegët e tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale deri të enjten në orën 10, për të bashkërenduar miratimin e këtyre 3 ligjeve për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së vazhdueshme të Bashkimit Evropian. Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat”, – tha Meta.

Ligjet

 

Duke pohuar se politika shqiptare duhet të shmanget nga retorika e ripërsëritur e akuzave të ndërsjella për bllokimin e procesit të marrjes së statusit kandidat, Meta kërkoi bashkëpunimin e palëve për të votuar ri ligjet në një seancë të mundshme ditën e sotme. Prej disa kohësh Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar një kompromis tepër të arsyeshëm i cili ndihmon për kapërcimin e ngërçit politik lidhur me miratimin e tre ligjeve dhe i cili konsiston në mënyrë të qartë me miratimin e tyre brenda mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim nga paraqitja e tyre aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë që ato të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri, pra në muajin shtator. Kjo është argumentuar, në mënyrë të qartë, me rrezikun që vjen me keqpërdorimin e miratimit, në mënyrë të veçantë, të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, ku do të shtohen disa vende anëtarësh të kësaj gjykate për të krijuar Kolegjin Administrativ në zbatim të ligjit për Gjykatën Administrative”, – theksoi kreu i LSI-së. Ai pohoi se vendi nuk ka nevojë më retorikë por ka nevojë për qartësi dhe për kompromis, i cili duhet të jetë bazuar sipas Metës në shpirtin proevropian të popullit shqiptar.

 

 

Ngërçi i tri ligjeve

 

Çështja e tri ligjeve ka qenë në qendër të konfliktit politik në vend që prej vendosjes si kushte nga Bashkimi Evropian. Kështu pas plotësimit të një sërë reformave, në bazë të marrëveshjes së nëntorit të një viti më parë mes PD dhe PS, vendi arriti të marrë në tetor, statusin kandidat, por me kushtin që të plotësoheshin deri në dhjetor të vitit 2012, tri kritere. Ligji i Gjykatës së Lartë, ai i nëpunësit civil dhe Reforma Parlamentare përbënin tre kushtet e Brukselit për të marrë në formë të plotë statusin e kandidatit. Por opozita kushtëzoi votimin e tri kritereve, duke kërkuar që të zhbllokohej çështja e Këshillit të Qarkut Fier. Sipas socialistëve, demokratët në mënyrë antiligjore kishin rrëzuar kryetarin e tyre dhe kishin vendosur në krye të Këshillit të Qarkut, kandidatin e djathtë. E vendosur si një kusht i panegociueshëm për votimin e tri ligjeve nga opozita, çështja e Fierit ishte ngërçi i radhës mes palëve. Ndërkombëtarët lëshuan thirrje të vazhdueshme ndaj klasës politike, duke kërkuar drejtpërsëdrejti votimin e tri ligjeve, si kushtet e vetme për marrjen e statusit kandidat. Nga ana e saj mazhoranca qeverisëse nëpërmjet Kryeministrit Berisha bëri edhe një ofertë ndaj PS-së, e cila parashtronte zhvillimin e një mocioni për të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak Fier, ofertë kjo që u hodh poshtë nga kryesocialisti Rama. Më pas palët thelluan konfliktin mes tyre, pasi PS pretendonte se nuk ishin vetëm tri ligjet kushtet për integrimin e vendit, duke përfshirë edhe zgjedhjet e 23 qershorit. Kalimi i LSI-së me koalicionin e majtë u duk se shtoi shanset për votimin e tri ligjeve, pasi kjo forcë politike, e ka cilësuar marrjen e statusit kandidat, në kohën edhe kur ishte pjesë e mazhorancës, si kusht prioritar. Por në seancën e fundit parlamentare, opozita bojkotoi votimin e tri ligjeve, duke u larguar nga salla.

 

 

Malaj: Të votojmë tri ligjet

Ish-deputeti socialist, aktualisht i pavarur, Arben Malaj ka bërë dje një apel publik për arritjen e një konsensusi për miratimin e tre ligjeve. “ Ju falenderoj të gjithë ju që më inspironi të vazhdoj këtë garë pro të ardhmes europiane të Shqipërisë, për të cilën unë u gjykova dhe u penalizova për thyerje të “disiplinës partiake”. Si deputet i vendit tim sërish drejtohem me një apel publik që pikërisht sot në ditën e Europës së paqes dhe prosperitetit, të arrihet një konsensus për t’i votuar ligjet. Do të jetë dinjitoze që ky Parlament të mos mbyllet pa i miratuar tre ligjet. Të veprojmë në bazë të detyrimit për të ardhmen europiane të të gjithë shqiptarëve. Të veprojmë me vizionin dhe përgjegjësinë ndaj të ardhmes dhe jo me inate personale apo interesa elektorale”, ka shkruar Malaj në rrejtin social “Facebook”. Më tej ai ka shprehur mbështetjen e tij për propozimin e përsëritur të LSI për miratimin e ligjeve. “T’a arrijmë sot këtë konsensus, sot në këtë ditë simbolike. T’a votojmë me vullnet të plotë dhe përgjegjësi të qartë për të ardhmen tonë. Do të jetë mënyra më drejtpërdrejtë, më e plotë edhe për një mirënjohje ndaj SHBA dhe BE që po e mbështesin Shqipërinë dhe Ballkanin drejt të ardhmes euro-atlanetike”, përfundoi Malaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency