Metamorfoza e Ramës’, brenda ‘Metamorfozës’ franko – belge – holandeze

0
236

Në një proces gjyqësor ndaj një grupi kriminal, nisur këto ditë në Belgjikë, nga një folder i SKY, përmendej se kjo magazinë ferri, ka miliarda mesazhe.. Eh jo pak për të përhapur epidemi..

Pikërisht në kulmin kur sasia e të pandehurve të qeveritarëve, bashkiakëve, zyrtarëve të administratës, njerëzve të zgjedhur prej tij, rehatisë së Mafias e Krimit të Organizuar, pastrimit të parave, kryeministri Edi Rama, po rrufeton nëpër ekrane se ai është Mesia i vetëm i Reformës në Drejtësi. E kurrkush tjetër. Madje as SHBA.

Sokëllima azmatike e Ramës, ka brenda një lutje të përzier me kërkesën e tij për një pazar të madh. Tregti të cilën e lyp nëpër botë, e shet në Shqipëri. Nëse pas shtatë vitesh nga votimi mesnatës së 21-22 korrikut 2016, numërojmë bëm-gjëmat e sistemit, disa prodhime allasoj e gjithëfarësoji të tij, atëherë do të duhet ti japim të drejtë kryerilindasit, në bejten e tij të re elektorale, për ta bërë drejtësinë shtojcë të partisë së tij. Largqoftë.

Metamorfoza e Ramës, transformimi i tij nga hallet, dhe dosja “Metamorfoza” transformimi sjellë prej saj, për shumë emra politike, pushteti, takohen në udhëkryqin penal e politik. Duke lajmëruar se negociatat nuk bëhen më aty ku ai ka dëshirë. Kanë thuajse të njëjtën moshë, njëra, dosja, në 2015, dhe tjetra, reforma në 2016. E para ka përgjimet deri në mars të motit 2021. Gjashtë vjet kuvend mafiozësh të patrazuar nga vërsnikja moshore, drejtësi. Ajo çka është në duar partnerësh dhe kanë mbërritur qindramijë faqet e para, është historia e një qeverie, policie drejtësie, medie, biznesi, me telefona të fshehtë. Duke treguar punët e tyre të fshehta, paligjshmëritë, marrëveshjet, krimet ekonomike, vrasjet, trafiqet, tenderat, koncesionet, ofshoret, botën e zezë, deri më tani të përfolur, por të pashpallur tërësisht.

Rama i lakngushtuar, përpiqet të rrisë kontrollin radikal mbi këdo, për të dalë i palaguar. Kohë kur është bërë për tu shtrydhur.

Metamorfoza 1

Mesazhi i pakoduar i Edi Ramës për drejtësinë!

Duke ndjerë se kaosi ndërtuar prej tij, nuk do ta kursejë, do ta marrë me vete, pavarësisht kostos, kryeministri po dërgon në mënyrë të përsëritur mesazhe, një ndër të cilët është ai ndaj drejtësisë. Po flet me prokurorinë, gjykatat, policinë, shërbimet, bizneset, mediet, duke i përfshirë në lojë, si garanci të mosndëshkimit të tij. Po u kërkon nderin e privilegjeve të dhëna. Këto ditë ai në dalldinë e tij leksikore të shfrenuar por jo të paqëllimtë, ndër të tjera ka roitur fjalët se “…Nuk është Amerika që bëri Reformën në Drejtësi, është PS që e bëri dhe gjeti një mbështetje masive të aleatëve strategjikë. Reforma nuk bëhej dot pa mbështetjen e tyre. Por tjetër është ta udhëheqësh reformën dhe tjetër gjë ta mbështesësh….” Natyrisht projekti reformës ka mjaft tregues të dyshimtë tani me të dhënat e reja shtatëvjeçare të ndodhisë së saj. Ajo u nis e bitis e gjitha njëpartiake. E mbikëqyrur nga një kompani kanalizimesh austriake. Me vendimmarrje të porositura nga pushteti dhe krimi, një listë e bërë veç e veç dhe nga të dy palët bashkë. Ai ka të drejtë. Amerika nuk mund të bëjë një farsë të tillë drejtësie. Rama, PS komanduar nga ai, Xhafa, Veliaj, po, ata munden. Siç drekuan çuditshëm disa prokurorë me Aleks Soros e Veliaj në Tiranë?! Sekëlldinë dihet kush e kishte në tavolinë. Mister inceneratori bashkiak i Tiranës.

Me ulërimat e fundit, po tenton të luhasë sigurinë e tyre për afatqëndrimet nëpër karriket e kupolës së reformuar. Duke thënë publikisht e kam bërë unë po u thotë se aty ku jeni, ju kam dërguar unë. Jo USA. E kjo fill pas kthimit të një delegacioni prokurorësh nga Uashingtoni, ku nuk i kishte dërguar Ai. Njëlloj mund tju heq unë mesazhin hallexhiu i gjitha pushteteve. Procedura është e kollajtë. Një denoncim rastësor për të pabindurit prokurorë, apo gjyqtarë. Një hetim disiplinor nga ILD, një pezullim rastësor pa afat. Kthimi në detyrë, thjesht shkruaje në akull. Radha. Tjetri.

Metamorfoza 2

Dosja Franko-belge-holandeze

Ajo ka shumë. Tej imagjinatës. Flitet pak. Shkruhet po aq. Hermetizmi ka një anë të mirë, e një risk jo të vogël. SPAK di pafund rreth kësaj historie. Por radhën e punëve, me burime të kufizuara njerëzore, e ka të ngathët. Renditja sipas sërës së politikanëve, pushtetarëve, qeveritarëve, kuvendarëve, njerëzve të drejtësisë, policisë, biznesmenëve, mediatikëve, mund të kishte shërbyer më mirë. Sepse janë nëpër zyra.

Nëse policë, prokurorë, gjyqtarë, KPK, KPA, KLGJ, KLP, Gjykata e çdo niveli deri të Kushtetuesja, Prokuroritë e çdo lloji, janë nëpër fashikuj, atëherë ata nuk do dënojnë njëri tjetrin, por do të mbrojnë njëri tjetrin. Rama po dekonspiron një tjetër legjendë jo krejt urbane. Ai duhet të nisë pak më ndryshe e më sinqerisht.

Jo unë nuk kam pasur telefon të kriptuar Sky dhe Encro chat. Gjithnjë nëse.

Nuk kam folur me të paligjshëm. Gjithnjë nëse

Nuk kam punuar me mafiozë vendas apo të huaj. Gjithnjë nëse.

Ministrat e mi nuk janë nëpër këto dosje të fshehta. Gjithnjë nëse.

Familjarët e mi nuk janë askund. Gjithnjë nëse.

Kryepolicët e mi nuk janë aty. Gjithnjë nëse.

Bashkiakët e mi nuk janë në këtë incenerator djegës ligjesh. Gjithnjë nëse.

Gjyqtarë e prokurorë të reformuar, mbështetur e udhëhequr prej tij, siç thotë ai, njuk janë nëpër faqe të “Metamorfozës” duke shkëmbyer bashkë porosi, e pjesa tjetër me nëntokën. Gjithnjë nëse.

Rama di atë që nuk thotë. Ndaj bërtet. Sepse e di thellësinë fatkeqe të brendisë së dosjeve. “Metamorfoza” e tij dhe ajo franko-belgo-holandeze tani janë të pandashme.

Gjithnjë nëse do shkohet deri në fund, nga pala e duhur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here