Abuzimi me të ardhurat nga turizmi/ Berisha: Shteti i kënetës!

0
240

Kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar përmes një shënimi në faqen e tij në facebook vjedhjen dhe abuzimin me të ardhurat buxhetore nga Turizmi.

Ai ka publikuar një artikull të Oligarkia. al që bën fjalë për këtë abuzim kolosal !

Shteti i kënetës !

Miq, nga 7.5 milionë turistë, që sipas Institutit të Statistikës vizituan Shqipërinë në vitin 2022 buxheti i shtetit përfitoi gjithsej, 8.5 milionë euro nga fjetjet e tyre. Pra, sipas këtyre të dhënave del se buxheti i shtetit vitin e kaluar ka fituar pak më shumë se 1 euro apo 1.13 euro për turist, që ka hyrë në vendin tonë. Kjo shifër dëshmon shkallën e vjedhjes ekstreme të të ardhurave buxhetore në këtë sektor, nga lukunia e tatimorëve të cilët me pagesa nën dorë mbyllin sytë dhe përligjin shifra informaliteti, që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës.

[⬇️] Për më tepër, për këtë vjedhje të tmerrshme ju ftoj të lexoni analizën e publikuar në oligarkia.al

Luga bosh e turizmit/ Miliarda euro në letër, qindarka për buxhetin

Teksa qeveria dhe institucionet trumbetojnë bumin e jashtëzakonshëm turistik, Shqipëria po përballet me një paradoks. Atë që në letër ekonomia shqiptare po fiton miliarda euro nga turizmi, por në buxhet duken vetëm qindarka.

Instituti i Statistikave raportoi se viti i kaluar Shqipëria regjistroi një rekord historik për industrinë e turizmit. Sipas statistikave të INSTAT, në vitin 2022 vendi u vizitua nga 7.5 milionë turistë ose 32.6 për qind më shumë se sa një vit më parë.

INSTAT nuk është burimi i vetëm zyrtar, që paraqet panoramën e një bumi të paprecedentë turistik. Banka e Shqipërisë po ashtu raporton shifra rekord.

Në bilancin e pagesave, i cili mat hyrje-daljet e valutës në ekonomi, Banka vlerëson se vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 2.8 miliardë euro nga industria e udhëtimeve. Shifra që është sa 14 për qind e Prodhimit Kombëtar përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave për ekonominë kombëtare. Por ka një problem. Paratë nuk duken. Të paktën jo në buxhet.

Qindarka buxhetore

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e kaluar, e gjithë industria e akomodimit në Shqipëri deklaroi vetëm 140 milionë euro shitje totale. Kjo është xhiroja e raportuar nga të gjitha hotelet e Shqipërisë, mbi të cilën llogaritet tatimi mbi vlerën e shtuar për fjetjen.

Sipas ligjit, furnizimi i shërbimit të fjetjes taksohet me 6 për qind TVSH. Ndaj në vitin 2022, e gjithë baza e taksueshme prej 140 milionë eurosh, potencialisht prodhoi vetëm 8.5 milionë euro të ardhura në buxhet. Por edhe kjo është shifër potenciale, pasi nuk llogarit tepricën kreditore të TVSH-së. Me pak fjalë, e gjithë industria e akomodimit në Shqipëri, në shërbimin e fjetjes prodhon më pak se 8 milionë euro TVSH për buxhetin. Kokoshi u katandis në një thelë. Dhe pyetja është ku treten paratë?

Diçka mungon

Shërbimi i fjetjes është vetëm një nga komponentën në tortën e të ardhurave që përfiton ekonomia nga turizmi. Paralelisht me fjetjen, turistët shpenzojnë për ushqime, për argëtim dhe plot shërbime të tjera. Megjithata nga 2.8 miliardë euro të ardhura totale në vetëm 140 milionë euro shitje të shërbimit të fjetjes, diferenca është e madhe. Nëse në ekuacion fut edhe të ardhurat nga turizmi i brendshëm hendeku është edhe më i madh. Diçka nuk përputhet. Teorikisht ka dy mundësi për të shpjeguar këtë paradoks. E para është që shifra 2.8 miliardë euro e të ardhurave totale që ekonomia përfiton nga turizmi mund të jetë e fryrë. Bilanci i pagesave, i cili e raporton shifrën 2.8 miliardë euro në finale është një vlerësim dhe jo matje ekzakte. Ndoshta në shifrën 7.5 milionë turistë, Instat raporton edhe udhëtarët tranzitë, që hyjnë e dalin në territorin e Shqipërisë pa shpenzuar fare.

Mundësia e dytë është informaliteti. Ndoshta hotelet nuk po raportojnë sa duhet shitjet dhe buxheti po humbet para. Ose varianti i tretë është një kombinim i të dyjave. Shifra 2.8 miliardë euro është e fryrë dhe sektori noton në informalitet duke bërë që buxheti të mos marrë përfitimet që i takojnë. Ky është paradoksi i turizmit sot në Shqipëri. Miliarda euro në letër, por qindarka lekë në buxhet./oligarikia.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here