Kriteret e profesor Artan Fugës për një kryetar bashkie që duhej votuar!!

0
202

Kriteri i pestë për të vlerësuar një kandidat për kryetar bashkie, sipas meje!

Para se të kenë një kryetar bashkie për trotuaret, a për pemët, qytetet e mëdha kanë nevojë për një kryetar bashkie që të jetë i dashuruar pas kanaleve, gjirizeve, pusetave, tubacioneve.

Qyteti i madh ka nevojë për të kanalizuar jashtëqitjet e veta, të ketë rrjet ujësjellësi pa humbje në rrjet, të ketë rrjet elektrik të rregulluar mirë, dhe mbi të gjitha të krijojë mundësi që në territor kompanitë e telekomunikacionit, pra që na sjellin sinjal Interneti, televizioni, të gjejnë të gatëshme të gjitha infrastrukturat që të bëjnë punën e tyre për qytetarin.

Gjaku i qytetit qarkullon jo vetëm në rrugë, por edhe në gjirize, si edhe në fijet e informacionit dixhital. Këto janë tre arteriet kryesore të qytetit si qenie e gjallë.

Pra na duhet një kryetar bashkie, mashkull, më mirë akoma femër, që të jetë njeriu i kanaleve në të gjithë kuptimin e mirë të fjalës.

Rrugët e qytetit tonë të madh nuk lahen dot sepse uji për t’i pastruar po u derdh në rrugë a trotuare përmbyt gjithçka.

O Zot çfarë mrekullie, çfarë sinfonie, në ato qytete të vegjël a të mesëm nëpër Evropë ku pika e ujit që bie në kanalin e nëndheshëm nxjerr nga puseta tinguj të mrekullueshëm.

Ti thua, o sinfonia e mrekullueshme e natyrës!

Qytetet tona të mëdha dhe të vogla kanë nevojë për kryebashkiakë të dashuruar pas kanaleve, të flukseve materiale dhe virtuale, të telekomunikacionit apo të ujërave të zeza, të digjitaleve dhe të gjirizeve.

Aty fle sekreti i bukurisë të qytetit. Ndryshe me gjithë këto kulla një ditë pjesa e zhytyr e qytetit do të jetë mbushur me mutra që do infektojnë ujin, napën freneatike e gjithçka.

Me vjen keq për teknikët, oh aq të zotët, të kompanive të telekomunikacionit që hypin si majmunë të shkretët, degë më degë, e pemë më pemë, për të kaluar fijet. Kur këto kompani si në gjithë botën, infrrastrukturën duhet ta gjejnë gati infrastrukturën e nevojshme!

——————-
Katër kriteret e para:
Vazhdoj me 12 parametrat me të cilat mas punën e bashkive për një plan strategjik urbanizimi, si edhe programet për zgjedhjet bashkiake të 14 majit!

1. Kulla vetëm për parkingje masive për automjete, që të rehatohen qytetarët, mos paguajnë gjoba kot, dhe të lirohen rrugët dhe rrugicat e Tiranës që janë si vrima gjëlpëre ku kalojnë autobuza, tanksa, vetura, karroca, biçikleta dhe vetëm Zoti i madhërishëm na mbron.
2. Taksat të riinvestohen pak a shumë atje ku mblidhen dhe mos bëhen vazo gjigande me lule fallco, dhe në anë tjetër rrugët periferike të duken si të bombarduara nga marsianët.
3. Tregje fshatare të vërteta jo thjesht rafte a tezga guri ku shiten agrume kubane dhe çakmakë kinezë bashkë me foto udhëheqësish të lavdishëm.
4. Transformimi rrënjësor i sistemi të transportit, pra i infrastrukturës materiale, i parkut të mjeteve të transportit si edhe i energjive që përdoren për transport, duke mos harruar dimensionin social të transportit sikurse janë barazia e qytetarëve, lidhja mes pjesëve të qytetit, qetësia dhe respekti i dinjitetit të kujtdo, shpejtësia e kapjes së zonave periferike për të dalë nga qendra e betonizuar e qytetit drejt zonave ku ndodhen burimet e punës!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here