Përplasja me gazetarët italianë/ Si po e ndihmon Rama Melonin

0
55

Investigimi i REPORT në RAI3, (VIDEO E PLOTE KETU) emisioni që shkaktoi një furtunë reagimesh të kryeministrit shqiptar Edi Rama nga Tirana do të vazhdojë me pjesën e dytë këtë të dielë, të paktën siç ka paralajmëruar drejtuesi i emisionit, gazetari Sigfrido Ranucci. Mediat italiane raportojnë se të dielën mund të ndërhyjë live në bisedë edhe kryeministri shqiptar ashtu siç kishte kërkuar vetë, pasi pretendon se ka gjetur një pasaktësi në punën e gazetarëve italianë.

Rama e ka ngritur zërin fort këto ditë duke tërhequr një vëmëndje të konsiderueshme tek polemika që ka prodhuar vetë në lidhje me fjalën e lirë apo për skrupulozitetin e raportimit të fakteve. Ai pretendon se sekretari i tij, Ëngjëll Agaçi e dërgoi me shkrim përgjigjen e pyetjeve të gazetarit Giorgio Molotta, ndërsa në materialin filmik u shfaq krejt e kundërta, pasi Agaçi u portretizua duke i ikur kameras. Më vonë gazetari Giorgio Mottola deklaroi se nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Agaçi kur foli për Syri Tv, ndërkohë që doli se në këtë pikë Rama dhe Agaçi kishin të drejtë, sepse përgjigjet ishin dërguar me email.

Drejtuesi i REPORT ka thënë se përgjigjet e Agaçit do të transmetohen në emisionin e dytë, por me mjeshtëri, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka vendosur nën presion stafin e RAI3 për këtë të pavërtetë të raportuar në emision dhe në intervistat që pasuan.

Rama ia ka dalë ta shpërqëndrojë opinionin publik në Itali qoftë edhe me ndërhyrjen e vrazhdë në telefonatën me drejtuesit e RAI-t, të cilët ishin tashmë nën presionin e opinionit publik për një monolog të censuruar kundër neo-fashistëve, një skandal që kishte ndërsyer të majtën italiane kundër Xhorxhia Melonit dhe Vëllezervë të saj të Italisë.

Dhe ndërkohë që vëmëndja e opinionit italian është përqëndruar tek një telefonatë si presion ndaj punonjësve të medias në Itali nga një kryeministër i huaj apo për një përgjigje të munguar në raportimin e parë, por që do të transmetohet në emisionin e dytë, me apo pa dashje, Edi Rama ka nxjerrë në plan të dytë faktet skandaloze që mund të lëkundin marrëveshjen për refugjatët afrikanë dhe që përbënin një akuzë të fortë për kryeministren e Italisë, Xhorxhia Meloni.

Duke shmangur diskutimin për faktet e forta që denoncoi REPORT, duket se Rama po i vjen në ndihmë Melonit duke e ftuar opinionin publik italian të merret me të dhe të anashkalojë tre shtyllat ku bazohej emisioni i RAI3.

Kostot e fryra për italianët dhe shifrat e ulta të refugjatëve

Që në nisje të emisionit, gazetarët raportojnë se si ndryshuan shifrat e kostove të kampit të refugjatëve afrikanë në Gjadër. Në fillim u tha se ishin 650 milion euro për pesë vjet. Por kostot e kampeve ndryshuan në pak muaj. Nga 39 milionë euro parlamenti e çoi shmën në rreth 65 milion euro për ndërtimin e dy qendrave.

Shifra totale arrin deri në 825 milion euro për 5 vjet sa do të jetë në fuqi marrëveshja. Më vonë mund të arrijë deri në 900 milion apo 1 miliard euro në varësi të kostove. Një shumë e stërmadhe për të cilën gazetarët italianë ngrenë pikëpyetje, nëse do t’ia vlejë apo jo?

Për t’u përgjigjur kanë risjellë konferencën e përbashkët me Ramën, kur kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni tha se në një vit në qendrën e Gjadrit mund të përpunohen dokumentat për 36 mijë refugjatë.

Kjo do të thotë që duhet të procesohen 3 mijë çështje në një muaj. Por vështirësitë janë të mëdha.

REPORT i ka bërë vetë llogaritë dhe zbulon se burokracitë e bëjnë të pamundur qarkullimin e kaq shumë refugjatëve në qendrën e Gjadrit. Nga sa thonë nëpunësit e qendrave të refugjatëve në Itali, gazetarët kanë llogaritur se në Shqipëri është e pamundur të përpunohen më shumë se 2822 refugjatë në një vit.

Dhe kjo shifër sipas tyre është shumë e vogël për të justifikuar shpenzimet kolosale që shkojnë më shumë se 825 milion euro.

Italianëve mund t’u kalojë në llogari gjoba “Beketi”

Mbyllja e Agon Channel mund të ketë qenë një gafë e trashë e Edi Ramës; mund të ketë qenë edhe një dredhi “gjeniale” e biznesmenit Francesko Beketi, por siç e shtrojnë çështjen gazetarët e REPORT, gjobën do ta paguajnë taksapaguesit italianë.

I pakënaqur me vonesën e dëmshpërblimit që shkon deri në 135 milion euro, biznesmeni tregon në REPORT se ka vënë në lëvizje avokatët e tij për ta tërhequr dëmshpërblimin në momentin kur shteti italian do të paguajë paratë për kampin e Gjadrit. “Ka 5 vjet që pres” thotë Beketi në intervistë duke u ankuar për persekutimin që i ka bërë Rama prej shumë vitesh.

Me syrin e një biznesmeni të sprovuar, Beketi po sheh një shans për të marrë paratë që i ka fituar në arbitrazh.

Në emision transmetohet një deklaratë e Ramës që thotë se Beketi nuk do të marrë asnjë lek.

Në fakt, marrëveshja Rama-Meloni garanton pikërisht këtë; taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë asnjë lek. Kështu Rama mban premtimin, por fatura i shkon homologes së tij italiane.

Meloni, pakt me “djallin”

Nuk duhen shumë përpjekje për ta vizatuar Edi Ramën si një autokrat që drejton një shtet të korruptuar dhe të kapur nga trafikantët e drogës. Megjithatë gazetarët italianë nuk janë mjaftuar me faktet e gjithëditura në Tiranë, por kanë shkuar më tej.

Është rrëfimi i Dritan Zaganit, “Serpico” shqiptar që zbuloi dhe denoncoi implikimin e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri me trafikantët e drogës. Nga azili ai tregoi se si qeveria e burgosi dhe e përndoqi për faktin se nuk pranoi t’i bindej bandës së Habilajve.

Është dëshmia e gjeneralit të Guardia di Finanza, Fabricio Lisi që tregon se si Ëngjëll Agaçi i erdhi me propozimin që një emër kontrovers si Artur Shehu t’i falte 30 mijë metra tokë në bregdet. Në këmbim, Guardia di Finanza mbulonte me shifra të rreme parcelat e kanabisit duke u dhënë krahë sulmit të qeverisë ndaj mediave dhe opozitës që denonconte bashkëpunmin e policisë me trafikantët e drogës.

Është dëshmia e Sali Berishës, që qëndron në arrest shtëpie, megjithëse thotë se nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj tij, por është thjesht person nën hetim.

Është dëshmia e ish-prokurorit të antimafias, Mandoi që tregon se si Rama e rekrutoi si këshilltar, por nuk e takoi kurrë.

Është rasti skandaloz që u zbulua për vëllain e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafa, i cili ishte në kërkim në Itali për një dënim të pashlyer për trafik droge. Është arratisja e Arben Ahmetajt etj.

Po ashtu, janë edhe dokumentat që provojnë se vëllai i kryeministrit, Olsi Rama përdorte të njëjtën makinë që përdornin trafikantët e kokainës nga Panama në Shqipëri dhe që kishin ngritur një laborator droge në vendin tonë.

Skandalet janë të shumta dhe renditja e tyre, njëri pas tjetrit, ngre ndoshta akuzën më të rëndë për Xhorxhia Melonin, e cila e gjendur nën presion për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve, ka pranuar të bëjë pakt me “djallin”.

Sigurisht që në personazhet e mësipërm, Ëngjëll Agaçi zë një vend nderi. Gazetarët italianë tentojnë ta përshkruajnë si një ish-avokat që ende nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me klientët e tij dhe që punoi në prapaskenë për marrëveshjen me Melonin. Por në realitet, si Agaçi ashtu edhe përgjigjet që dha apo nuk dha ai, janë një detaj periferik.

Sepse akuza reale e REPORT është kundër Melonit. Por Rama po tenton t’i japë një dorë aleates së tij, duke marrë mbi vete vëmëndjen negative dhe duke sulmuar një material model të gazetarisë, që ka vënë në dyshim marrëveshjen delikate si kjo e devijimit të refugjatëve drejt Shqipërisë./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here