Përkimet/ Ku bashkohen fushatat e Ramës dhe Alibeajt

0
146

Edi Rama as nuk e fsheh më se ka qenë i koordinuar me grupin Alibeaj, jo vetëm për t’i hequr logon dhe vulën e PD rithemelimit, por edhe për të mos e lënë koalicionin “Bashkë Fitojmë” të ketë në fletën e fotimit si prijës Sali Berishën. Javën e shkuar KAS (Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve) në KQZ e më pas Kolegji Zgjedhor nuk e përfillën një kërkesë të Partisë së Lirisë, që bashkimi i tyre të drejtohej nga Berisha. Ata vendosën se pavarësisht se ç’donin të zotët e punës, krahas emrave të Belind Këlliçit, Luçiano Boçit, Igli Carës, të shkruhej emri i Ilir Metës. Vendimet e instancave zgjedhore të kontrolluara nga pushteti, ishin të qarta. Ato synonin dy gjëra: së pari ngatërrimin e ndonjë votuesi opozitar me nivel të ulët dhe së dyti përligjen e fraksionit të vulës të Alibeajt që propagandon se Berisha po i trafikon votat e demokratëve tek Meta.

 

Në fakt ky ka qenë gjatë gjithë kohës refreni i mbështetësve të Alibeajt, duke aluduar se fituesit e primareve po kërkojnë të mbledhin vota për Partinë e Lirisë. Por, së fundi, fiks të njëjtën gjë filloi të përsërisë edhe Edi Rama. Në një takim në Durrës ai tha se kandidati i opozitës reale, Igli Cara është djalë i mirë por ai e ka lënë veten në duar të “zorrës qorre”, pra Berishës dhe Metës. “Baca” nuk është as në fletë votimi, por është “Like Floriri”, tha kryeministri duke përsëritur fiks të njëjtin sllogan si shpurra e Alibeajt.

Por ky sllogan nuk është përkimi i vetëm mes Rilindjes dhe vulës. Pak ditë më parë, dy video të montuara bënë xhiron e rrjetit. Aty dëgjoheshin me zë dhe me figurë Erion Veliaj dhe Enkeleid Alibeaj duke përsëritur të njëjtën shprehje: “Ku i gjen paratë për fushatës Sali Berisha”?. Kjo frazë, që i ngjan sjelljes së hajdutit që të kërkon llogari se ku i gjen lekët të blesh ushqime pasi të ka vjedhur shtëpinë (pasi institucionet zgjedhore i hoqën të drejtën opozitës reale për të marrë financim publik), nuk të shokonte vetëm prej amoralitetit, por edhe për koordinimin mes socialistëve dhe pseudodemokratëve.

Edhe kandidati i vulës për Tiranën, Roland Bejko, në hapjen e fushatës në pallatin e sportit Fahrie Hoti e sulmoi vëllain e tij armik brenda demokratëve me shprehjen: “Belo nuk përmend dot një kullë të ngritur nga oligarkët në Tiranë”, duke i bërë Këlliçit fiks të njëjtën akuzë që i përsërisin nëpër studio TV analistët e sponsorizuar nga Rilindja. Në pamje të parë, një kritikë e tillë është e shëndetshme, por ajo e damkos fushatën e Bejkos si të dyshimtë, kur as ai vetë në fjalimin ku akuzoi Këlliçin, nuk shigjetoi dot konkretisht asnjë kullë oligarku.

Të tëra këto raste, të para në sfondin e një parlamenti ku Lindita Nikolla i njeh në mënyrë të jashtëligjshme përjashtimet nga grupi që bën Alibeaj dhe kur deputetët e këtij të fundit bashkojnë votat me Ramën, qoftë për zgjatjen e vettingut, qoftë për nxjerrjen e Ilir Metës nga politika, i forcojnë shumë dyshimet për një marrëveshje në kulisa mes pushtetit dhe opozitës fallco. Ato po bëhen edhe më të forta tani para zgjedhjeve.  ©Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here