Arsyet përse konsiderohemi diktaturë

0
311

Nga Brikena Bogdo

 

Ende  diskutojmë se në cfarë regjimi jetojmë në Shqipëri; në diktaturë, autokraci, republikë, në demos (pushteti i popullit), në pushtet të pakufizuar, në pushtet të kufizuar?  Sipas konceptit të diktaturës së Romës së lashtë, ne deduktojmë që jemi në diktaturë. Shqipëria sot është Roma në shekullin e parë përpara Krishtit. Jemi 22 shekuj mbrapa me europën perëndimore. Pse, kthehemi në histori. Diktaturën, si format qeverisjeje e hasim   në Romë, në shekullin e parë përpara Krishtit. Ajo që e përcaktoi konceptin diktaturë, ishte pushteti i centralizuar dhe i pakufizuar.

Në vitin 133 p.e.s, Gaius Grak miratoi disa ligje të rëndësishme, votimin e fshehtë në Kuvendin Kombëtar, të drejtën e tribunës së popullit, për t’u zgjedhur në mandatin e ardhshëm, si dhe ligje që zgjeronin pushtetin e Asamblesë Popullore, gjyqësorit dhe Institucionet e Kontrollit Financiar. Ai tentoi të zgjerojë konceptet e demokracisë. Por, kontradiktat e brendshme dhe luftrat civile krijuan terren  për pushtet të centralizuar duke instaluar diktatura. Diktatura ishte një formë qeverisje me pushtet qëndror por, që gjithsesi kishte përcaktuar një afat prej 10 vitesh qëndrimi, në pushtet. Në mesin e shekullit të parë p.e.s, vjen në pushtet diktatura e Sullës. Sulla detyroi senatin ta emëronte diktator, për një periudhë të pacaktuar. Ai mbushi senatin me mbështetës dhe zgjeroi kompetencat e tij. Ndërkohë hoqi kompetencat e Kuvendit Popullor, Pushtetit Gjyqësor dhe të Kontrollit Financiar. Pak kohë, pas pushtetit të Sullës, merr pushtetin triumvirati Pompei, Crassus, Cezari, i cili degradoi në diktaturën e Cezarit.

Cezari, pa u kufizuar në 10 vitet e parashikuara të diktaturës, e shpalli veten Diktator të Përjetshëm. Diktatura morri konotacion negativ më vonë, jo vetëm për pushtetin e centralizuar, por edhe për pushtetin e pakufizuar. Nëse, duke e krahasuar situatën me 22 shekuj përpara, nuk gjejmë ngjashmëri absolute, mashtrojmë veten dhe të tjerët.

Me këtë koncept që na ofron Roma e lashtë, kuptojmë që aktualisht në Shqipëri jemi në diktaturë. Kryeministri deklaron hapur “do të iki, kur të dua unë”, parlamenti është i mbushur me mbështetës të tij, nga pozita dhe opozita, votimet janë fiktive, duke rezultuar “fake elections”,  kreu i qeverisë ka pushtet absolut mbi të gjitha pushtetet, duke rezultuar ”fake demokracy”.

E drejtë themelore e njeriut, është e drejta natyrore, nga ku duhet të varen të gjitha të drejtat e tjera. E drejta natyrore, në themel të saj ka riciklimin. Por historia ka treguar, që politika ka abuzuar, duke tentuar të thyejë këto të drejta natyrore, duke mos pranuar riciklimin, dhe duke tentuar pushtete të përjetshme; sulltanër, perandorë, mbretër. Shqiptarët ende rrugëtojnë, në kah të kundërt, të të drejtave të tyre natyrore. Regjimet totalitare, janë pikërisht ato që deformojnë të drejtën natyrore të njeriut.

Ky format, me kohën, u përmbys. Ato vende që e deshën  zhvillimin e kombit të tyre, u mbështetën në të drejtën natyrore, për t’u shndërruar në vende demokratike.

Një element tjetër që ka në themel e drejta natyrore është e vërteta. Shqiptarët sot jetojnë si struci, kanë fshehur kokën, për të mos parë dhe reaguar ndaj gënjeshtrave që i thuhet nga regjimi, çdo sekondë të ditës, duke u larguar sërish nga e drejta natyrore. Populli gjerman e zgjidhi problemin me pushtetin e stërzgjatur mbretëror, duke u mbështetur tek e vërteta dhe ligji. Anekdota me fshatarin dhe mbretin është në themel të psikës së tyre. Fshatari, që po dëmtohej nga arbitrariteti i mbretit, e kërcënon duke i thënë mbretit, që do ta çojë në gjykatë. Ky ishte thelbi i fuqisë së Gjermanisë, ligji mbi pushtetin. Edhe gjermanët kanë rënë nën kthetrat e regjimeve nazizte dhe komuniste, por kanë ditur  t’i përmbysin ato, dhe të ringrihen mbi këto regjime.

Shqiptarët, në një trajektore të njëtrajtshme, ka rënë nga regjimi sulltanik, në atë komunist, diktatorial, totalitar, pa e përmbysur psikën e diktatit, kurrë. Kjo e vështirson situatën, pasi shqiptarët prej shekujshm janë larguar nga e drejta e tyre natyrore.

Pyetja lind: Kujt i duhet kjo status quo, gati 600 vjeçare e shqiptarëve? Pse, shqiptarët e lejojnë këtë largim të së drejtës natyrore, ku sipas kësaj të drejte natyrore, askush nuk ka të drejtë, të komandojë dhe të jetë i komanduar?

Roma ishte në këtë situatë përpara 22 shekujsh, si strukturë qeverisjeje. Amerika, përpara dy shekujsh, ishte Shqipëria sot, si strukturë korrupsioni dhe krimi, ku dominonin  bandat, krimi, korrupsioni, kaosi i frikshëm. Ky kaos është rreziku i zhdukje së një kombi. Amerika nuk, zgjodhi që të zhdukej, por të vendoste ligjin mbi pushtetin dhe bandat. Disa mendje të mençura hartuan kushtetutën e tyre të paprekshme. Ata vendosën ligjin e natyrës, rregulli e drejta dhe e vërteta, e kundërta e kaosit. Të vendosësh rregull dhe të drejtën për të gjithë është krejt e kundërta e imponimit të dëshirës së një individi. Shqiptarëve u janë imponuar të drejta të çnatyralizuara, të drejta të rreme, sepse historikisht kanë tentuar ta zhbëjnë si komb. Të njëjtën situatë kemi sot, me tentativa reale për shpopullimin e Shqipërisë.

Fuqizimi i oligarkëve, nëpër botë, tregon që sërish njerëzimi rrezikon polarizimin politik, ekstremitetet politike si komunizmi, apo diktaturat, por me petk dhe emërtime të reja. Shumë e rrezikuar është situata në Francë, ku presidenti Macron tejkalon pushtetin e Asamblesë Kombëtare, për rritjen e moshës së pensionistëve. Në Shqipëri, shumë e rrezikshme situata, ku KAS tejkalon pushtetin gjyqësor, duke përcaktuar kush është opozita. Por, sërish ka një ndryshim themelor me Francën, e cila sot po digjet, ndërsa në Shqipëri, askush nuk reagon.

Amerika, Europa kanë një valvul shpëtimi, që është pikërisht, ndarja dhe limitimi kohor i pushteteve, thelbi i demokracisë.

Dëgjoj analistë që thonë, se kështu ka qenë gjithmonë, pushteti i më të fortëve. Por Greqia e vjetër ka eksperimentuar me forma demokratike. Shohim, që në këtë rrugëtim shumë të vështirë të demokracisë dhe të së vërtetës, me shumë zigzake, ka patur oaze  të vërteta demokracie të mirëfilltë, që kanë hedhur bazat e demokracisë së sotme europiane. Njerëzimi, pikërisht në Athinën e lashtë, ka arritur majën e demokracisë, zgjedhjet me short. Ai që zgjidhej, qëndronte në pushtet vetëm një vit. Përgjatë atij viti, për çdo veprim, titullari ishte i kontrolluar nga një Asamble. Mbas largimit nga detyra, ai jepte llogari për çdo shkelje në detyrë. Gjatësia e qëndrimit pa limit, në kohë në pushtet, është themeli  i shtrembërimit të pushteteve, për të degraduar në diktatura. Kohëzgjatja  është fuqia titanike e një pushteti diktatorial, apo të korruptuar. Një praktikë tjetër e rëndësishme, në Greqinë e lashtë, ishte pushteti me dy mbretër, duke minimizuar pushtetin absolut të një individi.

Vendet që kanë një demokraci mjaft të konsoliduar, kanë në themel të praktikave të tyre dy dhoma, parlamentin dhe senatin. Franca funksionon me dy dhoma, por të përziera me një sistem gjysëm presidencial, ku presidenti përfshin edhe kreun e qeverisë edhe të shtetit. Italia funksionon me dy dhoma, parlamentin dhe senatin. Ndërsa, Gjermania funksionon me lande, ku çdo land ka qeverinë dhe parlamentin, për të kontrolluar nga një pushtet qëndror.

Pse Amerika sot, është shteti më i fuqishëm? Amerika, ka përfshirë të gjitha praktikat demokratike europiane, duke i vendosur në  ekuilibër perfekt, me njëri tjetrin. Shtetet kanë pavarësinë e tyre, por të kontrolluara nga një pushtet qëndror, konfederal. Amerika funksionon me të dy dhomat; dhomën e përfaqësuesve dhe senatin. Dhe së fundi është  me një president të fortë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, por me pushtet të limituar, deri në dy mandate. Ky sistem nuk lejon askën, që të marrë pushtet absolut mbi pushtetet e tjera. Check and balance, kontrollo dhe balanco pushtetet.

Po ky mentalitet qëndron edhe në sistemin e drejtësisë, ulja e pushtetit absolut, që mund të marrë gjyqtari, duke i vendosur jurinë popullore. Gjyqtari zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Pra, duke ruajtur në ekuilibër perfekt pavarësinë e individit dhe kontrollin ndaj këtij individi, qoftë ky president, gjyqtar, apo kryetar bashkie.

Zgjedhja me votam është një praktikëm që ka filluar të kontestohet. Për shitje dhe blerje votash, sot, po hidhen akuza të ashpra dhe në vendet më demokratike, si Amerika. Në kohët e sotme të zhvillimit të teknologjisë edhe zgjedhja me short mund të komprometohet. Por ajo praktië kishte, edhe diçka tjetër thelbësore, koha shumë e shkurtër në pushtet, vetëm një vit. Askush, nuk do të kishte interes që të komprometonte procesin për një qëndrim, vetëm një vjeçar, në pushtet.

Me këto regjime pushtetesh, të stërzgjatura, u dominua edhe Europa Perëndimore e cila në disa vende e zgjidhi, në disa raste me revolucion, në disa raste me sistem. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjenerali De Gol gjeti zgjidhjen tek një sistem gjysëm presidencial. Por, a ishte zgjidhja më e mirë për nocionin e demokracisë? Ai e bëri këtë zgjedhje për stabilitetin e vendit, pas luftës. Sigurisht, stabiliteti i një vendi ka më shumë rëndësi, sidomos pas një traume lufte, se sa një nocion i kulluar demokracie. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur kanë kaluar gati 80 vjet, a janë këto formacione politike zgjedhore, më të duhurat? Fakti që sot Franca po digjet tregon, që diku sisemi në Francë ka ngecur. Macron akuzohet nga parizienët si një diktator. Tejkalimi i Asamblesë Kombëtare tregon për tendenca diktati, të presidentit Macron.

Çdo zgjatje pushteti, në kohë, është krahmarrje për demokracinë, e cënon demokracinë, ia ul fuqinë demokracisë. Nuk ka asnjë arsye, për të qëndruar në pushtet, dy apo tre mandate. Kohët moderne, me një update të shpejtë të çdo pune, kur realizimet e projekteve bëhen në kohë rekord, po ecin në kah të kundërt me tendencat e kohëve politike, që tentojnë një zgjatje pushtetesh. Në fakt, në këto kohë moderne, ku shpejtësia është kryefjala, nuk ka asjë arsye, që të mos ecet në këtë shpejtësi edhe me kohën politike. Sa më shumë pushtete të zgjatura, aq më kohë e ulët demokratike, dhe e kundërta. Pushtetet sa më të shkurtra, pse jo edhe vetëm një vjeçare, do të hedhin poshtë çdo autokrat, çdo diktator, çdo teori konspirative dhe masonike për vendosje individësh ,në pushtet, jashtë vullnetit zgjedhor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here