Pse PS kërkon me ngulm “PRIMIN”? Sistemi që i garanton pushtetin për shumë vite

0
137

Kodi i Ri Zgjedhor mbetet një çështje e nxehtë e politikës shqiptare, kur kanë mbetur pak më shumë se 1 vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mazhoranca dhe PD e Lulzim Bashës janë mbledhur disa herë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës, që përbën edhe më shumë se 80% të deputetëve, e kanë bojkotuar dhe kanë penguar zhvillimin e mbledhjeve.

 

Kodi Zgjedhor i përdorur në vitin 2021, me sistem proporcional rajonal dhe me lista gjysmë të hapura, u jep shumë pushtet kryetarëve të partive, por edhe pak mundësi kandidatëve të vendosur në fund të listës për të arritur të thyejnë herësin dhe për të kaluar mbi të preferuarët e kryetarit.

 

Ky sistem është në interesin e mazhorancës, që ka konsoliduar pushtetin dhe ka potencial ekonomik shumë herë më të madh se partitë e tjera, ndërkohë që opozitës do t’i duhet një Kod tjetër Zgjedhor nëse kërkon rotacionin e pushtetit.

Gjykata Kushtetuese vendosi që herësi i përdorur në zgjedhjet e fundit nuk garanton barazi, ndaj kjo duket se do të jetë pika e parë e ndryshuar në Kodin Zgjedhor që do të përdoret në zgjedhjet e vitit 2025.

 

Por Kodit Zgjedhor mund t’i shtohet edhe një pikë e re, “primin”, që përdoret në zgjedhjet në Spanjë apo Greqi. Mazhoranca po këmbëngul për implementimin e “primit”, por nga opozita duket se deri më tani nuk ka asnjë dakordësi.

Por pse PS kërkon me ngulm “PRIMIN”?

Implementimi i “primit” në Kodin Zgjedhor, i jep mundësi partisë që fiton zgjedhjet që të marrë e vetme pushtetin, pasi falë primit i sigurohet edhe një numër i caktuar deputetësh.

 

Në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Partia Socialiste ka arritur të marrë më shumë vota në pjesën më të madhe të tyre. Përjashtim bëjnë vetëm 3 palë zgjedhje: Në vitin 1992, kur opozita fitoi me rezultat të thellë që shënjoi edhe rënien përfundimtare të komunizmit në Shqipëri; në vitin 1996 dhe në vitin 2005, ku koalicioni i madh opozitar arriti të bënte rotacionin në qeveri.

 

Ndërkohë, edhe në vitin 2009 kur PD vinte në zgjedhje si parti në pushtet dhe arriti që të formojë sërish qeverinë falë LSI-së, Partia Socialiste arriti të siguronte më shumë vota, pavarësisht se mori më pak mandate.

 

Socialistët janë të bindur se numri i votave të tyre do të jetë më i madh se cilado parti tjetër, pasi siç është treguar edhe në zgjedhjet e fundit, përdorimi i pushtetit dhe mundësive financiare kanë sjellë fitoren e zgjedhjeve edhe në zonat që dukeshin të pamundura.

“Primi” do të ishte edhe një vrasje politike për të gjitha partitë e vogla, që do të kishin shumë herë më pak mundësi për të marrë qoftë edhe 1 mandat, pavarësisht se mund të ketë edhe ulje të përqindjes së pragut rajonal.

 

Pra, me një administratë që shfrytëzohet për maksimizimin e votës, me mundësi financiare shumë të mëdha dhe me një opozitë të përçarë, “primi” do t’i mundësojë Partisë Socialiste qeverisjen edhe për disa mandate./ditar.al

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here