Ina Jano
“Për shkak se Edi Rama vazhdon bllokimin e 3 ligjeve, këtë vit, ne do ta festojmë paqen dhe prosperitetin në BE, nga jashtë”
Nga qyteti i Elbasanit, kreu i ekzekutivit ritheksoi edhe një herë gatishmërinë për të votuar tri ligjet e integrimit, qoftë edhe në ditën e sotme. Kryeministri Berisha në një bashkëbisedim me studentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, pikërisht në Ditën e Evropës, shprehu vendosmërinë e forcës politike që ai drejton për të votuar tri ligjet që ka rekomanduar Komisioni Evropian se duhet të plotësohen në mënyrë që Shqipëria ta marrë statusin, ndërsa në të njëjtën linjë me të ishte dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. “Ky moment bllokimi nuk duhet aspak të na dobësojë vendosmërinë tonë, për të arritur në destinacionin që kemi. Së fundmi, opozita deklaroi se tri ligjet do t’i votojë, por tani statusi nuk mund të jepet, sepse marsi ishte afati i dytë, për të bërë raport dhe për t’ia dërguar Këshillit të Ministrave. Por, pavarësisht kësaj, ne jemi të gatshëm t’i votojmë që nesër. Ne kemi deklaruar se do thërrasim referendumin si një masë in extremis, por, në rast se opozita, pasi bëri një dëm të pariparueshëm për këtë periudhë, vendos të votojë, ne jemi të gatshëm t’i votojmë këto ligje”, – tha Berisha. Ai shprehu edhe të gjitha benefitet që do të përfitojë vendi ynë nëse do të jetë pjesë e familjes evropiane, duke përmendur këtu grantet për fermerët, rritje të investimeve të huaja në vend, por edhe shtim të numrit të studentëve jashtë vendit. Zoti Berisha e komentoi Ditën e Evropës edhe në rrjetin social Facebook. “Kjo ditë e madhe është frymëzuese për shqiptarët, në realizimin e projektit tyre të integrimit të vendit në BE. Ne shpresojmë të marrim statusin e vendit kandidat, që Edi Rama vazhdon të na e mohojë duke i bllokuar tre ligjet. Ne shpresojmë të festojmë përkrah vendeve të BE-së, në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë. Për shkak se Edi Rama vazhdon bllokimin e 3 ligjeve, këtë vit, ne do ta festojmë paqen dhe prosperitetin në BE, nga jashtë. Por, megjithatë, ne nuk do te reshtim kurrë së punuari për miratimin e 3 ligjeve, nuk do të reshtim kurrë së punuari për të marrë statusin e vendit kandidat dhe nuk do të reshtim kurrë së punuari drejt integrimit të plotë të vendit në BE”, – u shpreh lideri demokrat në faqen e tij zyrtare. Për numrin një të qeverisë, integrimi është një proces tejet i rëndësishëm pasi janë kaluar atapa të tilla si liberalizimi i vizave apo hyrja e Shqipërisë në NATO, të gjitha këto procese që kanë përmbushur standarde. “Problemi i statusit, edhe ai kalon nëpër reforma të mëdha, ndryshime të mëdha. Në tetorin e vitit 2012, pasi vlerësoi një nga një, ndryshimet, ligjet, praktikat, Komisioni Evropian doli me konkluzionin se Shqipëria ka plotësuar detyrimet e saj dhe do i rekomandojmë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare që t’i japin statusin e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin tre ligjet. Përse ky kusht? Sepse vetë Komisioni kishte ndërmjetësuar intensivisht për këto tre ligje dhe ishte arritur totalisht ujdia. Në këtë rast, askujt, as në Shqipëri, as në Bruksel nuk mund t’i shkonte mendja se për këto tre ligje, që prisnin prej disa muajsh në parlament dhe për të cilat ishte arritur absolutisht konsensusi, zoti Rama kishte pasur një pretendim për rregulloren. Anëtarët e Komisionit që u morën me këtë i thanë: zotëri, gjej një vend ku ekziston kjo që ti kërkon dhe ne të mbështesim dhe ranë dakord. Në mënyrën më paradoksale, më të papranueshme, këto ligje nuk u votuan dhe u mor peng një pasaportë e shkëlqyer për secilin prej jush, për secilin prej nesh, për vendin në tërësi, siç ishte statusi i vendit kandidat. Çfarë tregonte kjo? Kjo tregonte se me përpjekje shumë serioze, shqiptarët kanë arritur një nivel të atillë zhvillimi, saqë e meritojnë këtë vlerësim, e meritojnë këtë besim, e meritojnë këtë pasaportë”, – përfundoi fjalën e tij kryetari i ekzekutivit.