Përplasje e fortë Tiranë – Athinë për Fredi Belerin/ Ministri grek: U shkel prezumimi i pafajësisë. Xhaçka: Çështje e drejtësisë jo e qeverisë

0
232

Nuk vonoi reagimi i qeverisë greke pas pas intervistës së kryeministrit Edi Rama në televizionin publik ERT për burgimin e Fredi Belerit, marrëdhëniet greko-shqiptare dhe minoritetin grek në Shqipëri. Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis, në një deklaratë për gazetarët grekë pas pjesëmarrjes së tij në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, ka theksuar se është diskutuar edhe çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës.

“Çështja e mbajtjes së përkohshme në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë” – ka thënë kreu i diplomacisë greke.

“Për çështjen e zotit Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së Drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.

Dhe dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare.

Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi, në mënyrë që të mundësohet betimi i z. Beleri si kryetar bashkie dhe të shprehet në mënyrën më të mirë vullneti i banorëve të Himarës, ashtu siç erdhi përmes zgjedhjeve të saj bashkiake të 14 majit” – përfundoi ministri i Jashtëm grek.

Pak orë më pas erdhi përgjigjja e Tiranës zyrtare nëpërmjet ministres së jashtme Olta Xhaçka në Twitter.

“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare!

Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu:Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke.

Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak. Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu” – shkruan Xhaçka.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here