SPAK me dy shpejtësi e dy standarde…?!

0
112

Nga Xhevat MUSTAFA

Më 30 dhjetor 2023, SPAK ia arriti të zbatojë në kohë të shkurtër apo me shpejtësi të “telekomanduar” nisjen e dënimit me “arrest shtëpie” për Sali Berishën, liderin e PD- së pa vulë zyrtare apo qeveritare, por me vulë mbështetjeve masive nga 620 mijë DEMOKRATË dhe vota në zgjedhjet e 14 majit 2021 dhe me 47 – 49 deputetë në parlament. Në vijim, edhe pse u futëm në një vit të ri, SPAK vazhdoi në “rrugën e vjetër”. Më 19 janar 2024 SPAK i ktheu përgjigje negative Sali Berishës për heqjen e dënimit ndaj tij. Ai do të vazhdojë (nënkuptueshëm, sa të dojë më i interesuari) në “arrest shtëpie”, larg Parlamentit dhe shesheve për protesta. Për këtë vendim shumëkujt i lind e drejta e arsyeshme e pyetjes: si është e mundur që ky vend që dëshiron, pretendon dhe pret të anëtarësohet në BE, të marrë vendime arbitrare, ngjashëm si…Rusia, Bjellorusia, Serbia, Turqia, Irani, Iraku…?!

Nuk kalon pa lënë përshtypje dhe reagim fakti se po ky SPAK, qysh nga sajimi, juridikisht “i pavarur nga kryeministri”, me mikun e tij të vjetër Ilir Beqaj, ashtu si më parë me ish mikun tjetër të të dyve, Arben Ahmataj e ndryshe nga sa ka vepruar më parë me disa ish pushtetarë të lartë qendrorë dhe vendorë socialistë prej vitesh nëpër qeli, tregohet tepër i avashtë apo si “i përgjumur”. E ka thërritur dhe mbajtur nja 3 herë për 7-8 orë, duke e pyet gjerë e gjatë. Ama, kur ka dalë tek dera kryesore, Ilir Beqaj nuk ka lënë të kuptohet se është në siklet e panik të madh, sa “t’i duket djersa nga prapa në pantallona” dhe t’ia qajnë hallin familjarët e vet dhe ish bashkëpunëtorë apo ortakë…Kështu me pyetje e përgjigje në “çdo takim si “provim me gojë” SPAK-u “i ka falur” ditë, javë, muaj…Ilir Beqajt.

Por, pa harruar edhe përvojën botërore, më të freskët ato të Trump, Hunter Biden, të Charles McGonigal… në SHBA, në të cilat proceset hetimore dhe gjyqësore vazhdojnë prej vitesh, nuk mund të përjashtohet kategorikisht nga hamendësimet, edhe që Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorë të tij, ta shfrytëzojnë këtë kohë të bollshme, së pari, për të fshirë e fshehur gjurmë, fakte, prova, prona, biznese, llogari bankare. Merret me mend se kështu, edhe nëse SPAK dhe GJKKO, një ditë të afërt apo më të largët, do të marrin urdhër apo do të kenë guximin të publikojnë urdhrin për arrestimin e tij, dënimi mund të jetë minimal e më shumë me efekt pastrues dhe amnistues!? Së dyti, pse jo, sipas shembullit të ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj e ca të tjerëve në poste më të ultë, të zhduket edhe ai në një vend, “ku nuk gjendet dot” apo nga ku “nuk ekstradohet dot”…!? Për këtë pandehmë, opinion apo bindje na ndihmojnë edhe vetë disa veprime dhe mosveprime të institucioneve kryesore të drejtësisë allashqiptare, prodhim i “reformës në drejtësi” apo vetingut, të kryer kryesisht sipas “teorisë dhe praktikës amerikane apo modelit amerikan”, pas të cilave kuptohen jo me vështirësi edhe “recetat” sorosiane…!?

Prandaj, në opinionin masiv qytetar shqiptar ka doza të forta skepticizmi, pesimizmi, zhgënjimi, ankimimi, revoltimi… për përbërjen me shumicë me origjinë dhe bindje “të majtë” dhe për plot vendime të gjykatave Këto shkojnë deri aty sa të mendohet dhe thuhet hapur se të gjesh avokat e prokuror të pavarur e të guximshëm në Shqipëri, që të trajtojë me drejtësi shumicën e çështjeve dhe ankesave të qytetarëve, sidomos ato të copës më të madhe të opozitës, është ngjashëm sikur të kërkosh gjilpërën në një fushë me kashtë ose një grimcë ar në një shkretëtirë me rërë…Ata gjyqtarë apo prokurorë, që kanë guxuar të jenë të pavarur, të përgjegjshëm, kurajozë…ose të mbajnë në ndonjë rast anën e të vërtetës e të së drejtës…, i kanë djegur “reforma në drejtësi” ose “flakët e gjase vetingut”, gatuar me “mendje amerikane” dhe me “duar shqiptare”, edhe gjykatësish prokurorësh, profesorësh “të drejtësisë” të diktaturës së Enver Hoxhës…!?

Gjithsesi, më shumë për optimizëm, konformizëm apo edhe oportunizëm, jam më i prirur të mendoj se ky javashllëk i tepruar i SPAK-ut në çështjet Arben Ahmetaj dhe Ilir Beqaj është i imponuar më së shumti nga përmbytja e tij nga dosjet e zyrtarëve qeveritarë dhe të administratës të tre niveleve, nga numri i madh i dëshmitarëve “gojëkyçur” dhe nga vështirësitë e gjetjes, verifikimit dhe konfirmimit të fakteve qartësisht penalizuese… Bën përshtypje edhe fakti se ky SPAK, që veproi me turravrap për të ndëshkuar dhe izoluar Sali Berishën po shpreh “verbëri”, “shurdhëri”, “memecëri”, vonesë të stërzgjatur sidomos ndaj disa veprimeve dhe mosveprimeve të Edi Ramës, edhe pse ato janë qartësisht në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe përmbajnë arsye të bollshme për t’iu nënshtruar procesit të hetimit…!? Duke dëshiruar dhe uruar që kjo “vonesë” të jetë më shumë rrjedhojë e mbingarkesës me dosje korruptive në të tre nivelet e piramidës qeveritare se sa e dystandartësisë, lista e fakteve apo të vërtetave me përgjegjësi ekipore qeveritare dhe “personale” kryeministrore, që janë “harruar” apo shtyrë për në “kalendat greke” nga SPAK-u, është e gjatë, por po i kujtoj disa, ato më kryesoret apo më të përfolurat në media dhe opinionin masiv publik… – Afera e inceneratorëve, me firma kryeministrorë të hedhura fap-fap…apo “symbyllazi”… – Afera apo skandali Charles McGonigal, ku edhe “ implikimet personale” kryeministrore janë të pafshefshme e të ruajtura edhe në dosjen hetimore dhe gjyqësore në SHBA, që do të rihapet për dënimin e dytë të Charles McGonigalit, për “Dosjen korruptive të Shqipërisë”, më 26 shkurt 2024… Për të qenë të saktë e mos i ngrënë hakën SPAK-ut, Agron Neza është paraqitur në SPAK, më 22 janar 2024 në funksion të hetimeve për çështjen McGonigal.

Tani na mbetet të urojmë që të gërmojë në bëmat e tij në SHBA, në Shqipëri e gjetiu sa “t’i nxjerrë ujët e zi”. – Çështja apo skandali Beccheti, ku për shkak të Edi Ramës buxheti i shtetit mund t’i paguaj bosit italian rreth 130 milionë euro, sipas vendimit të parë në arbitrazh e të ankimuar nga pala shqiptare… – Çështja apo skandali i territorit të klubit “Partizani”, shndërruar më së tepërmi me firmat e vetë ish kryebashkiakut Edi Rama në një zonë preferenciale për ndërtimin e pallateve të banimit jo vetëm për pronarët e ligjshëm, por edhe për miq e mbështetës politikë dhe mediatiakë të Rama-parti- qeverisë … – Çështja e arbitrazhit me CEZ, nga e cila pas tërheqjes së Edi Ramës nga marrëveshja e parë me kompaninë çeke taksapaguesit shqiptarë dhe buxheti i shtetit humbën rreth 200 milionë euro. -Afera apo skandali me Portin e Durrësit, duke favorizuar të preferuarin kryeministror, biznesmenin arab Mohamed Alabbar, themelues i kompanisë EMAAR me qendër në Dubai dhe me dosje gjyqësore për korrupsion e financime ilegale të terrorizmit, në disa vende perëndimore.

Për t’i hapur rrugët këtij ortaku u shkel çdo ligj si dhe u nëpërkëmb edhe marrëveshja e stabilizim – asociimit me Parlamentin Europian dhe BE, për Korridorin Adriatiko-Jonian si dhe me koncesionin gjerman EMS Albanian Port Operator SHPK, megjithëse kjo kompani punon prej vitesh në Portin e Durrësit me kontratë 35-vjeçare. – Koncesioni i sterilizimit, me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj, tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Një hetim paralel ka nisur për të për dyshime që lidhen me fondet e huaja, të koordinuara nga SASPAC, Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Ilir Beqaj ishte drejtor. Kontrolle në zyra e banesa janë ushtruar edhe për Beqajn, edhe për pesë anëtarët e tjerë të SASPAC. Pas gjithë kësaj “parade faktesh dhe të vërtetash”, logjikshëm nga shumëkush mund të mendohet dhe shprehet pyetja: si është e mundur të besohet dhe pranohet kaq gjatë se “përgjegjësia është personale”, kur kryeministri prej 10 vitesh dhe 5 muajsh ka një dosje të madhe me VKM, shumica e atyre që mbajnë “erë korrupsioni” me firmat e tij si dhe kur ka nëpër qeli dhe arrati nëpër botë, një qeveri të dytë?! Të gjithë të dënuar për korrupsion, nën hundën e tij, edhe me VKM të tij e jo “krejt pa dijeninë e tij”…!? Apo, me albume me fotografi për krah tij dhe lavdërime publike prej tij para se të arrestoheshin, burim nostalgjie për të dy palët nga takimet partiake apo “betejat apo panairet elektorale”!?

Për të gjitha sa ka bërë në këta mbi 10 vjet si qeveri dhe me dorën e tij, me VKM, nga Rama individualisht dhe si qeverisje nuk fshihet frika ndaj SPAK- ut, me sforcimin e ndjeshëm për t’u dukur sa më të qetë e të sigurt…Këtë frikë e shpreh edhe një farë “rregullore sekrete brenda partiake” e raporteve të institucioneve qeverisëse dhe administrative me prokurorët e SPAK”, bërë publike më 19 janar 2024, sipas të cilës zyrtarët socialistë, me justifikimin e “ruajtjes së sekretit qeveritar e shtetëror” mund “t’ua mbyllin dyert edhe në turi” prokurorëve të SPAK-ut…Por, edhe në rradhët e SPAK- ut, çastet e tejzgjatura apo aktet e qarta të hezitimit, ngurimit, mëdyshjes…shprehin frikë ndaj Edi Ramës si institucion dhe person, nënkuptueshëm nga plotpushtetizimi i tij i pafre, sidomos këto 5 vitet e fundit. Por, nga sa tha në takimin me studentët e Universitetit të Shkodrës, më 25 janar 2021, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ishte kontradiktor me veten dhe me veprimet konkrete.

Pa vënë në dyshim sinqeritetin e tij, për nga sa tha, domethënë për nga fjalët, mund të pranohet se SPAK nuk ka preferencializëm, rezervim apo frikësim nga emrat dhe postet! Meriton mirëkuptim deklarata e tij “Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë…”, pa u kompleksuar edhe nga rastet e lidhjes së politikës me krimin… Por, veprimet dhe mosveprimet si dhe dosjet me fakte me Arben Ahmetajn, Ilir Beqajn, Sali Berishën, Edi Ramën…i bëjnë jo bindëse përbetimet e tyre “për pavarësi nga politika partiake qeveritare e individualisht nga kryeministri” si dhe për mungesën e komplekseve për ndëshkueshmërinë e cilitdo politikan dhe pushtetar, sipas dosjeve me akuza të pakundërshtueshme për abuzime me detyrat dhe për korrupsion…!?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here