EU Reporter dhe Sulmi nën-radar i Huawei në Bruksel

0
884

Sulmi nën-radar i Huawei në Bruksel

Mbulimi i EU Reporter për Huawei përfshinte artikuj lajmesh anonime të marra pothuajse fjalë për fjalë nga njoftimet për shtyp të Huawei.

Nga Mark Scott

Kur Huawei kishte nevojë për një mik në Bruksel, e gjeti një të tillë në EU Reporter.

Teksa erërat gjeopolitike filluan t’u kthehen kundër kompanisë vitin e kaluar, gjigandi kinez i telekomunikacionit donte të rehabilitonte reputacionin e vet në korridoret e pushtetit në Bashkimin Evropian. Kompania iu afrua një media me një lidhje të gjatë me Pekinin dhe që ka një model biznesi që u lejon klientëve të publikojnë lobimin e tyre me pagesë duke i bërë shkrimet të duken si lajm i pavarur.

nga shkurti i vitit 2020, EU Reporter – një faqe interneti me bazë në Bruksel që eliston Huawei si klient në materialin e saj të marketingut bëri një lobim 12-mujor në favor të kompanisë kineze të kritikuar.

Fushata e lobimit përfshinte artikuj lajmesh anonime që ishin marrë pothuajse fjalë për fjalë nga njoftimet për shtyp të Huawei; një mbledhje virtuale që promovoi pikëpamjet e kompanisë mbi betejat politike rreth të ashtuquajturës teknologji mobile 5G; dhe artikuj opinionesh të autorizuar nga drejtues të lartë të kompanisë që nuk u zbuluan që ishin me pagesë.

Mbulimi – i cili u promovua nga kanalet e mediave sociale të Huawei dhe u dorëzua nga konsulencat e kompanisë tek qeveria amerikane si pjesë e një dosjeje lobimi zyrtar – ishte jashtëzakonisht i favorshëm për firmën kineze në një kohë të shqetësimeve në rritje në të gjithë Perëndimin për pjesëmarrjen e saj në projektet e infrastrukturës së telekomit në të gjithë bllokun 27-vendesh.

Media të tjera me bazë në Bruksel, duke përfshirë POLITICO, publikojnë përmbajtje të sponsorizuara të etiketuara qartë nga kompani ose qeveri që kërkojnë të ndikojnë në zyrtarët e BE-së.Ajo që e bën të ndryshme mbulimin e EU Reporter është fshehja, pra mungesa e transparencës.

Megjithëse materiali i marketingut i organizatës mediatike thotë se i lejon klientët të lobojnë në politikëbërjen e BE-së përmes faqes së saj të internetit, fushata 12-mujore e Huawei u prezantua, me vetëm disa përjashtime, si lajm i pavarur. Gjatë asaj periudhe, pjesa dërrmuese e mbulimit të EU Reporter për Huawei nuk përmendi marrëdhëniet tregtare midis dykompanive. Vetëm një pakicë e vogël artikujsh përmbanin sqarime që deklaronin se ato ishin paguar nga gjigandi kinez i telekomit.

Praktikat e EU Reporter nuk shkelin ligjin belg apo udhëzimet e vetë BE-së mbi transparencën e lobimit. Por ato shkelin standardet e industrisë së medias që synojnë të sigurojnë që lexuesit të dallojnë mes gazetarisë së pavarur dhe përmbajtjes që shtyhet nga interesa komerciale ose politike.

“Ka dy probleme themelore,” tha Michiel van Hulten, drejtor i Transparency International BE, një grup jofitimprurës që bën fushatë për hapje më të madhe rreth lobimit politik. “Një, Brukseli thjesht nuk ka vazhduar ta gjurmojë zhvillimin e lobimit. E dyta është se nuk ka zbatim të rregullave aktuale.”

Si përgjigje, Colin Stevens, pronari i EU Reporter, konfirmoi për POLITICO se Huawei kishte qenë klient dhe kishte paguar për lajmet.

“Detyra jonë ishte t’i jepnim mbulim mediatik dhe të theksonimdebatin 5G,” tha ai në një deklaratë, duke hedhur poshtë pretendimet se EU Reporter publikoi artikuj anonimë. “Kjo përfshinte përdorimin e njoftimeve për shtyp dhe materialeve të marketingut nga Huawei dhe kompani të tjera të përfshira në prezantimin e 5G.”

Huawei nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me marrëdhëniet e saj me EU Reporter. Një zëdhënës tha se kompania nuk zbuloi detaje rreth partneritetit të saj, por se nuk punon më me faqen.

“Ne punojmë rregullisht me organizata të ndryshme mediatike, dhe në shumë mënyra, siç bëjmë në të vërtetë me POLITICO”, tha një zëdhënës i Huawei në një deklaratë.

Përqafimi për Kinën

Për EU Reporter, fushata Huawei erdhi pas një marrëdhënieje në rritje me Partinë Komuniste Kineze.

Kur Stevens, një ish-ekzekutiv i televizionit rajonal britanik, mori drejtimin e faqes së internetit në vitin 2010, ajo ishte vetëm një nga shumë organizata mediatike që raportonte mbi çështjet e BE-së nga kryeqyteti belg. Ajo u zgjerua shpejt për të ofruar lajme në shumë gjuhë – kryesisht nëpërmjet shërbimeve të përkthimit automatik të Google – dhe u promovua në të njëjtin nivel me The New York Times dhe Guardian për mbulimin e ngjarjeve aktuale evropiane.

Që nga viti 2020, ajo ra nga 15 mediat më me ndikim të lajmeve dhe markave të mediave sociale në të ashtuquajturën flluskë të Brukselit, sipas sondazhit nga BCW Bruksel dhe Savanta ComRes.

Brenda pak vitesh nga marrja në dorë e EU Reporter, Stevensfilloi të mjegullonte linjat ndarëse midis gazetarisë së pavarur dhe ofrimit të një platforme për interesat politike dhe komerciale.

Lidhjet e gazetës me Pekinin u bënë zyrtare pasi EU Reporter nënshkroi një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes së informacionit me People’s Daily of China, grupi më i madh i gazetave në pronësi të qeverisë kineze, në fund të vitit 2015. Marrëveshja përfshinte transmetimin e lajmeve të njëri-tjetrit, si dhe zhvillimin e “marrëdhënieve të afërta të punës” ndërmjet organizatave, sipas njoftimit të EU Reporter për marrëveshjen.Kjo marrëdhënie është akoma në fuqi.

Gjatë pesë viteve të fundit, media e fokusuar në BE ka botuar qindra artikuj nga organizata e mbështetur nga qeveria kineze, për gjithçka, që nga kundërpërgjigja e Pekinit ndaj pandemisë COVID-19 deri tek shtytja e Kinës drejt energjisë së rinovueshme. Raportimi më i fundit – në lidhje me politikat e tregtisë dixhitale të Pekinit në Azi – u shkrua në dhjetor 2020.

“Kulmi i vizitës ishte pirja e çajit në Sallën e Madhe të Popullit me Liu Yunshan, numrin 5 në Byronë Politike kineze,” tha Stevens në një deklaratë në atë kohë në lidhje me udhëtimin e tij në Pekin për të finalizuar marrëveshjen.

Emigranti britanik, i cili u transferua në Bruksel në fund të viteve 1990 dhe flet me një theks të butë uellsian, ka vazhduar të nxisë lidhjet me Kinën, duke shërbyer si këshilltar i Instituti iRrugës së Re të Mëndafshit, një institut kërkimi në Holandë, objektivi i të cilit është për të ndërtuar lidhje rreth projektit të investimeve të Pekinit “Belt and Road”. Stevens i tha gjithashtu POLITICO se EU Reporter ishte pjesë e Rrjetit të Lajmeve Belt and Road, një nismë e sponsorizuar nga qeveria kineze për të promovuar lajmet rreth politikës së saj të jashtme kryesore.

Pasi një rregullator britanik, Ofcom, tërhoqi licencën për transmetuesin CGTN të mbështetur nga Pekini, për të operuar në Mbretërinë e Bashkuar, media e sponsorizuar nga qeveria lavdëroi Press Club Brussels Europe, ku Stevens është president, për publikimin e kundërshtimit të tij në faqen e internetit. Stevens tha se roli i tij në klubin e shtypit ishte “homorifik” dhe kishte të bënte vetëm me mbikëqyrjen e mbledhjeve të rregullta të bordit.

“Vlen të përmendet se pasi Ofcom hoqi licencën e CGTN për të transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të shkurtit, Press Club Brussels Europe publikoi menjëherë një deklaratë të CGTN në faqen e saj të internetit”, tha transmetuesi shtetëror kinez.

Përshëndetje, Huawei

EU Reporter renditi Huawei si klient në materialin e vet të marketingut nga shkurti 2020, pikërisht kur nxehtësia politike rreth kompanisë filloi të rritet. Kjo marrëdhënie përfundoi në fillim të vitit 2021, sipas Huawei dhe Stevens.

Si prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve 5G, kompania kineze e kishte kaluar dekadën e mëparshme duke u zgjeruar në skenën globale – duke e sjellë atë ballë për ballë me rivalët evropianë, Ericsson dhe Nokia. Në fillim të vitit 2020, ajo kishte siguruar një rritje vjetore prej gati 30 për qind në biznesin e saj të telekomit 5G, në 90 marrëveshje të nënshkruara, më së shumti nga çdo prodhues i pajisjeve të telekomit. Pothuajse të gjitha ato kontrata vinin nga klientë evropianë.

Kjo ndezi kambanat e alarmit në të gjithë kryeqytetet perëndimore.

Politikëbërësit filluan të shqetësoheshin se potencialisht po iadorëzonin çelësat e rrjeteve celulare vendase – me fuqinë për të mbikqyrur qytetarët perëndimorë – një fuqie të huaj agresive. Kompania mohon çdo keqbërje ose se ka pasur lidhje me Partinë Komuniste Kineze.

Ky shqetësim, veçanërisht në mesin e agjencive perëndimore të sigurisë, filloi të rritet në të gjithë BE-në në mars 2020 pasi Uashingtoni bëri presion për të bindur zyrtarët evropianë që të ndalonin pajisjet Huawei – një taktikë që me kalimin e kohësrezultoi e suksesshme.

“Dukej sikur ata do të merrnin frerët në dorë”, tha Keith Krach, ish-nënsekretari amerikan i Shtetit, i cili udhëhoqi përpjekjet e administratës së Donald Trump për të bindur vendet e tjera që të heqin Huawei nga rrjetet e tyre celulare. “Ishte shumë e rrezikshme të vendosnit një mjet mbikëqyrjeje në rrjetin tuaj 5G.”

Ndërsa gjigandi i telekomunikacionit luftoi për t’u rikthyer kundër këtyre erërave politike në rritje, EU Reporter promovoi një pamje të favorshme të firmës nëpërmjet artikujve në internet të cilët u prezantuan si gazetari e pavarur. Abraham Liu, lobisti kryesor në BE i Huawei-t, u bë një zë i rëndësishëm në këtë faqe interneti – i cituar në gjithçka, nga mbështetja e Huawei për Ditën e Evropës deri tek nxitja e investimit të kompanisë në inovacion.

Gjatë gjithë reagimit politik, gazeta botoi njoftimet për shtyp të Huawei si artikuj lajmesh të autorëve të një “korrespondenti teknologjik” të paemërtuar pa iu referuar marrëdhënies së saj tregtare me kompaninë. Ai gjithashtu theksoi investimin e gjigantit kinez të telekomunikacionit në të gjithë Evropën pa atribuar përmbajtjen si sponsorizim të paguar.

Në fund të dhjetorit, një artikull nga Liu, lobisti i Huawei, që paralajmëronte kundër politizimit të përhapjes së Evropës të rrjeteve të saj 5G, u shfaq në POLITICO si përmbajtje e sponsorizuar qartësisht. I njëjti artikull u shfaq në EU Reporter pa përmendur lidhjen komerciale me faqen e internetit.

Si përgjigje, Stevens tha se deri në janar 2021, politika e EU Reporter ishte të mos etiketonte njoftimet për shtyp të korporatave që shfaqeshin në faqen e saj si materiale marketingu të sponsorizuara. Në një deklaratë të mëparshme, ai tha se që nga janari 2020, të gjithë artikujt e publikuar në faqe filluan të mbanin emrat e individit që i kishte shkruar, burimin e materialit dhe nëse postimet ishin të sponsorizuara.

Megjithatë, POLITICO gjeti një artikull të datës shkurt 2021, i cili ishte nënvizuar si “korrespondent i teknologjisë”, por që thjesht përsëriste një njoftim për shtyp të Huawei.

Kompania nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me këto artikuj. “Ne po shqyrtojmë dhe eksplorojmë vazhdimisht partneritetet tona dhe mundësitë tona për të kontribuar pozitivisht në shoqërinë evropiane”, tha një zëdhënës në një deklaratë.

Sulmi belg

Përpjekjet e EU Reporter për të promovuar Huawei u rritën në fund të vitit 2020.

Koha përkoi me përfundimin e një konsultimi publik në lidhje me propozimet e sigurisë 5G të Belgjikës që do të reduktonin ndjeshëm përfshirjen e gjigantit të telekomunikacionit në përmirësimin e ardhshëm të rrjetit celular të vendit – marrëveshje me vlerë kolektive në miliarda euro.

Stevens dhe njësia e tij mediatike publikuan një sërë artikujsh që u postuan në EU Reporter dhe shpesh ricikloheshin në faqje të tjera të drejtuara nga Stevens si london-globe.com dhe toplinenews.eu.

Mbulimi kritikoi qëndrimin anti-Huawei të qeverisë belge; e quajti të errët politikëbërjen e Belgjikës; dhe pretendoi se ndalimi i prodhuesve të veçantë të pajisjeve të telekomit do të rriste çmimet për konsumatorët.

“Shumë prej tyre në komunitetin belg të biznesit besojnë se kjo është një taktikë cinike e manipulimit të mediave, për të rrëshqitur në një konsultim publik gjatë një periudhe festash Krishtlindjesh në mes të një krize COVID-19, kur shumica e bizneseve janë mbyllur dhe vëmendja e publikut dhe medias është fokusuar diku tjetër,” shkroi Stevens në Toplinenews në dhjetor, 2020. Emërtimi më pas u ndryshua në “redaktor”.Stevens tha se ndryshimi mund të ketë ndodhur kur redaktori e ndryshoi artikullin.

I njëjti artikull – me titull “Nëse qeveria belge përjashton furnizues të veçantë, kush do të paguajë për të?”gjithashtu u publikua në EU Reporter nën nënshkrimin e Louis Auge, një gazetar, emri i të cilit duket se lidhet vetëm me median me bazë në Bruksel. Dy analistë të inteligjencës me burim të hapur, të cilët rishikuan gjetjet e POLITICO, thanë se Auge mund të jetë një pseudonim i përdorur nga punonjësit e EU Reporter pasi asnjë referencë për gazetarin nuk mund të gjurmohej në organizata të tjera lajmesh.

Kërkesat për komente nga Auge mbetën pa përgjigje.

Pak para fundit të vitit 2020, EU Reporter zhvilloi gjithashtu një konferencë në internet – e transmetuar drejtpërdrejt në YouTube dhe e moderuar nga Stevens – në lidhje me propozimet e sigurisë 5G të Belgjikës që ishte rrëqethëse në analizën e saj të planeve të telekomit të vendit. Në mesin e panelistëve ishin Yvan Desmedt, një partner në firmën ligjore Jones Day, e cila ka ofruar këshilla ligjore për kompaninë kineze. Në konferencën45-minutëshe, Desmedt nuk zbuloi lidhjet e firmës së tij me Huawei.

Një tjetër panelist nga ajo konferencë, i cili foli për POLITICO në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së përfshirjes së tyre, tha se diskutimi u përqendrua kryesisht në sulmin ndaj politikës së BE-së, e cila kishte filluar të nënvlerësonte rolin e Huawei në rrjetet celulare dhe ata mendojnë se konferenca nuk ofroi një platformë neutrale për diskutim.

Desmedt, avokati i Jones Day, nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Huawei nuk iu përgjigj pyetjeve të POLITICO në lidhje me konferencën. Stevens i EU Reporter tha se ai nuk ishte në dijeni të lidhjeve të Jones Days me Huawei. “Ai na u rekomandua si ekspert në këtë fushë,” tha Stevens.

Promovimi i artikujve pro-Huawei

EU Reporter mund të ketë qenë i fshehtë për marrëdhënien e tij me Huawei. Por kompania kineze ishte e etur për të promovuar mbulimin e faqes në internet.

Vetëm disa ditë para përfundimit të konsultimit publik belg në fund të dhjetorit, një grup prej 14 llogarish të rreme në Twitter që e portretizonin veten si vendas filluan të shpërndanin gjerësisht në platformën e mediave sociale përmbajtjen pro-Huawei të medias dhe ngjarjen në internet. Sipas një analize nga Graphika, një firmë e sigurisë kibernetike që është e specializuar në fushatat e ndikimit në internet, llogaritë përdorën imazhe të rreme të profilit të krijuara duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale dhe përforcuan përmbajtjen e prodhuar nga EU Reporter dhe faqet e lidhura me të.

Llogaritë zyrtare të mediave sociale të Huawei, duke përfshirë njësinë kryesore të kompanisë për operacionet e saj evropiane dhe disa drejtues të profilit të lartë rajonal, patën mundësinë për të ndarë artikujt. Në total, përmbajtja e mediave sociale u ripostua qindra herë, pikërisht kur politikëbërësit belgë po vendosnin për fatin e Huawei.

Graphika nuk mund të përcaktonte se kush qëndronte pas fushatës në internet, e cila përkoi me marrëdhëniet tregtare të Huawei me EU Reporter. Por përdoruesit e Twitter të lidhur me gjigantin kinez të telekomunikacionit, duke përfshirë kreun e marrëdhënieve publike të kompanisë dhe presidentin e saj të marketingut strategjik, ishin deri tani përforcuesit më të mëdhenj të përmbajtjes pro-Huawei, e cila kishte lidhje të drejtpërdrejta me fushatën e ndikimit të EU Reporter në emër të gjigantit kinez i telekomit.

“Është e qartë se përforcimi më i rëndësishëm i këtyre llogarive të rreme erdhi nga llogaritë e Twitter që u përkasin drejtuesve të lartë të Huawei në Evropën Perëndimore, duke përfshirë tre llogari që janë verifikuar,” përfunduan studiuesit e Graphika.

Stevens tha se faqja e tij nuk kishte asnjë përfshirje në këtë operacion dhe kur mësuan se përmbajtja e EU Reporter po promovohej në këtë mënyrë, ai ndërpreu lidhjet me Huawei.Kompania nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ishte e përfshirë në fushatën e mediave sociale.

“Huawei ka një politikë të qartë të mediave sociale”, tha zëdhënësi i kompanisë. “Ne vazhdimisht përditësojmë dhe rishikojmë proceset tona të brendshme për të siguruar që vlerat tona të sinqeritetit, ndershmërisë dhe transparencës ndiqen gjithmonë.”

Nuk ishte hera e fundit që Huawei do të përdorte përmbajtjen e faqes së saj për ndihma me qeveritë kombëtare.

Sipas analizës së POLITIKO mbi të dhënat e Departmantit Amerikan të Drejtësisë, në dorëzimin e dokumentacionit te Qeveria Amerikane, si kërkesë e transparences për regjistrimin si lobist, konsulentët që punojnë për Huawei dorëzuan shkrime të EU Reporter si prova mbi besueshmërinë e tyre.

Një artikull, i datës 3 qershor 2020 dhe e rishpërndarë nga zyraamerikane e Twitter e Huawei, theksoi se si mjetet e inteligjencës artificiale të kompanisë mund të ndihmojnë fermerët e BE-së. Emërtimi i autorit ishte ky: “Korrespondent iEU Reporter” dhe citonte vetëm Abraham Liu, lobistin kryesor në BE të Huawei. Ndryshe nga mbulimi i lajmeve nga njësitë e tjera të lajmeve, ai ofroi lidhje të drejtpërdrejta me faqen kryesore të kompanisë dhe llogarinë në Twitter.

Regjistrimet nuk përmendnin lidhjet tregtare midis Huawei dhe EU Reporter.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here