Inceneratori i Tiranës/ Berisha: Sipërmarrja e Veliajt, Ramës dhe Agaçit mbrohet nga SKAP-i i partisë

0
159

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se inceneratori i Tiranës është në pronësi të Erion Veliajt, Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Berisha tha se kjo aferë shkon deri në 680 milonë euro. Sipas tij, SPAK-u po e mbron këtë sipërmarrje.

“Erion Veliaj është pronar kryesor me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin sepse për djegësin e Tiranës ka ndodhur mashtrimi më i madh në historinë e prokurimeve apo koncesioneve, jo vetëm në Shqipëri, por besoj se në planet. Sipërmarrjen e tyre, të quajtur Integrated Energy BV, Veliaj-Rama dhe Agaçi e kuotojnë me 8 pikë, në një kohë kur ajo nuk ekzistonte kundër, përveçse në mendjen e tyre. Kjo kompani më 7 dhjetor 2016, do merrte 8 pikë për djegësin e Tiranës, kur ajo nuk ishte e regjistruar në asnjë institucion të shtetit shqiptar.

Për këtë çështje, ministrja Ermonela Felaj i drejton një shkresë zyrtare kryeministrit të vendit, ku i thotë se kjo nuk mund të bëhet, ky bonus nuk mund të jepet se kompania nuk ekziston mbi dhe. Por mendja ekzistonte në mendjen e Rama-Veliaj dhe Agaçi dhe asaj iu dhanë bonuset.

Vetë kompania u regjistrua tetë muaj më vonë, një ditë përpara se Rama dhe Agaçi ta shpallnin fituese të koncesionit të Tiranës.

Erion Veliaj, Edi Rama dhe Engjëll Agaçi janë autorë kryesorë dhe hajdutë kryesorë, pronarë të djegësit të Tiranës. A mund të imagjinojë një njeri, që sot pas 6 vitesh dhe shpenzimeve të 104 milionë eurove nga taksapaguesit dhe sektorit privat për këtë djegës, nuk është ndërtuar asnjëri nga objektet e tij.

Megjithatë, Erion Veliaj taton qytetarët e Tiranës me tarifën 29 euro për ton. Tarifë kjo në kundërshtim flagrant me kontratën.

Së fundmi, sipërmarrja e djegësit të Tiranës është vetëm e vetëm e Erion Veliajt, Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Ajo vazhdon me të njëjtat tarifa dhe të njëjtat fitime e procedura, megjithëse dy pronarët falsë, Mërtiri dhe Zoto, janë në ndjekje penale dhe kërkim ndërkombëtar. Ky fakt dëshmon në mënyrën më flagrante se pronarët e vërtetë të djegësit të Tiranës janë Veliaj-Rama-Agaçi.

Ata që ndiqen janë aksionerë minorë ose punëtorë në kompaninë e Ramës-Veliajt dhe Agaçit. E vërteta e djegësit të Tiranës, që është afera që shkon 680 milionë euro në 30 vite, është aferë kriminale e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Engjëll Agaçit.

Por ajo është një monument i shëmtuar i korrupsionit në Shqipëri dhe botë, që mbrohet nga SKAP-i i partisë. Kjo është e vërteta,” tha Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here