Kryespakistët që luajnë kungulleshkash

0
126
Nga Klodian Tomorri 

Kur ish-drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, duhet të justifikonte absurdin e mos bllokimit të inceneratorit të Tiranës edhe pse aty ishte provuar korrupsion, gjeti shpëtim tek deklarata e famshme që hetimet për këtë çështje janë komplekse. Zoti Kraja iku. Por sikleti i inceneratorit mbeti aty. Tani halli për të justifikuar të pajustifikueshmen i ka rënë pasardhësit  te tij.

Një ditë më parë, kreu aktual i SPAK, Altin Dumani, i ra fyellit në të njëjtën vrimë. Vetëm se ky u tregua pak me kreativ dhe në vend te termit kompleks përdori një fjale më shqip. “Hetimet për inceneratorin e Tiranës janë shumë të vështira, pasi nuk dihet kush janë pronarët realë”- tha zoti Dumani.

Ka një lojë të njohur për fëmijët, që quhet loja e kungulleshkës. Baza e lojës është thjesht teka e zgjedhjes se një numri kot dhe mbrojtja e tij pa asnjë argument. Ndoshta zoti Kraja dhe zoti Dumani nuk kanë luajtur kur kanë qenë fëmijë. Por është e sigurtë që u ra halli të luajnë kungulleshkash në moshë madhore.

Justifikimi i kreut të SPAK, që ne nuk e bllokojmë dot inceneratorin pasi nuk gjejmë dot se kush janë pronaret reale është, po aq absurd sa fakti qe qeveria shqiptare paguan para për një kontratë korruptive, te cilat shkojnë në llogarinë e disa personave që policia e qeverisë kërkojnë t’i arrestojë.

Ka një mënyrë shumë efektive për të gjetur se kush janë pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës. Kjo është bllokimi i pagesave. Kur mbyllet rubineti i parave, hajdutët e nxjerrin vetë kokën nga shkurret e offshoreve ku fshihen. Zoti Dumani dhe të gjithë prokurorët e SPAK këtë e dinë shumë mirë. Dhe do ishin shumë më serioze dhe të besueshëm nëse do thonin, që ne e dimë kush janë pronarët, ndaj nuk e bllokojmë dot. Por siç e thashë, këtyre u ra halli të luajnë kungulleshkash në moshe madhore. Ndërsa shqiptarëve, u ka rënë halli të paguajnë.

Të gjitha justifikimet për mos sekuestrimin e inceneratorëve janë manipulim intelektual. E vetmja rezerve këtu është përdorimi i termit intelektual se në fakt, justifikimet janë realisht banale.

Qeveria për shembull na thotë, që nuk mund t‘i bllokojmë dot pagesat se na mbytet Tirana me plehra. Mjerë Tirana ç’paska hequr përpara se të gjendeshin 3 shpetimtarët, Mërtiri, Zoto dhe Gugalla. Sigurisht që këta do ishin shumë më seriozë po të thonin, që nuk e sekuestrojmë dot dhe Tiranën se kemi hall mos mbingarkojmë Farudin Arapin me shumë punë. Por nejse, qeveria është në konflikt interesi këtu.

Ajo që nuk duhet të ishte në konflikt interesi, është prokuroria. Por këta ose kanë frikë ta hapin pusetat e qelbura të Inceneratorit të Tiranës, ose kanë rënë dhe vet brenda në të. Njësoj si tek ai skeçi brilant me të ndjerin Koço Devole: Ne presim shpëtim nga segmentet, por segmentet na paskan rënë vetë brenda.

Ndaj shqiptarëve u mbetet vetëm të paguajnë paratë me vetëdijen e plotë se ato po vidhen. Dhe të shijojnë kungulleshkat që luan SPAK-u. Ne këtë inceneratorin e morëm vesh që keni frike ta bllokoni. Por aman, bëjini botës një nder.

Nxirrni ndonjë urdhër sekuestroje për Interin se na mbyti Inzaghi. Nuk po gjejmë derman me asnjë krah.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here