Kontrolli në banesën e bashkëjetueses së Ahmetajt, beteja ligjore zhvendoset në Gjykatën e Lartë

0
144

Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, e kanë zhvendosur në Gjykatën e Lartë betejën ligjore mbi ligjshmërinë e kontrollit të banesës së hoxhës në Hamallaj.

Kjo gjykatë ka regjistruar kundërshtimin e vendimit të Apelit të Posaçëm që nuk pranoi ankimin e Ahmetajt dhe Hoxhës. Ish-zv.kryeministri pretendon se kontrolli i banesës ishte antikushtetues, pasi duhet të ishte marrë më herët miratim nga Kuvendi. Po ashtu ai pretendon paligjshmëri të kryera nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë kontrollit.

Ahmetaj po hetohet nga SPAK për disa vepra penale, mes të cilave “korrupsioni” dhe “fshehja e pasurisë”. Në fund të muajit mars, Apeli i Posaçëm rrëzoi ankimimin Ahmetajt për kontrollin që u krye në banesën e bashkëjetueses së tij në Hamallaj.

Zonjës Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose një mbrojtësi të zgjedhur para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj, pasi telefoni iu sekuestrua menjëherë. Banesa është dykatëshe dhe hetuesit u ndanë në mjedise të ndryshme ndërkohë që zonja Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetues të tjerë. Gjatë kontrollit ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre.

Ankimi i Ahmetajt në Apelin e Posaçëm

Përmes ankimit, Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kohës kur është kontrolluar banesa. Gjithashtu, ata ankimuan edhe marrjen e PIN-it të kartës SIM të telefonit të zonjës Hoxha, pa një autorizim nga ana e Gjykatës.

Për çfarë akuzohet Ahmetaj?

Emri i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj është regjistruar si person nën hetim nga SPAK. Ai akuzohet për veprat penale “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.

Hetime edhe jashtë Shqipërisë për Ahmetajn

Hetimi i nisur nga SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, është shtrirë edhe jashtë kufijve. Burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme, konfirmuan se për llogari të këtij hetimi, i regjistruar në numrin 277/1, janë dërguar disa letërporosi jashtë vendit. Sipas burimeve, përmes tyre është kërkuar kryerja e verifikimeve nga autoritetet e këtyre vendeve për dyshimet e ngritura ndaj ish-ministrit të Financave për mundësinë e përfshirjes në korrupsion, pastrim të parave apo fshehjes së pasurisë. Për disa nga këto letërporosi, SPAK ka marrë përgjigje dhe është duke përpunuar informacionin e përcjellë, ndërsa për të tjerat është ende në pritje.

Vendimi i sekuestrimit të vilave ankimohet në Apel

Në fillim të muajit prill të këtij viti, avokatët e ish-ministrit të Financave ankimuan në Apel vendimin e GJKKO për sekuestrimin e një vile në Palasë dhe një në Hamallaj, që sipas SPAK, zotërohen nga ish-bashkëshortja dhe partnerja aktuale e ish-ministrit. Sipas burimeve nga SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.

Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar ne emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj e vënë në sekuestro me vendim gjykate i përket bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e BHK në 8 mars.

Akuzat për përfshirjen e Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve

Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako. Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.

Çfarë thoshte Rama për Ahmetajn?

Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Rama, i cili iu përgjigj deklaratave të ish-zv.kryeminsitrit, Arben Ahmetaj, se ai duhet të bëjë kryeministrin, jo gjykatësin. “Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të kisha bërë gjykatësin”, tha Rama gjatë një komunikimi për gazetarët në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here