Tregtia online/ Humb apo fiton konsumatori nga taksimi online?

1
196

Iniciativa më e fundit e Ministrisë së Financave për uljen e kufirit të tatueshëm për zhdoganimin e mallrave në shumën 22 EUR (rreth 3.000 lek) është ndër ato akte që jo vetëm duhen përgëzuar, pavarësisht vonesës dhe dëmit të shkaktuar nga ngritja e mëparshme nën drejtimin e Canit, por edhe duhet mbështetur.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë të publikuara dhe mediatizuara së fundmi, tregojnë shkallën e lartë dhe impaktin ekonomik të daljes së valutës deri në këto momente. Pavarësisht nevojës dhe të drejtës për tregëti të lirë, krahas edhe të drejtës së ligjshme të konsumatorëve për çmime sa më të leverdisshme, këto liri duhet të shoqërohen dhe drejtohen sipas ligjeve të vendit dhe ligjësive ndërkombëtare të shkëmbimit të mallrave. Këto ligjësi patjetër që duke trajtuar të drejtën konsumatore për çmimin më të ulët, shoqërohen edhe minimalisht me detyrimin e shtetit dhe institucioneve të tij për mbrojtjen konsumatore, jo vetëm nga produktet, por edhe transaksionet. Dhe këto të drejta, me deformimet e pësuara si për mungesa vizioni dhe për vullnete individuale, kanë shkaktuar jo pak dëme në disa plane.

Nga ana tjetër, këto deformime ia kanë lidhur duar e këmbë institucioneve shtetërore për të ushtruar ato tagra të detyrueshme. Por pa harruar se këto ligjësi ndërkombëtare, manifestohen me vlerë 0 në shumë vende kufitare apo të BE-së, ndër të cilat ne, deri dje, me deformimin alla-shqiptarçe, e kishim ngritur kufirin deri në 200 EURO !?

Tregtia online është më e lirë për shkak të shitjeve në volume të mëdha. Nga debatet e deritanishme mediatike apo nëpër blogje, nuk po del aspak i qartë dhe i theksuar realiteti i dëmit faktit dhe shumë përmasor i këtij fenomeni, të shoqëruar me disa pyetje:

– çfarë dëmi ka shkaktuar ndaj tregtisë vendase?

– çfarë dëmi i ka shkaktuar ky informalitet galopant i kamufluar nën të drejtën e të blerit më lirë shitjes me pakicë dhe distributorëve të mallrave në vend?

– Çfarë dëmi i ka shkaktuar konsumatorëve futja e mallrave të paçertifikuara dhe me garanci minimalsite apo fallso?

– Çfarë dëmi i ka krijuar ky informalitet ekonomisë vendase, që tek punësimet, tek deklarimet, tek sigurimet, tek të ardhurat në buxhet, tek investimet e pritshme?

Ulja e kufirit të tatueshëm do të japë shumë shpejt efektet e veta. Por këto efekte do të jenë të duhurat dhe maksimale vetëm nëse serioziteti i iniciativës së Ministrisë së Financave do të shoqërohet me aktet dhe strukturat e duhura të kontrollit dhe të zbatimit, por edhe të ndëshkimit sipas rastit!

Ulja e kufirit do të nxisë konsumatorët drejt blerjeve në sipërmarrjet vendase, e cila me shtiumin e volumit të shitjeve, natyrisht që do të ndikojë në uljen apo balancimin më të drejtë të çmimeve, do të rrisë punësimin dhe të ardhurat e familjeve shqiptare, siç edhe jemi të ndërgjegjshëm që do të ndikojë pozitivisht edhe për të ardhura më të larta në buxhetin e shtetit, të përkthyera këto në potenciale më të mëdha për investime me interes publik.

Taksa doganore dhe aplikimi i TVSH nuk ndalojnë blerjet online por vetëm se i vendos në kushte të barabarta tregtie me qarkullimin e mallrave brenda vendit. Aplikimi i taksës doganore dhe TVSH-së për blerjet online mbi 22 EUR vendos një drejtësi tatimore pasi konsumatorët shqiptarë që blejnë mallra dhe shërbime në Shqipëri paguajnë tatimet dhe TVSH në çmim ndërsa blerësit online i shmangen këtyre detyrimeve. Akti i uljes së kufirit të tatueshëm do t’i bëjë vetë konsumatorët të ndjehen më të barabartë drejt detyrimeve ndaj shtetit, dhe më të ndërgjegjshëm për pagesën e këtyre detyrimeve dhe uljes së evazionit.

Niveli dhe vlera e taksës doganore dhe TVSH-së ndikojnë në një masë të vogël në çmimin përfundimtar të produkteve të blera në magazinat online. Si taksa doganore dhe TVSH janë në përqindje. Sa më e vogël vlera e mallit aq më e vogël do të jetë vlera e taksës doganore dhe TVSH-së.

Një tjetër aspekt për t’u marrë në konsideratë pozitive është se blerjet online kanë nxitur eksponencialisht hyrjen pa doganë e tatim të produkteve me origjinë të pakontrolluar dhe të pamiratuar, cilësi të dyshimtë dhe me materiale të një cilësie inferiore të rrezikshme për konsumatorin.

Sipas informacioneve zyrtare dhe jozyrtare, blerjet online janë shoqëruar me tendenca dhe efekte deformuese në treg. Një pjesë e konsiderueshme e blerësve online nuk janë konsumatorë por tregtarë të cilët i rishisnin produktet pa paguar as taksë doganore e as TVSH. Ky lloj evazioni ka shkaktuar presion të padrejtë dhe të vazhdueshëm ndaj sipërmarrjeve të rregullta drejt praktikave evazioniste, të imponuara nga nevoja për mbijetesë karshi konkurrencës së pandershme dhe informalitetit metastazik.

Të blesh mall të mirë dhe të lirë është një dilemë që josh çdo tregtar dhe konsumator. Përpos shumë blerjeve të zgjuara që ndodhin çdo ditë, është e lehtë të evidentosh dhe mashtrimet me produkte të paçertifikuara të shitura me çmime jashtë logjikës së tregut. Në këtë kontekst, blerjet online e ofrojnë një mundësi të tillë. Të blesh lirë është një çështje. Të blesh produkte cilësore nuk është e njëjta gjë.

Vlen për t’u theksuar sërish se iniciativa duhet mbështetur nga të gjithë sipermarrësit vendas, sepse thjeshtë e qartë do të rrisë fuqinë blerëse të konsumatorëve vendas drejt bizneseve të tyre.

Nga ana tjetër, kjo iniciativë duhet shpënë deri në fund nga organet kompetente, si dogana dhe tatimet, me qëllim implementimin me rigorozitet dhe konsistent (e jo me fushata!) në të gjitha hallkat e qarkullimit, për të gjithë operatorët postarë, jo vetëm me shkresa rutinë por edhe me kontrolle peridoke dhe specifike, me qëllim dhe efekt krijimin e një klime dhe edukate të konsumatorit dhe të tregtarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Jo ore! Si thote ky zoteria? “Një pjesë e konsiderueshme e blerësve online nuk janë konsumatorë por tregtarë të cilët i rishisnin produktet pa paguar as taksë doganore e as TVSH”. …Ia ka futur kot. Takse doganore paguan cdo tregtar, si ai qe e sjell mallin vete me maune nga Kina apo Turqia, si ai qe ble mallrat online. Nese nuk paguan dogane, kjo nuk ka te beje fare me tregtine online, por ka te bere me korrupsionin ne dogana. Marrim TVSh-ne. TVSH nuk paguhej per mallra me vlere nen 20 mije leke (te rinj) dhe ky kufi ishte caktuar, duke supozuar se ne kete nivel blejne njerezit jo tregtaret. Keshtu qe tregtareve nuk u beri gje ky ligji, ata e paguanin dhe prape do ta paguajne TVSH-ne si me pare. Tani po e hane direkt konsumatoret.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here