GJKKO liron nga burgu Vangjush Dakon

0
1420

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë nga burgu ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ndaj tij është zëvendësuar masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Sipas GJKKO-së, Vangjush Dako i ka tejkaluar afatet e qëndrimit në paraburgim. Seanca e radhës ndaj Vangjush Dakos është caktuar të mbahet më 18 mars në orën 13:00.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme nën dyshimet se ka kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, në dy raste.

Rasti i parë lidhet me një objekt që sipas hetimeve ka ndërtuar disa kate pa leje, të legalizuara me procedura që dyshohen jo të rregullta. Objekti pësoi dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Pas kësaj, për çështjen pati një kallëzim nga banorët e këtij pallati. Dako akuzohet dhe për një procedurë tenderimi, vlera e të cilit sipas hetimeve, është fryrë artificialisht nga Bashkia Durrës. Kallëzimi për parregullsi në këtë tender është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj.

Hetimet

Rasti 1 – Sipas SPAK, gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës Nr.02 datë 28 Shtator 2011, në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit dhe Ligji “Për planifikimin e territorit” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.

Në këtë mënyrë, është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës.

Rasti 2 –  Në lidhje me faktin e dytë të hetuar, sipas SPAK, ka rezultuar  se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.

Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”. Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.

Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë,  Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej  18.318.400,2  lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

Vangjush Dako ndërkohë, gjatë seancave në gjykatë për masën e sigurisë, ka pretentuar pafajësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here